Të sëmurët me kancer kërkojnë ndihmë
Albeu.com
Të sëmurët me kancer kërkojnë ndihmë

Unë nuk jam doktor dhe nuk marr vesh nga shkenca e mjeksisë, por marr vesh nga hallet e njerëzve dhe semundjet qe prekin të afërmit, miqtë që na rrethojnë. Vuajmë bashkë me ta dhe ndajmë të njëjtat shqetësime përsa i përket sidomos kurimit të tyre në rastet kur bëhet fjalë sidomos për sëmundje me rrëzikshmëri të lartë pra për ato onkologjike (kanceroze)
Duhet theksuar se kohët e fundit incidenca e këtyre sëmundjeve sa vjen e rritet, këto lloj sëmundjesh shkaktohen nga një numër i larmishëm faktorësh ku me kryesorët rënditen të jenë shkaqet gjenetike, traumatike, duhani dhe alkoli.
Ka një specifikë përsa i përket shekullit 21 ku në shfaqjen e këtyre sëmundjeve vend kryesor po zë stresi. Ndërsa shkaktari kryesor i stresit këtu në vendin tonë është pa dyshim varfëria, ndotja e mjedisit, ndotja akustike dhe të tjerë faktorë të ngjashëm si këto.
Statistikat janë vërtetë rrënqethëse në kufijtë e të pabesueshmes. Vetëm në vendin tonë sipas disa të dhënave pranë shërbimit të onkologjisë në QSUT thuhet se diagnostikohen rreth 20 mijë raste në vit pa harruar të përmendim se shërbimi i onkologjisë pranë QSUT është më i frekuentuari që do të thotë se është më i besuari.Si rrjedhojë luan rolin e shpresës së fundit për këta pacientë.
Metodat e trajtimit të këtyre sëmundjeve konsiston në tre mënyra: ndërhyrje kirurgjikale, radioterapi dhe kimioterapi. Padyshim më efektive është kombinimi i ndërhyrjes kirurgjikale me kimioterapinë, por duke marrë parasysh gjithmonë specifikat dhe llojin e tumorit. Gjëja që më shqetëson më tepër mua është padyshim mënyra sesi përballohet kimioterapia te këta njerëz. E them këtë sepse në bazë të informacioneve që kam akumuluar preparatet kimioterapeutike janë më të kushtueshmet në tregun farmaceutik. Ku qëndron paradoksi: këto preparate nuk importohen nga jashtë për në depot farmaceutike, por porositen posaçërisht për spitalet. Porositen në bazë të nevojave, statistika të cilat i zotron çdo pavion pranë spitaleve të caktuara. E thënë troç këto ilaçe nuk duhet të gjenden në farmaci por duhet të ofrohen nga shërbimi spitalor.
Fatkeqësisht realiteti në vendin tonë është shumë ndryshe ku njerëzit heqin të zinjtë e ullirit për të gjetur depon farmaceutike që posedon këto preparate që kushtojnë sa qimet e kokës.
Gjithë ky strapacim dhe stërmundim vjen në një kohë kur pacientët me sëmundje të tillë kanë nevojë më shumë se kurrë për lehtësi dhe mbështetje psikologjike.Këtë hall nuk e kuptojnë perveç atyre që përballen më të. Duhet që kjo kategori të merret parasysh me vete dhe të trajtohet si e tille.
Shtuar më 26/06/2012, ora 10:46
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori