Kush është Skender Bruçaj?
Pëlqej
Skënder Bruçaj
Rreth kësaj teme:

Skender Bruçaj ka lindur në rrethin e Malësisë së Madhe më 22 qershor 1976.

Pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar në vendlindje, ai u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga KMSH drejt Turqisë në vitin 1992.

Kështu më 1996 ai kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll, Turqi. Më pas ai ndoqi studimet në Institutin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Bosforit, ku pasi mbrojti gjuhën angleze, vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale, dega Psikologji.

Gjatë viteve 2000-2011 kreu studimet pasuniversitare, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studimet për doktoraturë me temë: “Menaxhimi i Cilësisë në Arsim”. Për disa vite ka punuar si konsulent për disa kompani të huaja.

Në vitin 2008 është emëruar Drejtor i Qendrës së Planifikimit të Karrierës në Universitetin Epoka.

Në shtator 2008 është emëruar nga Komuniteti Mysliman si Kryetar i Komisionit të Hartimit të Dosjes për hapjen e Universitetit “Hëna e Plotë-Bedër”. Me hapjen e universitetit ai fillon të japë leksione si pedagog në Fakultetin e Shkencave Humane në Departamentin e Shkencave Islame dhe atë të Drejtësisë në tre gjuhë: shqip, anglisht dhe turqisht.

Në periudhat shtator 2011-dhjetor 2013, krahas lektorit në lëndët Psikologji Sociale dhe Psikologji Islame në universitet, ai ka qenë gjithashtu përgjegjës i Departamentit të Drejtësisë dhe zv/dekan i fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër.

Skender Bruçaj ka qenë gjithashtu Drejtor i Qendrës për Edukim të Vazhduar dhe Formim Profesional në Universitetin Bedër.

Duke parë përgatitjen e tij të gjerë akademike, Kryesia e KMSH-së, në dhjetor 2013 e emëron atë nënkryetar të KMSH-së.

Z. Bruçaj ka disa marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si referues në emër të Universitetit Bedër dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Ai njeh në nivel të avancuar anglishten, turqishten dhe italishten.

Z. Bruçaj është i martuar dhe ka dy fëmijë (djem). /albeu.com/
Shtuar më 08/03/2014, ora 12:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori