Të "dënuar" për të bërë kompromis
Pëlqej
Albeu.com
Po bëhen pothuajse 18 muaj qëkurse dy partitë kryesore politike në Shqipëri janë në një tension të hapur. Partia Demokratike që kryeson administrimin e punëve publike dhe Partia Socialiste që drejton opozitën e sotme shqiptare, nuk arrijnë të bëjnë që sistemi të funksionojë normalisht.

Ndodhi si ndodhi, ishte apo nuk ishte faji i këtij apo atij, një gjë është e pakundërshtueshme, se pas një viti e gjysmë kohë politike qytetari shqiptar e ka paguar jo pak shtrenjtë këtë mungesë marrëdhëniesh normale të institucionalizuara mes qeverisë dhe opozitës. Jo vetëm nga pikëpamja e stresit kolektiv psikologjik që vjen nga debatet dhe sulmet reciproke politike në hapësirën publike mes përfaqësuesve të kampeve politike të kundërta, por edhe nga mosfunksionimi i plotë i Kuvendit, apo nga bllokime të tjera institucionale. Mbi të gjitha, agjenda e diskutimit publik dhe politik është mbetur si orë e vjetër te historia e një vitit e gjysmë më parë dhe kështu nuk kanë mundur të eksplorohen alternativa të reja, në përputhje me modelet e qeverisjes apo të zhvillimeve sociale dhe kulturore apo ekonomike të shoqërisë shqiptare. Është bllokuar aparati gjenerues i përqasjeve të reja të zhvillimit shoqëror.

Ndërkohë që po afrojnë zgjedhjet për pushtetin vendor, duket se situata mbetet e bllokuar, gjithashtu dhe mosmarrëveshjet të ngrira si më parë. Deklaratat e fundit të lidershipit opozitar, fjalori i ashpër në Kuvend për rastin e kalimit të buxhetit vjetor, nisja në Elbasan e mitingjeve nën shi dhe në të ftohtë me një numër të caktuar militantësh lokalë, lenë të duket se partitë politike kryesore të vendit qëndrojnë kokëfortë në moskuptimet e tyre.

Megjithatë, pas deklaratave dhe kundërdeklaratave, një gjë është e qartë dhe nuk mund të jetë ndryshe: Partitë politike kundërshtare janë të dënuara, në kuptimin se janë të shtrënguara me ose kundër vullnetit të tyre, me hir ose me pahir, që të bien në marrëveshje së paku për asgjë tjetër, por për të organizuar zgjedhjet për pushtetin lokal që bëhen në majin e vitit të ardhshëm.

Ky është edhe fundi i kalendarit të mosmarrëveshjeve institucionale, ndonëse pas këtij pragu përsëri do të njohim zhvillime të reja, tensione ndoshta të reja, dhe debat politik të tensionuar.

Asnjëra nga partitë politike, as Partia Demokratike që ka qeverinë dhe pushtetin qendror në kontrollin e saj, as Partia Socialiste në opozitë, por që qeveris pushtetin lokal në bashkinë e stërmadhe të Tiranës, një territor me pasuri dhe kapitale kolosale, dhe në një sërë qytetesh të tjera, nuk janë aspak në luksin që t’i lënë këto zgjedhje pa i organizuar. Janë të detyruara të shkojnë atje. Por, për këtë janë të detyruara të bëjnë një kod elektoral ose ta mbajnë në fuqi ekzistuesin, sado i mangët dhe i keq që është ai, pra do të shihet sesi do të bien në ujdi për aspektin dhe kuadrin formal të organizimit të zgjedhjeve.

Pas syve të ndezur të pasionit politik konfliktual, poshtë ose sipër tavolinave rrethore duken virtualisht mezi të përmbajtura nga padurimi për t’u takuar në një farë mënyre duar të shtrira mirëkuptimi.

Përse?

E para, sepse të dyja partitë kanë interesa të fuqishme në pushtetin lokal dhe kanë përfaqësime të konsiderueshme atje, në çdo komunë dhe qytet. E dyta, sepse me këto zgjedhje janë të lidhura interesa të një elektorati që përbën energji demografike dhe politike qendrore për secilën nga partitë politike në Shqipëri. Mbi të gjitha, Partia Socialiste nuk mund të lejojë për veten e saj luksin që të mos paraqitet në këto zgjedhje, sepse përndryshe mund të ndodhin dinamika të paparashikuara atje, ku sikurse në Lushnjë apo gjetiu, forca të tjera politike mund të zotërojnë hapësira politike më të gjera të lëna bosh prej saj. Po kështu, së treti, lidershipi socialist nuk mund ta lejojë që, në kushte vonesash në zgjedhje, të bëjë që kryetari i bashkisë së Tiranës, që mbahet si post nga kryetari i Partisë Socialiste, të ketë lëkundje në legjitimitetin e tij. Interesimi është për një status pushtetor të pastër dhe pa hije legjitimiteti, që mund të vijë nga vonesa të ndryshme apo mangësi në kuadrin e strukturave juridike apo politike elektorale. E katërta, sepse edhe Partia Demokratike, duke qeverisur vendin, nuk mund të pranojë që të dalë para publikut shqiptar dhe përfaqësuesve të partnerëve tanë ndërkombëtarë me pafuqinë për të organizuar zgjedhje politike. Pavarësisht se kush do ta kishte fajin nëse gjërat do të rridhnin paradoksalisht keq, përgjegjësinë për një proces zgjedhor normal e ka kryesisht pushteti qendror dhe shumica parlamentare.

Detyrimi për të rimarrë mandate politike në pushtetin lokal është pika më e ulët e pragut brenda të cilave partitë politike veprojnë. Po të mos organizojnë dot as zgjedhjet, partitë politike rrezikojnë të presin përfundimisht degën e pemës mbi të cilën kanë hipur. Asnjëra prej tyre nuk dëshiron dhe nuk guxon të shkojë deri në këtë pikë për ta shndërruar deri në këtë formë konfliktin politik të tanishëm. Në atë rast të keq nuk do të ishte thjesht Avokati i Popullit që nuk do të funksiononte, a ndonjë gjykatë administrative, apo diçka tjetër, ndonjë seancë parlamentare që do të prishej, por do të rrëzohej vetë sistemi i partive politike, gjë që askush nga dy partitë nuk e dëshiron dhe nuk është gati t’i paguajë harxhet.

Prandaj, ndodhemi në një pozitë disi paradoksale dhe komike. Partnerët ndërkombëtarë nuk i detyruan dot partitë shqiptare të merreshin vesh. Nuk besoj se edhe harxhuan shumë energji për ta realizuar këtë punë! Sistemi shqiptar ka treguar se funksionon edhe nëpërmjet mosfunksionimit.

Mediat dhe opinioni publik shqiptar nuk i detyroi dot gjithashtu partitë politike që të merreshin vesh. Mediat, përkundrazi, funksionojnë më mirë dhe shpresojnë të rrisin audiencën dhe fitimet, rolin e tyre në shoqëri, më shumë kur ka tensione politike sesa kur ka qetësi. Por edhe opinioni publik më tepër druan kur partitë merren vesh për gjithçka, sepse kështu pluripartitizmi zhduket përnjëmend, sesa kur partitë nuk merren vesh, sepse së paku sheh më qartë se ku fle lepuri, aferat, pikat e dobëta të sistemit dhe të çdo politikani. Kjo është një shoqëri që ka fituar gradë lirie vetëm nëpërmjet krizash politike dhe jo nëpërmjet stabilitetit të pushtetit.

Aktorët ekonomikë dhe sipërmarrja shqiptare nuk qe në gjendje të bënte që t’ia u mblidhte partive politike që këto të merreshin vesh. Përse? Sepse një pjesë e madhe e sipërmarrjes është e lidhur dhe nën sqetullën e politikës. Një pjesë tjetër nuk ka ende ambicie politike apo strategji komunikimi politik. Komunitetet fetare as që mos i zëmë në gojë, sepse kënaqen hëpërhë vetëm me ndonjë qokë që bëjnë politikanët në selitë e tyre në raste festash fetare.

Kush mund t’i sillte partitë politike në rrugën e ujdisë racionale?

Universitarët?

Bota universitare është në pështjellim për vete dhe ende nuk ka standarde organizimi, me përplasje mediatike brenda vetes, ende pa një mendim të qartë shkencor kombëtar.

Për të mos folur për Akademinë e Shkencave!

Kush atëherë do t’i vinte partitë politike në një pozicion marrëveshjeje për çështje themelore?

Paradoksi mbetet i qartë: Vetë partitë politike do të bien në ujdi, se ato janë të dënuara për t’u marrë vesh, se nuk mund të mos merren vesh për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin lokal.

As Presidenti i Republikës nuk mund t’i sillte në një kompromis. Ai dështoi, sepse nuk ka asnjë fuqi mbi sistemin politik shqiptar. Nuk mund ta shpërndajë Kuvendin në kushte krize të zgjatur. Këtë pushtet ia kanë hequr vetë kryetarët e partive kryesore politike.

As aleatët politikë të partive kryesore nuk luajtën rol për kompromis, sepse ata shpesh nga kriza mes partive politike të madha mbijetojnë dhe arrijnë të kenë pushtete, kompetenca, influenca. Pretendime.

Po qytetari individual? Kush e pyet atë! Ai është i vasalizuar politikisht dhe mediatikisht. E shumta, ka të drejtë të ndjekë spektakle politike në mbrëmje vere a dimri në televizion. Tanimë që edhe Portokallia duket se po përjeton ditë të vështira.

Në ujdi kompromisi, në javët dhe muajt që presim, do të vijnë vetë partitë politike, të shtyra nga askush tjetër veç vetes së tyre.

Partitë politike te ne janë shkak i lirë që nuk përcaktohet nga asnjë shkak tjetër veç vetes së vet!

E ka fare kot kushdo që kërkon të mbivendoset mbi to për të ushtruar pushtet. Ne kemi një sistem shumëpartiak tepër të zhvilluar, pothuajse të pakufizuar, por ende jo një shtet të së drejtës apartiake. Si mundet t’i kishim të dyja?! O njërin ose tjetrin!

Nuk mund të pranojnë partitë politike asnjë pushtet tjetër mbi to, këtë ka treguar ky vit e gjysmë, sepse a nuk është sistemi politik dhe institucional shqiptar thelbësisht partiak? Kush mund të jetë sipër partive?

Sipër partive janë vetëm partitë.

Ato nuk mund t’i lejojnë vetes vetëm një gjë: Të mos bëjnë zgjedhje politike. Po të ndodhte kjo, e pamundur, atëherë partitë do të firmosnin me dorën e tyre dështimin e sistemit shumëpartiak në vend, pra fundin e tyre.

Pra, tanimë ka vetëm një zgjidhje. Qytetarët dhe aktorët e tjerë jashtëpartiakë nuk ka nevojë të bëjnë më sikur po përpiqen të zgjidhin konfliktin politik, as parlamentarët, as të huajt, as Presidenti, as shoqatat, as mediat, aq më pak qytetari... Sidomos qytetari, tani më në fund ka radhën të qëndrojë në pritje (se mos pati fuqi të lëvizë!), sepse vetë partitë politike, për interesat e tyre, do të bien në atë që quhet konsensus minimal, do të merren vesh për kuadratin ligjor për zgjedhjet a ardhshme. Tani janë duke kërkuar vetëm pretekstin për t’u marrë vesh. Dhe kur e do një gjë, çdo pretekst është i pranueshëm, i vlefshëm.

Tani e tutje të gjitha konfliktet politike do të jenë vetëm mbulesa të dëshirës për të rënë në ujdi. Vetëm lëvizje për ta shitur sa më shtrenjtë politikisht kompromisin e vet dhe për ta blerë sa më lirë kompromisin e tjetrit.

Janë të dënuara të merren vesh!

Përndryshe, sistemi u del tërësisht nga dora dhe faturën më të rëndë do ta paguanin vetë ato.
Shtuar më 29/11/2010, ora 11:52
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori