Drejtësi açik
Albeu.com
Shqipëria është vendi i fundit ndër demokracitë e reja që hoqi nga Kodi Penal ndëshkimin për shpifjen, duke e lënë në përgjithësi si vepër e dënueshme nëpërmjet Kodit Civil. Megjithatë, fakt është se në afro njëzet vjet unë nuk di ndonjë rast kur ndokush të jetë dënuar penalisht për shpifje, edhe pse hapësira publike shqiptare, nisur nga salla e Parlamentit, ka qenë e mbushur për faqe të zezë me shpifje. Asnjë nga figurat tona publike nuk i ka shpëtuar përbaltjes. Kulturën e shëmtuar të shpifjes e kanë udhëhequr drejtpërdrejt me shembullin e tyre, për fat të keq, ata që kanë udhëhequr politikën në majat e saj më të larta. Po të ishte zbatuar, pra, Kodi Penal në fuqi me seriozitetin që presupozon shteti ligjor, dënime të rënda dhe të përsëritura do të kishin marrë Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta, Pandeli Majko dhe nuk po e çoj më tej listën, e cila do të ishte shumë e gjatë, siç merret lehtë me mend, kur në krye të saj janë pothuaj të gjithë ata që kanë drejtuar njëri pas tjetrit qeveritë e Shqipërisë në pluralizëm.
Trajtimi i kësaj vepre nëpërmjet Kodit Civil është, sigurisht, një hap përpara në procesin e modernizimit të sistemit tonë legjislativ dhe, do besuar, një tregues i emancipimit të vetë shoqërisë shqiptare. Në këtë vazhdë është vënë re që vitin e fundit janë zhvilluar një numër i madh gjyqesh të bujshme me këtë objekt. Zakonisht anëtarë me peshë të shumicës qeverisëse ose pjesëtarë të rrethit të tyre të afërt familjar kanë çuar para gjykatës përfaqësues të opozitës. Por ka ndodhur edhe e kundërta. Vetëm të hënën e kësaj jave ku jemi patëm dy gjyqe të tilla. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, fitoi padinë e tij kundër deputetit socialist Saimir Tahiri. Njëri nga prurjet e reja të Partisë Socialiste, Erion Veliaj, fitoi nga ana e vet padinë ndaj Altin Goxhajt, një përfaqësues i shoqërisë civile. Siç mësuam nga mediat, gjykata vendosi që Saimir Tahiri t’i paguajë si dëmshpërblim Genc Rulit një gjobë prej 7 milionë lekësh të vjetër. Po ashtu, një trupë tjetër gjykuese vendosi që Altin Goxhaj t’i paguajë Erion Veliajt një gjobë prej 3 mijë eurosh. Genc Ruli nuk ka treguar se ku do t’i përdorë paratë që do t’i marrë Saimir Tahirit. Ndërsa Erion Veliaj tha se do t’i japë për bamirësi.
Kudo në botë, atje ku ekziston besimi te ligji dhe te drejtësia, ka herë pas here gjyqe të kësaj natyre. Politikanë e njerëz me pushtet deri edhe në nivelet më të larta, padisin për shpifje kolegët e tyre të kampit kundërshtar e jo rrallë edhe mediat apo gazetarë të caktuar. Sepse shpifja as ka qenë e as do të jetë kurrë një ekskluzivitet shqiptar. Dhe është po ashtu krejt e vërtetë se shpifja shkakton plagë të dhimbshme për këdo që ka dy pare nder. Rrjedhimisht, mund të shoqërohet edhe me një zinxhir pasojash. Pikërisht për t’u prerë rrugën pasojave është parashikuar ndërhyrja e ligjit dhe e drejtësisë. Kjo, pavarësisht cilësive apo statusit të viktimës apo të shpifësit. Po unë qëllimisht po e ndal vëmendjen vetëm në rastin e politikanëve që paditen ose padisin për shpifje. Ndëshkimi i shpifjes, ashtu si dënimi për shpifje në mjediset e politikës, ka specifikat e veta. Në mënyrë aksiomatike, kudo në botën demokratike, politikani i vërtetuar nga gjykata si shpifës dënohet në mënyrë simbolike, le të themi sa për shembull: një euro apo një dollar. Dhe kjo praktikë e drejtësisë ka shpjegimin e vet. Politikani që çon para drejtësisë kolegun e vet apo dikë tjetër publikisht i njohur për shpifje, ndien se besueshmëria e tij para opinionit publik është cenuar. Drejtësia i heq atij njollën, pra i kthen edhe besueshmërinë, ndërkohë që njolla i mbetet shpifësit.
Ndërsa te ne nuk ndodh kështu. Gjyqtarët tanë, për të cilët Hasan Zyko Kamberi dyqind vjet të shkuara do të thoshte se “ia dinë kimenë parasë”, edhe dëmtimin e besueshmërisë publike të politikanëve tanë e ndreqin me një dorë para. Mua, njerëzisht më vjen mirë që shoku im, Genc Ruli, bie fjala, do ta shtojë pasurinë e familjes së vet pa derdhur pikën e djersës edhe me 7 milionë lekë. Ama, kjo ndjesi e mirë për qesen e Gencit nuk ma shuan dot kureshtjen për të ditur se çfarë sistem llogaritjeje përdori ministri Ruli për të përcaktuar se shpifjet e Saimir Tahirit i kishin shkaktuar një gropë në reputacionin publik, që mund të mbushej duke hedhur aty 50 milionë lekë. Po trupa e pavarur gjyqësore, me çfarë kandari e peshoi kur arriti në përfundimin se nderi i cenuar i Genc Rulit vlen shtatë herë më pak nga ç’e vlerësonte i dëmtuari nderin e vet? Në përputhje me këtë logjikë, paditësi duhet të ankohet për padrejtësi. Kjo lloj larje hesapesh si nga paditësit politikanë, ashtu dhe nga gjykatësit tanë, është e padëgjuar në Europën demokratike dhe i lë pa mend vëzhguesit e paanshëm të Drejtësisë shqiptare. Ndërsa për një njeri që merret me gjuhën, si puna ime, leximi i vendimeve gjyqësore jep rast për të parë fuqinë e mrekullueshme të fjalës. Vini re: “…duke i shkaktuar një dëm jo- material…”. Dhe ky dëm jo-material shlyhet materialisht me “…700 mijë lekë”.
Sepse mua, siç më vjen ohoho, – e përsëris - që shoku im Genc do të marrë 7 milionë lekë, ashtu nuk më dhimbset hiç pse deputeti Saimir do të varfërohet me 7 milionë lekë. Ashtu siç nuk më vjen t’i shpreh ndonjë përgëzim as deputetit të ardhshëm Erion pse do t’i japë për bamirësi 3 mijë eurot që do të marrë në kuletën e Altin Goxhajt. Pyetja, – serioze kësaj here – që do të doja unë të shtroja publikisht është: a do të konsiderohej i ndëshkuar më lehtë Saimir Tahiri duke u shpallur fajtor për shpifje dhe të dënohej me një lek simbolik, si dhe të paguante botimin e vendimit të gjyqit në tri gazetat me tirazh më të madh me tarifat që ka blerja e hapësirave publicitare? Që do të thotë: a do të ndihej Genc Ruli i qetësuar në lëndimin e vet me një dënim të tillë edhe pa vënë dorën në xhepin e Saimirit? Gjyqtarët tanë e kthejnë në pazar, e banalizojnë dëmshmërinë shoqërore të shpifjes – jo 50 milionë? Po sa? 7 milionë – edhe këtë lloj drejtësie kaq specifike, sepse janë në simbiozë me politikën, janë nga i njëjti brumë. Saimir Tahiri (dhe të tjerët të dënuar si ai) në këto rrethana ngrenë zërin për padrejtësi. Dhe njerëzve, atyre që do të votojnë përsëri më 23 qershor, u mbetet në mendje dëmi material që u detyrua të paguajë i dënuari dhe aspak arsyeja pse u dënua ai. Sipas mendjes sime, në fjalë të fundit, paditësi ka fituar para, por jo gjyqin. Dhe vepra e dënueshme e shpifjes ka mbetur jashtë vëmendjes së opinionit publik, që do të thotë se gjykata nuk ka mbajtur parasysh atë që iluministët e quanin “fryma e ligjit”, sado që pa frymën e ligjit nuk ka shtet të vërtetë ligjor.

Shtuar më 21/02/2013, ora 13:31
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori