Rri shtrembët e fol drejt!
Albeu.com
Një prej tregimeve për Nasradin Hoxhën (tregimet e të cilit neve si fëmijë na janë treguar si të “Nasradin rrenit”) është edhe ai kur e kanë pyetur “pse i hëngre fjalët”, ai u përgjigjet: “Ani çka, i kam hëngër fjalët e mia e jo të dikujt tjetër”.
Më ra ndërmend ky tregim javën që lamë pas, kur në intervale të rralla që shikoja lajmet në TV dhe në tekstet e gazetave vazhdimisht përsëriteshin tri raste sikur këto të Nasradin Hoxhës. I pari është rasti i kryetarit të Komunës së Rahavecit, i cili i hëngër fjalët e tij (jo të dikujt tjetër që të jemi korrektë ndaj tij) dhe u kthye në postin e kryetarit të Komunës, edhe pse kishte dhënë më parë dorëheqje të parevokueshme.
Rasti i dytë është i udhëheqësisë së partisë kryesore (ndoshta edhe praktikisht të vetme) opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e cila kishte paralajmëruar se të mërkurën do të dalë me dëshmi konkrete për pohimet e tyre se pjesëtarët e Qeverisë po bëjnë negociata sekrete me Serbinë. Ata i hëngrën fjalët dhe nuk dolën me dëshmi, së paku jo me dëshmi “konkrete dhe bindëse”. Rasti i tretë është “vendimi” i kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, për të “ndaluar” vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, për shkak se disa prej tyre kishin keqpërdorur vizitat “private” dhe kishin dhënë deklarata politike. Qeveria e Kosovës me këtë “vendim” edhe një herë dëshmoi joseriozitetin e saj dhe i dëshmoi botës, sikur edhe opinionit kosovar, se nuk e ushtron pushtetin në tërë territorin e Kosovës. Kohëzgjatja e “vendimit të përkohshëm” të Thaçit ishte deri te plani i parë për vizitë në Kosovë i një zyrtari të Serbisë, i cili u la të hynte në Kosovë, për shkak se ishte banor i Kosovës, por nuk foli për asgjë private pos për politikë.
Ka edhe shumë raste të tjera sikur ky i kryetarit të Komunës së Rahavecit, i cili duhet t’i kërkojë falje opinionit pse nuk e ka mbajtur fjalën, sikur ai i AAK-së, që po ashtu nuk e ka mbajtur fjalën, por edhe ajo e kreut të Qeverisë, e cila nuk e mbajti fjalën, apo duhet të pranojë se nuk është në kompetenca të Qeverisë së Kosovës që të caktojë se kush mund e kush jo të hyjë në territorin e Kosovës. Kemi për shembull rastin e deklaratave të ministrit të Jashtëm për 35 njohje të pavarësisë së Kosovës, që nuk ndodhi dhe shumë raste të tjera. Kryeministri kishte premtuar edhe para shpalljes së pavarësisë se do të ketë “100 njohje”, të cilat nuk i kemi as 2 vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë. Por, deklaratat për njohje nuk duhet t’ua marrim seriozisht politikanëve të Kosovës, e besa as hoxhallarëve e priftërinjve, sepse ata flasin diçka që nuk e dinë dhe nuk varet nga ta. Kështu shprehjen e dëshirave rreth njohjeve nuk duhet vënë në të njëjtin thes me mosmbajtjen e fjalëve në rastin e kryetarit të Komunës së Rahavecit, të AAK-së dhe të kryeministrit.
Të tri rastet e përmendura janë raste në vete, por kanë një gjë të përbashkët. Tregojnë joseriozitetin dhe mungesën e përgjegjësisë së strukturave politike. Ndonëse në Kosovë ekziston një organizatë joqeveritare me emrin FOL, e cila ua numëron udhëheqësve politikë mosmbajtjen e fjalëve, në Kosovë ende nuk ka ndodhur që dikush të ofrojë përgjegjësi apo të thirret në përgjegjësi për fjalën e thënë. E mbajtja e fjalës ka qenë njëri ndër virtytet kryesore tradicionale të shqiptarëve e në të njëjtën kohë është edhe parim i korrektësisë dhe i kulturës politike edhe në shtetet e zhvilluara demokratike. Kosova dhe politikanët e saj nuk e kanë më as atë virtyt tradicional të mbajtjes së fjalës e as nuk e kanë arritur atë kulturë demokratike, që, kur të mos jenë në gjendje të mbajnë fjalët, ta pranojnë këtë, të marrin përgjegjësi dhe të japin dorëheqje. Kështu Kosova është shndërruar në vendin e fjalëve të mëdha dhe të punëve të vogla.
Duke pasur parasysh edhe fjalën e urtë popullore “rri shtrembët e fol drejt” do të ishte më mirë sikur politikanët e Kosovës të flasin më pak, ta mbyllin gojën kur nuk janë të sigurt në atë që thonë ose kur janë të sigurt se po e thonë me qëllim një të pavërtetë. Por, opinioni duhet të presë edhe në të ardhmen fjalë të mëdha dhe vepra të vogla, përderisa të mos ndërtohet kultura e përgjegjësisë për fjalën e thënë. (Koha Ditore)
Shtuar më 24/08/2010, ora 21:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori