Vetëm 50 vjeç, COVID-19 i merr jetën mamisë në Elbasan
Xhaka dhe Shaqiri, ose dinjiteti i emigrantit!
Albeu.com
Një histori në dukje banale dhe pa asnjë vlerë; pro-dukt debati kafenesh dhe mendjesh të shterpëzuara nga mentalitete të vjetruara, u kthye befas në një debat të vërtetë mediatik. Pesë djem të rinj, shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë, të lindur atje, por të rritur në Zvicër, lojtarë të ekipit kombëtar të vendit ku jetojnë, u akuzuan befas për “tradhti ndaj atdheut”. Edhe pse debati mund të ishte i denjë për të shtyrë kohën në biseda bordurash apo shkallësh stadiumi midis fëmijësh dhe adoleshentësh që janë gjithnjë entuziastë dhe e thjeshtëzojnë futbollin edhe në një betejë dashurie, ai befas përfshiu edhe publicistë dhe njerëz me një status të ndryshëm publik. Dhe në fakt, një ndeshje futbolli u shndërrua në një afishe të të gjitha mendësive të vjetra dhe arkaike të shoqërisë shqiptare; në një pasqyrë ku ne duhet të shohim vetveten për të dalluar se sjellja jonë ndaj Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit apo Valon Berhamit është po aq skandaloze sa sjellja e rretheve më raciste kundër emigrantëve. U shndërrua në dëshmi të asaj se vetë ne mendojmë pikërisht si ata njerëz që s’na duan, që klithin kundër emigrantëve sot në botë dhe që jo rrallë kanë hedhur parullat më të ndyra kundër nesh. Dua të argumentoj këtë qëndrim, dhe jo atë tjetrin, faktin nëse këta futbollistë duhet të luanin për Shqipërinë apo jo? Dhe nëse duhej të jepnin maksimumin në këtë ndeshje apo jo? Të gjitha këto janë komentuar shumë dhe s’besoj se kanë aq vlerë. E para, është e drejta e secilit prej tyre të zgjedhë ekipin kombëtar që do të përfaqësojë. Kjo është e vlefshme si për Xhakën apo Shaqirin, që kanë zgjedhur Zvicrën, ashtu si edhe për Canën apo Ujkanin, që kanë zgjedhur Shqipërinë. Nuk e di nëse këta futbollistë kanë marrë ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit për të mbrojtur ngjyrat kuq e zi. Mundet që po, mundet që jo, por kjo s’ka asnjë rëndësi. Ata e kanë në dorë zgjedhjen e tyre dhe në një botë të hapur ky është një vendim që s’i bën, as më shumë dhe as më pak, patriotë. Nuk dua të them se ndonjë prej tyre, edhe po të vinte të stërvitej për ekipin kombëtar tonin, do të tmerrohej nga kushtet e futbollit në Shqipëri. Kur ne nuk e duam veten aq sa duhet; kur ne nuk kemi kërkuar kushte normale futbolli, përse duhet t’u kërkojmë sakrifica këtyre futbollistëve të mëdhenj?! Dashuria për vendin nuk shprehet me fjalë, por me vepra. Ndaj ne duhet të mësojmë se pa punuar ne për veten, s’do të punojë për ne asnjë shqiptar që jeton jashtë kufijve tanë.
Dua të flas për argumentin bazë, që tashmë mund të shndërrohet në një debat pak më gjerë se sa thjesht futbolli. Të gjithë këta djem kanë lindur në Kosovë apo Maqedoni, por janë rritur dhe edukuar në Zvicër. Kanë shkuar në shkolla zvicerane dhe kanë pasur shok e miq zviceranë. Ata janë rritur si zviceranë, edhe pse ndihen krenarë që janë shqiptarë. Zvicra i ka pranuar me bujari, në një kohë të vështirë dhe ata, si gjithë emigrantët shqiptarë, si gjithë emigrantët në botë, kanë punuar për t’u integruar në shoqëritë ku jetojnë. Integrimi i emigrantëve dhe barazimi me vendasit është motivi i jetës së gjithë atyre që lënë atdheun dhe për kushte që ata i kanë gjykuar më të përshtatshme, largohen në një vend tjetër. Njëzet vitet e fundit beteja e shqiptarëve jashtë ka qenë të dëshmojnë se ata nuk dallojnë nga mikpritësit e tyre. Se ata dinë të integrohen në shoqërinë italiane, greke, gjermane, britanike apo amerikane, si gjithë pjesëtarët e tjerë të saj. Shumë prej tyre po e vuajnë sakrificën e emigracionit me besimin dhe bindjen se fëmijët e tyre nuk do të dallojnë nesër nga fëmijët e vendasve aty. Nuk do të diferencohen dhe as diskriminohen për hir të racës apo kombësisë. E kundërta ndodh me ekstremistët. Me antiemigrantët, politikanët apo publicistët racistë që argumentojnë çdo ditë se emigrantët nuk ngrihen dot në nivelin e shoqërive ku jetojnë; se ata nuk do të bëhen kurrë pjesë e kësaj shoqërie, për të mos thënë se ata janë pengesa e ecjes përpara të saj. Ky debat i gjerë, që bota e civilizuar e ka zgjidhur në përkrahje dhe mbështetje të emigrantëve, ilustrohet më së miri me futbollin dhe përfaqësimin e tij. Bij emigrantësh afrikanë apo turq po mbrojnë sot ngjyrat e Gjermanisë, ndërkohë që nderi i sulmit italian është një futbollist me ngjyrë. Ne duhet të jemi sot krenarë që fëmijë emigrantësh nga Kosova, Maqedonia apo edhe Shqipëria, kanë nisur të integrohen; kanë nisur të konkurrojnë dhe të evidentohen në vendet ku kanë lindur ose ku jetojnë që fëmijë. Ne duhet të jemi krenarë që këto produkte të dhimbjes dhe sakrificës, siç është emigrimi, kanë triumfuar mbi të, duke u bërë qytetarë të denjë që nderojnë në radhë të parë vendin që i ka rritur, por edhe vendin prej nga vijnë. Futbolli mbetet shembulli më i mirë. Të propagandosh gjithë ditën që emigrantët duhet të integrohen dhe kur kjo ndodh të deklarosh që ata s’duhet të jenë pjesë e ekipit kombëtar të Zvicrës, por e Shqipërisë, është njësoj si të pranosh se këta emigrantë s’kanë për t’u integruar kurrë aty. Bij emigrantësh, ata kanë shkuar në këto vende në masën më të madhe nga kushtet e këqija të jetesës, për t’u mbrojtur apo për një jetë më të mirë. Ata i kanë pranuar këto vende siç janë, me të mirën dhe të keqen. Ata s’mund të jenë qytetarë të tyre sa kohë s’kanë sukses dhe qytetarë të vendlindjes kur ecin përpara. Ne jemi një vend emigrantësh dhe duhet të bindemi dhe të kuptojmë se emigrantët janë një urë komunikimi mes popujve dhe shoqërive, por jo fidanishte për të mbushur paaftësinë tonë në shumë fusha. Si në futboll në rastin konkret. Ndaj, në vend që të gjykojmë me kutin primitiv, le të ndihemi krenarë që lojtarë të Bajernit, Borusias apo Napolit, elitë e futbollit botëror, mbajnë emra shqiptarë dhe kanë kombësi shqiptare. Unë jam i bindur se flamuri i Kosovës e Shqipërisë në këpucët e Xhakës dhe Shaqirit, apo shqiponja e Berhamit, thonë për Shqipërinë shumë më tepër se sa ajo që bërtasin gjithë ditën “patriotët” shqiptarë. Unë jam i bindur se duke pasur futbollistë me origjinë shqiptare të talentuar dhe dinjitozë, njerëz që luajnë si kampionë, dhe jo si batakçinj, ne kemi fituar shumë më tepër se sa tri pikë që mund të merrnim me Zvicrën apo një ndeshje e fituar më shumë. Ne kemi fituar dinjitetin e emigrantëve tanë, atë që kanë vite që duan të na e nëpërkëmbin dhe për të cilin luftojnë sot thuajse 3 milionë emigrantë shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia kudo nëpër botë.
Shtuar më 22/09/2012, ora 14:31
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori