Borxhliu
Albeu.com
Ne si popull jemi pak inatçorë në kuptimin këmbëngulës në atë që dimë për të vërtetë, ose në atë që duam ta dimë si të tillë.Shpesh herë pa e marrë fare parasysh sesi do jetë fundi i kemi qëndruar besnik kësaj cilësie që na karakterizon mësëshumti. Pa marrë parasysh të vërtetën, pa marrë parasysh se personi apo grupi që kemi përballë karakaterizohet nga e njëjta cilësi dhe kryeneçësi si ajo e jona. Përplasjet kanë qenë me pasoja, nuk kemi nxjerrë mësim, dhe vazhdojmë ta pësojmë po nga të njëjtat sjellje.Ky lloj karakteri mbizotëron kudo: në radhët për të paguar faturat, në trafik, në politikë në sport dhe kudo, kudo ku jemi ne.

Her herë shfaqemi shumë emocionalë, u besojmë të tjerëve shpejt, besojmë në fjalën e tjetrit. E më vonë vjen zhgënjimi, premtojmë të hakmerremi, në radhë të parë ndaj vetes për naivitetin.E kështu ngjitemi në tarracë, në shtylle a diku tjetër mjafton të jetë lart.Për ta parë shkaktarin të lutet të ndjehet fajtorë, të na mëshirojë, e ne të kënaqemi , në të kundërt të vetflijohemi për naivitetin tonë.

Nuk jemi formalë, jemi informalë se formaliteti nuk është burrëri, është paburrëri, se burrat merren vesh me fjalë. Nuk na pëlqen të ndajmë, dhe kur ndajmë pjesën e madhe e duam për vete, madje pse jo të tërën. E këtu lind inati, zhgënjimi, dhe merr fund informaliteti. Lind drejtësia, gjithmonë sipas meje ose sipas kanunit, jo atij te Lekës po sipas kanunit tim, kanuni modern ky i fundit.

Të gjitha sjelljet tona sidomos në rast zhgënjimi janë kanunore, arbitrare, emocionale aspak ligjore aspak formale shumë jehonike dhe ca të turpshme. Kjo është subkoshienca jonë e gatuar me ligje folklorike, me rregulla familjare, shoqërore, krahinore dhe tribale aspak shtetërore aq më pak hyjnore.

Po shteti, edukatori kryesor, ai që të mëson formalitetin, që ruan barazpeshën, që mbron të dobëtin nga i forti, ku ndodhet? Shteti siguron trampolinë, për njerëzit në tarraca, nëse hidhen vërtetë, të bien sa më butë, këtë bën shteti. Ose këshillon të heqim nga përdorimi çdo gjë metalike si te borxhliu i famshëm Zafir Zavalli.

Nuk është vetëm zotëria i 4 Korrikut në majë të shtyllës, as ai i 4 Shkurtit në majë të vinçit, as gratë e 26 Marsit mbi tarracë, po të gjithë ne jemi bërë për të hipur në shtylla, vinça e tarraca lart e më lart për të kërkuar të drejtat tona që janë shkelur përditë e ngapak, dikujt për pronë e kujt për zonë.

Përfundimisht duhet tharë këneta dhe jo të vrasim mushkonja. Shteti si edukator dhe mësues kryesorë duhet të marrë masa për zbatimin e atyre ligjeve që po zënë myk në dosje, se shpejt vjen dita e lodhet duke ngarë sa nga një cep në tjetrin me trampolinë në dorë.

Rastet të mos i quajmë asnjëherë spekulative, dhe në rast se janë të tilla, kujtojme këtu përrallën mesazhplotë të bariut që alarmoi tre herë fshatin, derisa ujku erdhi vërtetë dhe shqeu delet e gjora.
Shtuar më 02/04/2012, ora 10:01
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori