Vetëvendosja si ngjarje politike
Albeu.com
Korrupsioni, klientelizmi politik, autoritarizmi mungesa e ideve dhe alternativave politike janë disa nga emëruesit e përbashkët të partive politike shqiptare në rajon. Si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë dhe Shkup, sheh parti politike që duket se ekzistojnë thjesht në funksion të liderit, pushtetit dhe parasë. Aq sa politika, paraja dhe pushteti janë kthyer në një trinom të pandashëm në hapësirën shqiptare. Nuk mund të bësh politikë pa para dhe pushtet, dhe nuk mund të kesh pushtet dhe para pa bërë politikë.
Në këtë panoramë të trishtë politike të hapësirës shqiptare ekziston një përjashtim: Lëvizja “Vetëvendosje”! Ky është i vetmi organizëm domethënës politik në hapësirën shqiptare që thyen ligjësinë e trinomit para-pushtet-politikë. Është e vetmja lëvizje politike par excllence; politika si frymë, ide dhe program. Ajo është e vetmja forcë politike shqiptare që nuk është transformuar në ndërmarrje fitimprurëse. Për këtë arsye, Vetëvendosja përbën një ngjarje politike.
Vetëvendosja nuk ka si qëllim sjelljen në pushtet të liderëve të saj. Përndryshe ajo mund të kish ndjekur fare mirë shembullin e LSI-së, pasi ka numrat e mjaftueshëm për të bërë koalicione majtas apo djathtas, për të marrë disa ministri fitimprurëse. Vetëvendosja nuk ofron para apo punë në shtet në shkëmbim të votës, sepse ajo nuk ka as para dhe as pushtet për të ndarë. Ndaj aktivistët e saj nuk motivohen nga paraja, pushteti apo nga përfitimi imediat personal.
Qëllimi i parësor i Vetëvendosjes është realizimi i një programi politik. Pavarësisht nëse mund të jesh dakord ose jo me këtë program, fakti mbetet që kemi të bëjmë me të vetmin organizëm politik shqiptar që forcën reale e ka te fryma dhe idetë. Një frymë që nuk mund të reduktohet thjesht te nacionalizmi. Ajo përfshin edhe shtetin social, shtetin zhvillimor dhe një program alternativ zhvillimi. Ndonëse është akuzuar shpesh se nuk ofron alternative, se i mungon ekspertiza apo programi, Vetëvendosja është në fakt e vetmja forcë politike që ofron një alternative të detajuar përballë modelit zhvillimor neoliberal që është përtypur thuajse njësoj nga të gjitha partitë politike shqiptare.
Në këtë aspekt, Vetëvendosja është një ngjarje politike e dyfishtë. Së pari, është surprizë vetë lindja e një force të tillë në një terren politik ku paraja, korrupsioni dhe klientelizmi janë kthyer në parakushte të organizmit politik. Së dyti, është e habitshme mbijetesa e suksesshme e kësaj force jo vetëm në mungesë të parasë, klientelizmit dhe kapjes së shtetit, por edhe përballë një faktori ndërkombëtar jomikpritës. Ndërkombëtarët, ndonëse denoncojnë korrupsionin, nuk hezitojnë të mbështesin politikanët e korruptuar shqiptarë teksa luftojnë haptas të vetmen forcë shqiptare në rajon të paprekur nga korrupsioni. Përkundër të gjitha gjasave, Vetëvendosja mbetet një faktor i rëndësishëm politik në Kosovë që frymëzon politikisht në të gjithë hapësirën shqiptare.
Edhe në zgjedhjet e fundit lokale, ku rezultati në rang vendi ishte relativisht i ulët, Vetëvendosja prodhoi një ngjarje politike në Prishtinë. Fushata e Shpend Ahmetit për kryetar komune tronditi në themele establishmentin ekzistues politik. Jo vetëm sepse Shpend Ahmeti e dërgoi Isa Mustafën në balotazh në bastionin e tij politik. Por, mbi të gjitha, sepse fushata e Shpendit tregoi se Vetëvendosja mund të ofrojë një kandidat dhe alternativë konkrete dhe të besueshme për qytetarët edhe në nivel lokal. Në këtë aspekt ngjarja më e madhe e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë ishte dhe mbetet fushata e Shpend Ahmetit dhe e Vetëvendosjes për komunën e Prishtinës.
Shtuar më 29/11/2013, ora 15:29
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori