Korrupsioni, si pasojë e privatizimit
Albeu.com
Prej më shumë se dy deka dash, si në literaturën ekonomike ashtu edhe në politikë-bërje, privatizimi është konsideruar si një nga ilaçet themelore kundër korrupsionit.Logjika ishte e thjeshtë. Nëse korrupsioni përkufizohet si përdorim i postit...

...publik për përfitime personale, reduktimi i postit publik nënkupton edhe reduktimin e korrupsionit. Meqenëse korrupsioni buron nga sektori publik, (dmth. nga abuzimi me postin publik apo shtetëror), reduktimi i këtij sektori automatikisht do të reduktonte edhe korrupsionin. Sa më pak të ndërhyjë shteti në treg, sa më pak kompetenca dhe rol të ketë ai në ekonomi, aq më pak korrupsion do të ketë. Në ekstremin e tij logjik ky arsyetim thotë se pa shtet nuk ka korrupsion. Pra, në një rast hipotetik ku shteti apo hapësira publike zhduket, zhduket edhe korrupsioni, pasi në këto kushte nuk ka poste publike dhe për pasojë nuk mund të ketë abuzim të postit publik për interesa personale. Kemi të bëjmë pra, me një filozofi antikorrupsioni neoliberale, që identifikon shtetin me korrupsionin dhe tregun e lirë me mungesën e tij. Për pasojë, procesi i privatizimit, që reduktonte sektorin publik (shtetëror) dhe zgjeronte sektorin privat, pritej që përveç se të rriste efikasitetin e operatorëve ekonomikë në treg, të eliminonte edhe korrupsionin.
Sot, pas pothuajse njëzet vjetësh privatizim të vazhdueshëm, mund të themi pa frikë se diçka e tillë nuk ka ndodhur. Për të qenë të saktë, duhet thënë se dukshëm ka një rënie të lehtë të korrupsionit administrativ, sikurse parashikohet nga teoria neoliberale (të paktën po t'i referohemi sondazhit të vitit 2008 të kryer nga IDRA). Megjithatë, duket se ka një rritje të korrupsionit të nivelit të lartë apo asaj që shpesh quhet 'kapja e shtetit'. Është ajo që shpesh në debatin publik quhet privatizimi i pushtetit publik. Ky pushtet nuk përdoret më për të mirën e publikut, por për të maksimizuar fitimet dhe pasurimin e atyre që janë në pushtet. Nga kjo pikëpamje mund të themi pa frikë se, sa më shumë ka avancuar procesi i privatizimit, aq më shumë është rritur edhe fenomeni i korrupsionit si kapje e shtetit. Në këtë aspekt, teoria neoliberale e antikorrupsionit ka prodhuar efektin e kundërt të asaj që parashikon. Mendoj se katër janë arsyet pse ka ndodhur diçka e tillë.
Së pari, procesi i privatizimit rrit pafundësisht pikat e kontaktit mes sektorit publik dhe atij privat. Është pikërisht në këtë pikëtakim, mes funksionarit publik dhe aktorit privat, ku ndodh kapja e shtetit apo ajo që ne e quajmë shpesh 'korrupsion'. Privatizimi nuk është thjesht procesi i transferimit të pronës publike në duar private. Ai nuk është një proces i fundmë, por nënkupton zgjerimin e vazhdueshëm të hapësirës së tregut privat. Privatizim do të thotë krijim i vazhdueshëm i tregjeve të reja, jo vetëm në hapësirat që më parë ishin shtetërore (p.sh. telefonia celulare apo Albtelekomi), por edhe në hapësira që vazhdojnë të jenë publike (si arsimi apo shëndetësia). Ama, krijimi i tregjeve të reja kërkon më shumë dhe jo më pak ndërhyrje nga shteti (ky është një proces, që është analizuar kohë më parë nga Karl Polany, në kryeveprën e tij të mirënjohur të fillimshekullit të kaluar "Transformimi i Madh"). Ndryshe nga sa pretendon fantazia neoliberale, tregu nuk ekziston apriori, ai krijohet me rregullim, legalizim, arbitrim, etj. Kjo do të thotë se më shumë privatizim nënkupton edhe më shumë rregullim dhe ndërhyrje ligjore nga ana e shtetit, në mënyrë që të garantohet mirëfunksionimi i tregjeve të reja, sidomos kur këto hapen në pika delikate si arsimi, energjia elektrike apo shëndetësia, Dhe sa më shumë shteti bie në kontakt me sektorin privat që zgjerohet vazhdimisht.
Këtu vijmë tek arsyeja e dytë. Rritja e pikëtakimit mes sektorit publik dhe atij privat shoqërohet me një diferencim gjithnjë e më të madh të pagave në nivele drejtuese mes sektorit publik dhe atij privat. Dy janë arsyet. Së pari, sektori publik është gjithnjë e më i neglizhuar nga ana e shtetit dhe theksin e vë tek sektori privat. Së dyti, sektori privat në Shqipëri, shpesh si pasojë e mungesës së burimeve njerëzore dhe si pasojë e konkurrencës së ashpër në treg, ofron paga jashtëzakonisht të larta për nivelet drejtuese. Rezultati është një varfërim relativ i sektorit publik, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të pagave aty, sidomos në nivelet drejtuese. Sot, çdo menaxher banke, pa folur për nivel drejtori të përgjithshëm, ka të ardhura vjetore shumë më të larta se vetë kryeministri apo çdo ministër në qeveri.
Kjo prodhon një mospërputhje midis rolit social dhe përfitimit financiar. Është një mospërputhje problematike në ekonominë e tregut, ku vlera e rolit social përcaktohet gjithnjë e më tepër financiarisht. Pra, nuk mjafton të jesh ministër për të qenë pjesë e elitës sociale, duhet të kesh edhe financat e duhura që të bësh jetën e elitës, çka nuk përballohet dot me pagat e shtetit. Kjo shpjegon pjesërisht edhe paradoksin e denoncimit të korrupsionit të zyrtarëve apo politikanëve të lartë. Nga njëra anë, pothuajse të gjithë e denoncojnë korruptimin e tyre. Nga ana tjetër, një politikan apo funksionar i lartë me stil të ulët jetese shikohet shpesh me përbuzje. (Imagjinoni ç'do mendonit po të shihnit një ministër apo politikan të lartë që lëviz me autobusin e Unazës).
Arsyeja pse tundimi për t'u korruptuar kthehet në realitet na sjell tek arsyeja e tretë, që shpjegon rritjen e korrupsionit si pasojë e procesit të privatizimit. Interesi personal, si përcaktuesi themelor i sjelljes së funksionarit publik. Sot funksionari publik, sidomos në nivelet e larta, gjithnjë e më shpesh motivohet tërësisht nga interesi personal, që në shumicën e rasteve do të thotë maksimizimi i të ardhurave financiare. Që interesi personal ka qenë faktor i rëndësishëm edhe gjatë komunizmit nuk ka dyshim, pavarësisht se publikisht ai denoncohej shpesh. Që ai do mbetet i tillë, gjithashtu nuk ha shumë debat. Ama, me rënien e komunizmit interesi personal jo vetëm u "rehabilitua", por edhe u idealizua. Të ndjekësh interesin tënd personal jo vetëm që nuk është gabim, jo vetëm që është pjesë e natyrës njerëzore, por është mirë edhe për shoqërinë në përgjithësi. Kështu, modeli i sjelljes që dominon tregun, maksimizimi i fitimit apo i interesit personal, iu vesh edhe sektorit publik. Për pasojë, zyrtari publik sillet si biznesmeni në treg. Ai e trajton postin publik si pronë private, nëpërmjet të cilës ai ose ajo synon maksimizimin e fitimit personal dhe jo realizimin e interesit të përgjithshëm publik.
Këtu vijmë tek arsyeja e katërt dhe e fundit. Humbja e interesit të përgjithshëm si objektiv orientues i politikëbërjes. Arsyeja se përse funksionari publik e ka të lehtë të korruptohet nuk është vetëm shtysa për përfitim personal, por edhe sepse interesi i përgjithshëm është pothuajse inekzistent në politikëbërje. Filozofia aktuale qeverisëse bazohet në idenë se nuk ka një interes të përgjithshëm publik, por një mori interesash, që në përplasje me njëri-tjetrin, prodhojnë një rezultante që duhet ndjekur nga qeveria. Është ajo që Robert Dahl e quan demokracia pluraliste, ku politikëbërja është rezultantja e përplasjes së interesave të ndryshme.
Qeverisja tek ne sot zhvillohet realisht si rezultante e përplasjes së interesave të veçanta dhe jo si ndjekje e një interesi të përgjithshëm. Kështu, kur flitet për arsimin, politikat që ndërmerren nuk burojnë nga një konceptim i të mirës së përgjithshme, pra se çfarë do t'i interesonte shoqërisë në përgjithësi në këtë sektor. Politikat janë produkt i përplasjeve apo përputhjeve mes interesave të institucioneve publike të arsimit me ato private. Ama, një diskutim, vizion apo strategji, se cili është interesi i shoqërisë shqiptare në sektorin e arsimit, se çfarë synon të arrijë ky sektor për shoqërinë në përgjithësi apo se kush do përfitojë prej tij, pothuajse nuk ekziston. Një tjetër shembull është sektori i ndërtimit. Në këtë sektor politikat nuk ndërmerren në raport me interesin e përgjithshëm publik, siç mund të ishte p.sh. një strehim i përballueshëm për sa më shumë qytetarë shqiptarë. Politikat në sektorin e ndërtimit janë produkt i përplasjeve mes grupeve të ndryshme interesi, ndërtuesit, pronarët, pushteti qendror dhe ai lokal, e kështu me radhë.
Kur flitet për interesin e përgjithshëm, ai njehsohet me procese të mjegullta, abstrakte dhe tejet të përgjithshme si integrimi europian apo në NATO, ku të gjithë janë dakord dhe ku presupozohet se të gjithë do dalin të fituar. Pra, nëse interesi i grupeve të caktuara është konkret dhe i prekshëm, interesi i përgjithshëm artikulohet në nivele aq të larta abstraksioni (demokracia, zhvillimi, integrimi), saqë ai humbet fare në procesin konkret të politikëbërjes.
Në kushte të tilla është e vështirë mos ta përdorësh postin publik për përfitime personale. Në momentin që interesi publik zhduket nga skena, posti publik në fakt mund të përdoret vetëm për interes personal. Askush nuk mund të pretendojë se po e përdor pushtetin publik apo politik në funksion të interesit të përgjithshëm, kur ky interes pothuajse nuk artikulohet politikisht dhe praktikisht.
Procesi i privatizimit duhet parë pikërisht si procesi i eliminimit të vazhdueshëm të interesit publik dhe zëvendësimi i tij me interesin privat, si ideali rregullues i shoqërisë sonë. Fatkeqësisht, ky është një fenomen global, ndaj korrupsioni është në rritje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara si Amerika, Franca apo Anglia, pa folur për fqinjët tanë Greqi dhe Itali. Problemi është se në Shqipëri kjo filozofi ka avancuar më shumë dhe më ashpër se kudo tjetër. Nëse dje ne çuam në ekstrem teoritë marksiste, duke zhdukur totalisht tregun dhe pronën private, sot kemi çuar në ekstrem teoritë neoliberale, duke synuar të zhdukim shtetin dhe hapësirën publike nëpërmjet privatizimit të gjithçkaje. Korrupsioni ekstrem duhet parë si një nga pasojat e një procesi të tillë ekstrem.
Shtuar më 25/10/2010, ora 17:21
Tage: Blendi Kajsiu

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori