Në kërkim prej kohësh, si u kap 39 vjeçari i shumëkërkuar në Durrës

Një 39-vjeçar është arrestuar me qëllim ekstradimi në Itali. Në pranga ka rënë Genci Maksuti, 39 vjeç, banues në Durrës.

Ky i fundit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, pasi Gjykata e Romës/Itali, në vitin 2018 e ka dënuar me 6 vjet e 6 muaj, për kryerjen e veprës penale të “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Njoftimi i policisë:

Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 39-vjeçari i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2020, nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana janë kapur edhe 4 persona të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kapën dhe ndaluan një tjetër shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht shtetasin Genci Maksuti, 39 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, pasi Gjykata e Romës/Itali, në vitin 2018 e ka dënuar me 6 vjet e 6 muaj, për kryerjen e veprës penale të “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.


Shtuar 12.05.2020 07:41