Vështirësitë e partnerëve politikë të huaj me ne
Pëlqej
Albeu.com
Kuptohet që demokratizimi i Shqipërisë është shoqëruar me hapje ndërkombëtare të saj. Shtetet Perëndimore të Europës dhe të Amerikës së Veriut e kanë mbështetur në mënyrë të shëndetshme dhe të sinqertë konsolidimin gradual dhe shumë të vështirë të instalimit të shtetit të së drejtës dhe të tregut të lirë në vendin tonë. Mbështetja e tyre ka qenë jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në politikën e jashtme dhe në rrafshin gjeopolitik. Kuptohet që në përvojat e tyre, klasa politike shqiptare është e detyruar të gjejë referencat e veta, si edhe përvojë të çmuar praktike dhe konceptuale. Sidoqoftë, as që mund të diskutohet që terreni shqiptar dhe ai Perëndimor i politikës ende janë shumë larg prej njëri-tjetrit.

Krahas bashkëpunimeve të suksesshme, në këtë marrëdhënie të politikës shqiptare me partnerët e vet të huaj ka edhe kufij që me gjithë dëshirën e mirë të dy palëve nuk mund të kapërcehen. Me një fjalë, është e pamundur që disa përgjegjësi që u takojnë aktorëve politikë të brendshëm, këta të fundit t’i transferojnë te partnerët politikë ose kulturorë, apo ekonomikë të jashtëm. Në disa raste duket sikur i huaji konsiderohet si ai që do ta zgjidhë problemin në vendin tonë, çka shpesh është një iluzion. Herë të tjera, kalimi i përgjegjësive te të huajt duket sikur përdoret si instrument legjitimimi i ndonjë zgjidhjeje, që në fakt, ndonëse duket sikur është parapëlqim i të huajve, përfaqëson në të vërtetë një zgjidhje shqiptare.

Ka ardhur një kohë pas njëzet vjetësh demokratizimi, që edhe publiku të jetë në gjendje të dallojë se ku thërritet i huaji si partner i fuqishëm dhe i pjekur për të ndihmuar dhe bashkëpunuar, ku orientimi drejt të huajit shfaqet më shumë si një teknikë legjitimimi të një vendimi, që në fakt është marrë nga politika shqiptare, ku thirrja për ndihmë nga të huajt është një kërkesë për arbitrazh duke zëvendësuar institucionet shqiptare. Në këtë mënyrë, disa strategji hapjeje ndaj mbështetjes së të huajve janë shumë të domosdoshme dhe të dobishme, kurse disa të tjera duket sikur nuk janë të gjetura në krahasim me kohën kur jetojmë.

U diskutua për faktin nëse salla e Kuvendit të ri të Shqipërisë do të ndërtohet apo jo te e ashtuquajtura piramidë. Do të prishet piramida për të hedhur themelet e ndërtesës së re, apo do të modifikohet ndjeshëm ajo? Në takimin shtetëror të organizuar lidhur me këtë qëllim, të transmetuar në televizion (nuk dihet se përse), pjesëmarrësit duket se ranë dakord që për këtë dilemë të vendosin studiot e huaja arkitekturore që do të ftohen të marrin pjesë në konkursin ndërkombëtar për këtë qëllim së afërmi. Sigurisht, fakti që konkursi do të jetë ndërkombëtar është një gjë pozitive, sepse ashtu e kërkon rasti dhe rëndësia e tij. Mirëpo, ka edhe diçka që ia vlen të diskutohet. Asnjë studio arkitekturore fituese nuk mund të vendosë në mënyrë finale nëse piramida duhet prishur apo duhet modifikuar. Arkitekti bën propozimet e veta, por vendimin nuk mund ta marrë asnjëherë ai, por financuesi i projektit të ndërtimit, pra faktori politik në Shqipëri. Ndërtimi i një kompleksi parlamentar nuk është si një ushtrim ku 2+2=4, dhe këtë gjë e di matematicieni dhe jo politikani. Nuk ka ligje të hekurta në arkitekturë, pra në konceptimin e sipërfaqeve dhe volumeve të ndërtuara. Mund të ketë pa fund zgjidhje që përfshijnë si rindërtimin nga e para të një ndërtese të re, ashtu edhe modifikimin e thellë të kompleksit ekzistues. Ky është një vendim që i takon ta marrë politika dhe jo studioja arkitekturore e brendshme apo e jashtme, nuk është një koncept estetik i thjeshtë, por një teknikë vendimmarrjeje politike.

Këtu bëhen dy transferime të njëpasnjëshme, si pa u kuptuar. Nga njëra anë, transferohet një vendim që i takon politikanit te arkitekti, nga ana tjetër transferohet një vendim që i takon ta marrë shqiptari në duart e një të huaji.

E shumta që mund të bëjë studioja arkitekturore përkatëse është të nuhasë sesi ka më shumë mundësi që ta fitojë konkursin, dhe pastaj do të përzgjedhë atë variant që, sipas saj, ka shanse të vlerësohet më mirë nga punëdhënësit shqiptarë. Po kështu, mund të ndodhë që dy studio të ndryshme t’i paraqesin të dy variantet kontradiktore. Cilin prej tyre do të zgjedhë operatori vendimmarrës shqiptar?

Kjo, sa për të marrë një shembull ku transferohen përgjegjësitë, duket pa shumë justifikim.

Po kështu, javën e fundit u mbajt mbledhja e komitetit të stabilizim asociimit, me pjesëmarrje eurodeputetësh. Aktorët politikë shqiptarë paraqitën përpara tyre përsëri të njëjtat pamje kontradiktore të problemeve, si edhe treguan pamundësi të konsiderueshme për t’i zgjidhur problemet e transparencës së zgjedhjeve, si edhe të funksionimit parlamentar.

Por, ka vend të shtrohet pyetja: A është e mundur që eurodeputetët e nderuar pjesëmarrës në atë mbledhje ta zgjidhnin problemin në vendin tonë? E pamundur. Edhe në këtë rast, harxhohet kohë dhe mund i kotë, sepse gjetja e një kompromisi të duhur është një përgjegjësi e politikanëve shqiptarë dhe jo e partnerëve tanë politikë të huaj.

Çfarë mund të bëjnë miqtë tanë të huaj, nëse aktorët politikë shqiptarë nuk e kanë vullnetin dhe nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje ligjore dhe konsensuale për problemet që po zvarrisen prej një viti e gjysmë? Nuk besoj se mund të bëjnë gjë më tepër sesa kanë bërë.

Kështu shpjegohet edhe të folurit i tyre shumë i matur dhe me terma të përgjithshëm. Zonja Doris Pack citohet të ketë thënë gjatë mbledhjes në fjalë se duhet bërë transparenca për materialet zgjedhore. Por secila palë i interpreton këto fjalë sipas qejfit të vet. Gjithë puna këtu është, të përcaktohet se çfarë kuptohet me materiale zgjedhore. Kuptohen vetëm listat zgjedhore, apo edhe votat brenda në kuti?

Fraza e thënë këtë nuk e ndan, sepse, në fakt, nuk mund ta ndajë. Prandaj mbetet larg dëshirës së kotë të aktorëve politikë të brendshëm, të cilët kërkojnë pa shpresë t’i tërheqin të huajt në qëndrime konkrete, të specifikuara, të detajuara, në përfitim të njërës apo tjetrës anë.

Ka vite që po kuptohet se kjo është e pamundur. Partnerët dhe miqtë tanë të huaj as nuk dëshirojnë dhe as nuk munden t’i zëvendësojnë institucionet shqiptare. Le të mos u ngjajmë atyre fiseve të vjetra në ishujt e Paqësorit që mitologjikisht presin nga deti të vijnë shpëtimtarët për të krijuar mbretërinë e qiellit në Tokë. Hedhja e përgjegjësive te tjetri është një prirje e lashtë psikologjike.

Partnerët tanë ndërkombëtarë e dinë se sa herë që do të tentonin të zëvendësonin institucionet shqiptare, aq herë do të kontribuonin për t’i nxitur vendësit për të mos i respektuar ato, pra për t’i lënë të pashëndetshme. Pastaj, ata nuk duan të marrin anë në mënyrë të prerë, meqë nuk dëshirojnë, sigurisht, që të interferojnë në skakierën politike shqiptare. Janë të kujdesshëm për të mos hyrë në debatin tonë politik të brendshëm, sepse pastaj, sipas këtij parimi, do t’u duhej të ndërhynin edhe në vende të tjera, duke tërhequr mbi ta pakënaqësi politike të njërit apo tjetrit krah të politikës vendëse. Për më tepër, kuptohet se miqtë tanë të huaj kanë arsye të mendojnë që duke i lënë shqiptarët të zgjidhin me vështirësi problemet e tyre, këta të fundit do e kuptojnë se cili është niveli real i demokracisë që kanë arritur të ndërtojnë derimëtani dhe se çfarë rruge u mbetet për të bërë. Aq më shumë që situata politike në Shqipëri nuk është në qendër të jetës politike dhe ekonomike ndërkombëtare, sepse atje, në këtë rrafsh, ka probleme krejt të tjera për të diskutuar. Problemi i brendshëm politik shqiptar nuk është veçse një pikë ujë në oqeanin e madh të ndërlikimeve të sotme globale.

Prandaj, influenca shumë e butë dhe shumë e tërthortë e ndërkombëtarëve në problemet e sotme politike në Shqipëri, të pakuptueshme për ta, por edhe për qytetarin e thjeshtë shqiptar, i cili e shikon politikën me habi dhe zhgënjim, ka kuptimin e vet, nuk mund të jetë ndryshe, në atë shkallë saqë nuk mund t’u kërkohet të huajve të zgjidhin për ne, në vendin tonë, problemet që i kemi krijuar vetë ne. (mapo)
Shtuar më 09/11/2010, ora 09:37
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori