Citroën C4 me pamje dinamike
Pëlqej
Citroën C4
Gjenerata e re e modelit Citroën C4, seriozisht futet në konkurrencë në klasën e mesme të veturave. Modeli i ri është më pak futuristik, dhe më shumë me pamje dinamike. Dizajni i karrocerisë kombinon detaje nga modeli C3 dhe C5, edhe pse në mënyrë të qartë distancohet nga modelet e përmendura, si për nga dimensionet, ashtu edhe për nga stili.

Citroën po i kthehet një qasjeje më konvencionale dhe më sportive, çka me siguri se do t’i pëlqejë grupit të gjerë të blerësve potencialë.

Pjesa qendrore e timonit, më nuk është fiks, ndërsa tabela qendrore e instrumenteve, është zëvendësuar me zgjidhje klasike të kombinuara me ekran LCD për informata shtesë. Është interesante se pjesa e mesme e tabelës së instrumenteve, është e orientuar kah vozitësi.

Sa i përket dimensioneve të jashtme, ato janë: gjatësia 4.329 mm (+55 mm), gjerësia 1.789 (+17 mm) dhe lartësia 1.491 mm (+32 mm), ndërsa distanca mes boshteve, është 2.608 mm. Të gjitha këto ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për 5 pasagjerë, pa marrë parasysh se çfarë përmasash kanë ata. Ulëset janë të mbështjella me material shumë cilësorë, ndërsa dallohen edhe detajet e shumta në pjesën e brendshme.

Sa i përket hapësirës për bagazh, ajo është 408 litra, çka është për 82 L më shumë se sa m odeli paraardhës.

Citroën C4 THP 155 shpejtësinë nga 0 në 100 km/h, e arrin për 8.7 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale e këtij modeli, është 214 km/h.

Harxhimi mesatar i versionit e-HDi, do të jetë vetëm 3.8 l/100 km, derisa emetimi i gazrave CO2 do të jetë 99 g/km.
Shtuar më 15/11/2010, ora 15:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori