Amatorizmi i profesionistëve
Albeu.com
Teoria për gjuhën e mbyllur vjen nga shoqëritë totalitare, cok nga ato shoqëri ku nacionalizmi gjykohet si virtyti më i lartë. Përkthyesve të tillë s'ke si ua shpjegon atë bukuri harlisëse që ka gjuha e Petro Zhejit tek «Vilet e zemërimit», të Steinbejkut. E kotë të shkosh më tej dhe të orvatesh të ftillosh se krahinizmat e Halit Selfos tek «Udhëtimet e Guliverit» (qëparthi, kufkë, minxo, kushkurë) e bëjnë atë më joshës e të vlertë.

Para disa ditësh, në një nga emisionet televizive për përkthimin, është përmendur në analizë edhe libri i Michel Tournier-së «Mbreti i verrishtave» dhe, sipas të gjitha rregullave që e kërkojnë klishetë dhe stereotipat gazetareskë, është goditur brinjë më brinjë me dajakun e kritikës. Gazetari dhe përkthyesit e kanë kopanisur në mënyrë të atillë, sa thua kishin para një vandak me demetë gruri dhe prisnin të nxirrnin andej gëzhutat e bykun. Fragmente të veprës janë gjykuar jashtë kontekstit të tyre të plotë, jashtë modeleve përqasëse dhe jashtë krahasimeve me origjinalin. Është gjykuar thjesht sipas kritereve të moçalishtes sonë letrare: «Ec, mo, varja, Shqipëri hesapi!». Por autori i këtyre radhëve, duke qenë njëherësh edhe përkthyes i librit, bën me dije se ka sqimën e lartë dhe arrogancën e shenjtë të pohojë se punon jo si të ishte në Shqipërinë tonë, po sikur të jetonte në Paris a Nju Jork.

Shijet e lexuesit dhe vetë veprat letrare mund të përfytyrohen kate-kate, mu ashtu siç janë zonat e pyllit: zona e moçalishteve, e shkurreve, e aheve, e bredhave, zona alpine. Libri i Tournier-së bën pjesë tek letërsia e madhe, tek zonat alpine dhe për t'u ngjitur aty të duhet të bësh ekskursione të pafundme leximesh, vramendjesh, krahasimesh. Doja të thosha se të lexosh një libër të tij nuk është një lloj sikur të lexosh një libër të Xh. R-së.

Libri është gjykuar për shkak të gjuhës. Mbase këtu është rasti të themi se disa nga gjuhëtarët dhe përkthyesit tanë e trajtojnë gjuhën me një familjaritet të çuditshëm, gati të flligësht, njëlloj sikur të ndanin me të krevatin. Harrojnë se ajo zhvillohet sipas ligjësive të veta dhe, si xanxare që është, mund të urrejë ata që e duan dhe të dojë pikërisht ata që e urrejnë. Partizanë të tezave për një gjuhë «të qashtër”, ata e përfytyrojnë atë me struktura e leksik të mbyllur, a thua është fjala për një sënduk nusërie ku janë ndrysur gjerdane fjalësh të urta, muhai e cohra ligjëratash, ftonj të verdhë metaforash të futur aty sa për aromë etj., etj. Teoria për gjuhën e mbyllur vjen nga shoqëritë totalitare, cok nga ato shoqëri ku nacionalizmi gjykohet si virtyti më i lartë. Përkthyesve të tillë s'ke si ua shpjegon atë bukuri harlisëse që ka gjuha e Petro Zhejit tek «Vilet e zemërimit», të Steinbejkut. E kotë të shkosh më tej dhe të orvatesh të ftillosh se krahinizmat e Halit Selfos tek «Udhëtimet e Guliverit» (qëparthi, kufkë, minxo, kushkurë) e bëjnë atë më joshës e të vlertë.

Libri i Tournier-së është gjykuar për shkak të ca neologjizmave e barbarizmave(!). E ngul këtë heshtë pikëçuditje në fund të fjalisë për të dëftuar se terminologjia është e ndryshueshme: brenda një konteksti të caktuar barbarja mund të bëhet saora e qytetëruar dhe anasjelltas. Le të shikojmë këta shembuj: «u brengosa» dhe «u mbusha maraz». Fjala «barbare» në këtë rast është «maraz». Por është një fjalë gjithë nur e sharm mahnitës, dhe, mu si ato aktoret indiane, ka një pikë të zezë nishani në mes të ballit. Mbase bukurinë ia jep aliteracioni i «a»-ve, ajo drithërimë vibruese tingullore që lëshon «z»-ja etj.

Ashtu siç e ka vënë re edhe Jaques Derrida fjalët janë një komunitet shkronjash, të cilat, kur bashkohen me njëra-tjetrën, mund t'u ndiesh erën e parfumit a të djersës, dihatjen e frikës a valët e zeza të vdekjes që ato lëshojnë nga trupi i tyre. Ndryshimi i një shkronje mund të ndryshojë krejtësisht kahun e drejtimit të shigjetës leksikore. Madje jo vetëm ndryshimi, por edhe këmbimi i vendit mund të bëjë hatanë. Vëreni këta dy shembuj:

Në plazhet e Australisë kishte femra të vogla.

Në plazhet e Australisë kishte ferma të vogla.

Fjalitë janë gati-gati identike me njëra-tjetrën, me përjashtim të një ndryshimi të vogël: këmbimit të vendeve midis m-së dhe r-së. Po pikërisht prej këtij ndryshimi shigjeta e kuptimit leksikor të fjalisë së parë është e ngjyer me të kuqe, tregon rrezik, dhe është drejtuar drejt fushës erotike. Kurse shigjeta e kuptimit leksikor të fjalisë së dytë është e ngjyer me të gjelbër, tregon bollëk, dhe është drejtuar drejt vedrash e kazanësh blegtoralë, ku milen lopët.

Përkthyesi i Tournier-së e di hak fare se fjalët brenda vetvetes kanë ngarkesë dhe ngjyresë dhe një nga studiuesit e letërsisë moderne (Wellek) thotë se fjalët me zanoret «e» dhe «i» janë fjalë të çelëta, të hapura, dritësore, kurse fjalët me «u» dhe «a» janë zymtanake, të vrenjtura, të errëta. Thuhet se misteri dhe mistika e fjalëve vijnë qysh kahershëm, mbase nga zanafilla, kabala etj. Në Biblën e hebrenjve, p.sh. thuhet se Zoti krijoi njëzet e dy shkronja themelore. I vizatoi, i gdhendi, i ndërthuri, i peshoi, i shndërroi dhe me to krijoi gjithsa është dhe gjithsa ka qenë. Një nga studiuesit e haditheve të Kuranit thotë se fjala «bismilah» në arabisht ka 19 shkronja, aq sa ç'janë edhe rojet e xhenetit. Të gjitha kuptimet e saj përmblidhen tek pika poshtë gjysmëharkut të shkronjës «b», pikë që simbolizon njëshmërinë e Allahut.

I kujtoj të gjitha këto për të thënë se jo vetëm emisioni për përkthimin, por edhe emisione të tjera kulturore në TV, për fatin e keq, janë në nivelin e katandisjes dhe gjithë materiali i zgjedhur s'është gjë tjetër, përpos një supë fakirfukarenjsh. Në dëm të tyre janë të gjitha rrethanat: Nguti i gazetarit për emisionin e ardhshëm, ndryshimi i tematikës, thërritja e të njëjtëve njerëz si kur flitet për misrin hamullor, ashtu edhe kur flitet për filozofinë e Fauceault-së. Bash prej kësaj imagjinata ime i shndërron ata në ca koloni të lumtura sardelesh që notojnë gjithë lezet mbi detin e kaltër të ekraneve. Është një fatkeqësi që s'e kanë në dorë as vetë, por kjo s'do të thotë që t'u falen gafat, siç kanë bërë për librin e Tournier-së. Dhe duhet ta them açik: autori i këtyre rradhonjve është kundër masakrës që iu kanë bërë përkthyesit e sotëm kryeveprave letrare, por është edhe kultit të rremë të përkthyesve të diktaturës, të cilët e kanë parë leksikun si një tokë të rrudhur malore, nga gjiri i së cilës mbijnë ca kallinj gruri qerosë, aq mjeranë sa të vjen t'ia shkrepës të qarit. Kanë kaluar njëzet e kusur vjet që pas rënies së diktaturës dhe, ndonëse është krijuar një traditë e vërtetë përkthimore, kurrkush s'ka nge të merret me të, të hartojë statistika, të përpilojë lista, të evidentojë të talentuarit. Po a s'është kjo detyra e emisioneve kulturore në media? Jo. Të gjithë kanë ngut: drejt të sigurtës, drejt lavdisë efemere. Me një përtaci heroike e kanë fare kollajxhe t'i drejtohen arketipit të gatshëm: përkthyesit të gatshëm, mërzitshmërisht monoton.

Po le të kthehemi edhe një herë tek analiza. Përkthimi i Tournier-së është kritikuar për përdorimin e pavend të ca fjalëve turke. Mirëpo zëvendësimi i një sinonimi me një tjetër nuk është kaq i lehtë. Vetë Umberto Eko ka një ese të mrekullueshme për fjalën turke «nur», e cila për nga eleganca, konotacioni, është shumë larg sinonimit të saj «bukuri». Një shembull tjetër?!... Një poet popullor shkruan: “Të xhuma, më të xhuma, më xhindosi xhindeja”. Fjala turke është «e xhuma», sinonim i fjalës «e premte». E kombinuar me ato «xh»-të e tjera ajo të krijon ndjesinë se në cërrin e vapës po dëgjon gjinkallën mbi lëvoren e lisit. Dhe shiko se ç'ngjet: këtë xh-në që është një fjalë jetime, poeti e nxjerr nga fati i Hirushes dhe e bën mbretëreshë. Besoj që në përkthimin tim jam ndikuar prej këtyre modeleve dhe të tjerëve që s'është vendi për t'i përmendur.

Libri është gjykuar jo vetëm jashtë të tërës, por edhe jashtë kontekstit letrar dhe estetik. Ashtu siç e ka vënë re me intuitë dhe zgjuarsi Edmond Tupja vështirësia e frazës, mjegullimi i kuptimit nga një njësi leksikore në tjetrën, është veçori e stilit filozofik të Tournier-së. Personazhi kryesor i romanit është një qenie paranojake, që shqyen luspat e qytetërimit brenda vetvetes dhe mëton të kthehet drejt arkaikes, tek koha e mbretërve teutonë. Të gjitha gjestet e veprimet e tij janë të dominuara nga kjo filozofi. E tillë duhet të jetë edhe gjuha: e vjetër, e motmoçme, arkaike. Siç shihet, pra, përdorimi i fjalëve arkaike nga ana ime është një mjet estetik që diktohet nga rrufullat e brendshme të librit. Mospikasja e kësaj tendence nga ana e gazetarit është një gafë.

Faktet dhe ngjarjet letrare jetojnë të mëvetësishme. Nëse një ekran nuk i paraqet ato ashtu siç janë, por gjithë xixa e miza, atëherë ky TV, në fakt, s'ka tëhuajzuar ato, por vetveten. Dhe, rahmet pastë, nga një dritare është shndërruar në një penxhere... (standard)
Shtuar më 01/10/2010, ora 12:21
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori