E pazakontë, Kylian Mbappe mori 10 vota në zgjedhjet presidenciale në Francë

Sipas raportimeve nga “L’Est Republicain”, ylli i PSG-së dhe “Gjelave”, Kylian Mbappe ka arritur të marrë 10 vota në garën për President në Francë edhe pse ai nuk ishte kandidat.

Votat për kampionin e Botës 2018, erdhën nga banorët e një fshati në lindje të Francës, Tallenay.

“L’Est Republicain” raporton se emri i 23-vjeçarit ishte pjesë e fletave të votimit gjatë raundit të dytë të zhvilluar të dielën.

Tifozët e superyllit francez të futbollit, i dhanë këtij të fundit 10 vota, nga 348 vota që kishte gjithsej fshati. Ata i kishin shtypur paraprakisht fletët e votimit me emrin e Mbappe-s dhe i kishin vendosur në zarfe.

Megjithatë, fletet e votimit u konsideruan të pavlefshme, duke pasur parasysh që gara zhvillohej mes presidentit aktual, Emmanuel Macron dhe kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Macron fitoi zgjedhjet dhe njëkohësisht mandatin e dytë në krye të Francës me 58.5% të votave.

Më herët mediat franceze kishin lajmeruar se Macron kishte hyrë në negociata me Mbappe-n, që ky i fundit të rinovonte kontratën me PSG-në. Kontratë e cila përfundon këtë verë dhe e ardhmja e sulmuesit është mes Real Madrid-it dhe parisienëve.