U arrestua për dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, SPAK çon për gjykim dosjen e Fredi Belerit

SPAK ka çuar për gjykim dosjen e Fredi Belerit, kryebashkiakut të pabetuar të Himarës, i cili ndodhet në burg.

Beleri, i cili ka fituar zgjedhjet e 14 majit, u arrestua dy ditë para votimeve, për blerje votash.

Sipas SPAK, nga analiza një nga një dhe në unitet e provave të administruara gjatë hetimit, sikurse janë të dhënat e përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale etj, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte atë si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë Arseni  tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të Belerit.

Beleri ka kërkuar disa herë zbutje të masës së sigurisë, por së fundmi dhe Gjykata e Lartë e la në burg. Nga ana tjetër, edhe Greqia i ka bërë presion Shqipërisë të lirojë Belerin nga burgu, përndryshe do të pengojë integrimin e vendit tonë drejt BE.

Njoftimi i SPAK:

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.111 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 31.07.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

1.Dhionisios Alfred Beleri, akuzuar për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal.

Pandeli Kokaveshi, akuzuar për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal.

Nga analiza një nga një dhe në unitet e provave të administruara gjatë hetimit, sikurse janë të dhënat e përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale etj, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

I pandehuri Dhionisios Alfred Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri.

Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023.

Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë./albeu.com

 


Shtuar 1.08.2023 09:41