Kush është Ardian Fullani!
Ardian Fullani është diplomuar në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë dhe në Fakultetin Juridik, pranë Universitetit të Tiranës, përkatësisht në vitin 1977 dhe në vitin 1991.

Përvoja e tij në fushën e sektorit bankar brenda dhe jashtë vendit është mjaft e gjerë. Ajo i ka fillesat në Bankën e Shtetit Shqiptar në vitin 1985, si Zëvendësdrejtor i Departamentit të Jashtëm në periudhën 1987 - 1990 e më pas në Bankën Tregtare Shqiptare, si Drejtor i Departamentit të Jashtëm, deri në vitin 1992.

Fillimi i punës së z. Ardian Fullani në fushën e bankingut qendror i takon vitit 1992, në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Bankës së Shqipërisë e në vijim në periudhën 1993-1996, si Drejtor i Departamentit të Jashtëm. Gjatë aktivitetit në këtë sektor, ai ka dhënë kontributin e tij me vlerë në krijimin e Bankës Qendrore në Shqipëri, në përgatitjen e kuadrit të saj rregullator, sidomos lidhur me funksionimin e tregut të këmbimeve valutore, me politikat për administrimin e rezervave valutore, sikurse dhe në hartimin dhe bashkërendimin e strategjive të Bankës së Shqipërisë për ndërmjetësimin dhe bashkëpunimin me FMN, me Bankën Botërore, me BERZH dhe me institucionet e tjera financiare ndërkombëtare.

Gjithashtu, z.Fullani ka punuar si koordinator i projekteve të investimeve nga financimet e huaja (përfshi FEFAD, Fondacionin për Financimin dhe Zhvillimin e Ndërmarrjeve dhe KfW, Kreditanstalt für Wiederaufbau); koordinator shqiptar për krijimin dhe licencimin e bankave të para me kapital të përbashkët (Bankës Italo-Shqiptare dhe Bankës Islamike Arabo-Shqiptare); koordinator dhe pjesëmarrës në Komitetin e Bisedimit të Borxhit të Jashtëm të Shqipërisë me Klubin e Parisit dhe në Komitetin Këshillues të 40 bankave kreditore, gjatë ristrukturimit dhe zgjidhjes së borxhit të jashtëm të prapambetur të Shqipërisë.

Gjatë viteve 1996-1997, përvoja e z. Fullani shtrihet edhe në fushën e konsulencës për projekte zhvillimi kombëtare e ndërkombëtare, ku mund të përmenden projektet gjermano-shqiptare për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në bujqësi dhe në agroindustri; ristrukturimin dhe institucionalizimin e tregut të këmbimeve valutore dhe zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri; analizën e tregut të kapitaleve në Shqipëri. Z. Fullani është bashkëautor i një studimi mbi rreziqet dhe pasojat e zyrtarizimit, ristrukturimit dhe transformimit të skemave piramidale në Shqipëri.

Eksperienca me Bankën Italo-Shqiptare i përket periudhës 1997-2004, fillimisht si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Departamentit Financiar (1997-2000) e më vonë si Drejtor i Përgjithshëm i Bankës (2000-2004). Z. Fullani ka mbajtur edhe funksionet e Presidentit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, të Institutit të Studimeve e Asistencës Bankare si dhe të Komisionerit në Komisionin e Letrave me Vlerë.

Në të njëjtën kohë, z. Fullani është autor i shumë artikujve dhe punimeve shkencore rreth çështjeve ekonomike dhe financiare.

Eshtë njohës i mirë i tre gjuhëve të huaja: anglisht, italisht dhe gjermanisht.

Z. Ardian Fullani është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe Guvernator i Bankës së Shqipërisë që prej muajit tetor të vitit 2004.

Guvernatori Fullani mban titullin "Commendatore dell'Ordine della Stella della solidarietà italiana/ Urdhri i Yllit të solidaritetit italian", i akorduar nga Presidenti i Republikës së Italisë.

Me 5 Shtator 2014, arrestohet nga Gjykata e Tiranës nën akuzën "shpërdroim detyre". /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2014, ora 21:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori