Leksion demokracie nga Dukati
Pëlqej
Albeu.com
Realiteti i hidhur sot është sesa më shumë ne i afrohemi Europës, sa më shumë demokracia jonë 'konsolidohet', aq më apatik dhe indiferent bëhet qytetari shqiptar përballë abuzimit, arrogancës dhe arbitraritetit të pushtetit. Vendimet e qeverisë për importim plehrash, për ngritje tecesh me qymyr pranë qendrave të banuara, për dhënien e Shqipërisë me '1 euro', për ngritje qendrash demontimi që hedhin në erë banorët përreth, për shembje piramidash, hasin në rezistencë të pakët qytetare. Disa përjashtimeve pozitive, siç ishte rasti i aleancës qytetare për mbrojtjen e gjirit të Vlorës, tashmë duken mjaft të largëta.

Për këtë arsye, Dukati është sot një shembull rezistence, që ngjall shpresë. Qëndresa e dukatasve të bën të besosh se përdorimit të pushtetit për interesa të ngushta mund t'i vendosen kufij. Se qeveria nuk mund ta përdorë Shqipërinë si plaçkë private, për të kënaqur klientelat e saj të brendshme apo të huaja. Në thelb, lëvizja e Dukatit është një qëndresë ku komuniteti lokal i kërkon pushtetit njohjen e të drejtës së pronësisë shekullore dhe konsultimin me të për investimet që do kryhen në një zonë, me të cilën ata janë të lidhur prej shekujsh.

Si rrallëherë në Shqipërinë e sotme, ku mungon organizmi komunitar, dukatasit janë mbledhur bashkë në kuvend lokal. Të rinjtë dhe të vjetërit janë mbledhur dhe kanë kuvenduar bashkë në mënyrë të hapur dhe demokratike. Janë organizuar në komitete të rinjsh dhe të vjetërish, kanë dërguar peticione dhe kërkesa në pushtetin vendor dhe atë qendror dhe vetëm pas injorimit të vazhdueshëm të tyre janë hedhur në protesta, të cilat janë përshkallëzuar gradualisht përballë shurdhërisë së pushtetit qendror. Kemi të bëjmë me një qëndresë, sa të organizuar, aq edhe demokratike.

Fatkeqësisht, ky dimension i qëndresës së Dukatit shpesh në kronikat mediatike portretizohet si dhunë, anarki, rebelim, dhe për pasojë de-legjitimohet. Ndërkohë, kërkesat e dukatasve dhe injorimi i tyre nga pushteti qendror pothuajse nuk trajtohen fare mediatikisht. Shikuesi i thjesht nuk arrin të kuptojë arsyet se përse protestojnë dukatasit, kërkesat e tyre për njohjen e pronësisë mbi kullotat e Karaburunit, që ato i kanë pasur në zotërim prej shekujsh, injorimin që qeveria aktuale demokrate dhe ato të mëparshme socialiste i kanë bërë kërkesave të dukatave, që më së fundi i kanë çuar ata drejt protestave. Në vend të tyre shikojmë përplasje me policinë, kronika arrestimesh, apo seancash gjygjësore.

Në këto kushte është e lehtë të mos kuptosh rëndësinë e asaj që po ndodh sot në Dukat.

Sot në Dukat po përplasen ballazi interesat e një komuniteti lokal që jeton aty prej shekujsh, me planet e një pushteti qendror, i cili zonat strategjike të Shqipërisë i trajton si plaçkë për të kënaqur klientela të brendshme apo të jashtme, pa përfillur komunitetin lokal. Kështu, qeveria jonë i vë në dispozicion një pjesë të Karaburunit.

investitorëve italianë, pa marrë mundimin të konsultohet me komunitetin e Dukatit që është i lidhur me të prej shekujsh, pa marrë parasysh pretendimet e tyre për kullotat që prej shekujsh ata i kanë aty. Kuptohet, në shkëmbim qeveria merr mbështetjen e shumëdëshiruar nga jashtë, për të na thënë se 'ne na do Europa'.

Sipas së njëjtës logjikë, edhe klientela e brendshme do përfitojë nga shpallja zonë strategjike e perlave të bregut si Karaburuni. Dikush do ngrejë një hotel, dikush një fshat turistik dhe të gjithë së bashku do financojnë fushatën elektorale të forcës në pushtet ose liderët e saj. Banorët e zonës, që brez pas brezi kanë qenë të lidhur me tokën, mbetet të punësohen tek klientela e brendshme apo e jashtme e pushtetit.

Ky është pra thelbi i qëndresës që po ndodh sot në Dukat. Jo dhuna, jo seancat gjygjësore dhe aq më pak përplasja me policinë. Qëndresa në Dukat është sa demokratike, aq edhe parimore. Ajo është një qëndresë ndaj një modeli zhvillimi, ku të parët fitojnë ata që janë pranë pushtetit dhe i fundit, komuniteti që ka të drejtën shekullore mbi zonën. Ky është leksioni i demokracisë që na ofron Dukati sot. Natyrisht, është një leksion që elitat mediatike, politike dhe të biznesit, pranë pushtetit në Tiranë nuk duan ta kuptojnë dhe nuk duan ta shohin. E megjithatë, dot nuk e fshehin, as me polici, as me gjykata dhe as me media.
Shtuar më 16/11/2010, ora 08:03
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori