Viktima e katërt, si qeveria po fsheh të vdekurit nga koronavirusi

Qeveria është duke fshehur numrin e vërtetë të të vdekurve nga koronavirusi duke shpikur skenare të ndryshme për të mos i numëruar si viktimatë COVID-19 një numër të madh personash.

Pak më parë ndërroi jetë një 82 vjeçar nga Shkodra në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili krahas sëmundjeve të tjera kishte edhe koronavirus, por sipas Ministrisë së Shëndetësisë ai nuk vdiq nga koronavirusi, shkruan albeu.com.

Përmes një reagimi, ministria thotë se shkodrani 82 vjeçar vdiq nga një mori të tjerë sëmundjesh, por kurrsesi nga koronavirusi.

Ky është shkodrani i katërt që ndërron jetë duke qenë me koronavirus, por qeveria nuk e llogarit si të tillë duke luajtuar me shifrat.

Praktika ka treguar se në të vërtetë, koronavirusi nuk vret vetë, por bëhet shkak që ata që kanë sëmundje të tjera të përkeqësohen duke pësuar vdekjen. Rrjedhimisht, ka shumë pak raste në botë që kanë vdekur vetëm prej koronavirusit, kurse shumica dërrmuese kanë patur sëmundje shoqëruese, e megjithatë shtetet e përgjegjshme i kanë llogaritur si të vdekur nga COVID-19 duke mos bërë akrobacira si shteti shqiptar.

Reagimi i Ministrisë së ShëndetësisëLidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një pacienti 82-vjeçar me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se:
Pacienti që ka ndërruar jetë në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” 82-vjeç nga Shkodra, ka humbur jetën si pasojë e tromboembolisë pulmonare, trombozë e venës porta, trombozë e venës renale dhe absesi subdiafragmal.
I moshuari është sjellë në gjendje të rëndë nga spitali i Shkodrës dy ditë më parë dhe ishte pa shenja të COVID19. Referuar spitalit “Shefqet Ndroqi”, pacienti nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19, pasi ishte asimptomatik për këtë sëmundje, por si pasojë tromboembolisë pulmonare.
Ministria e Shëndetësisë informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare. /albeu.com


Shtuar 15.04.2020 13:34