Piramida
Pëlqej
Albeu.com
Pasi ideja e prishjes të ndërtesës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e quajtur në zhargonin tiranas “Piramida”, u debatua furishëm, me pasion dhe kaloi në sallën e Kuvendit, çështja doli sigurisht edhe në ekranet televizive.

Sigurisht për t’u ndërlikuar edhe më.

Në fakt, shpesh, duhen mbushur me diçka orët e programimit televiziv. Ne mërzitemi ndoshta nga disa debate pa fund, por redaksitë televizive kënaqen, lumturohen, sepse programi mbushet. Dhe po të ankohemi se përse humbim kohë me debate kaq gjatë, atëherë edhe pyetja që na kap “mat” është e menjëhershme “Kur nuk i pëlqeni emisionet tona, atëherë përse na shikoni? Ky është sekreti i mediave televizive, ato të ngulin përpara ekranit si për të shijuar të bukurën dhe interesanten, ashtu edhe gjërat pa shumë interes.

Të prishet apo jo ajo ndërtesa, e cila sipas zhargonit të rinisë tiranase u quajt “Piramidë”?

Sipas meje, ajo ndërtesë dhe fati i saj nuk ka vend të politizohen.

Është një çështje thjesht urbanistike, kaq anësore, çështje financiare dhe arkitekturore, pra, por amà aspak politike. Sipas meje, piramida as nuk ka simbolizuar diktatorin, sikurse shprehen antikomunistët, as nuk ka simbolizuar udhëheqësin, sikurse mund të shpreheshin kundërshtarët e tyre. As njërin dhe as tjetrin. Për një arsye të thjeshtë, sepse aty, te piramida, vetëm nga fundi i jetës së regjimit monist u ndërtua një bina e madhe, vlerat arkitekturore të së cilës nuk i kam kuptuar kurrë, sepse nuk jam fare arkitekt, funksioni i së cilës, si muze, nuk zgjati veçse dy a tri vjet. Ndërtesa në fjalë në asnjë rast nuk u asociua me përfytyrimin imagjinar të relikteve që mbante brenda saj nëpër vitrina. As nga komunistët e atëhershëm dhe as nga antikomunistët.

Mbi të gjitha, ndërtimi i një binaje të tillë në ato vite shihej me ironi nga popullsia që nga njëra anë vrojtonte sesi partia në fuqi po dorëzonte pushtetin dhe po largohej me rendje të paniktë nga parametrat ideologjike që përfaqësonin reliktet e atij që u quajt muze, dhe nga ana tjetër shihte me lemeri sesi në kushtet e një krize edhe për bukën e gojës, që pllakosi në Shqipëri në ato vite, pushteti i tërhequr nga grandomania harxhonte hekur, beton, mermer etj., për të ndërtuar fasada arkitekturore, ndërkohë që dihet nga të gjithë se e thjeshta është e bukur.

Aq më shumë që si ndërtesë, si praktikë, si akt, ndërtimi i piramidës nuk kujtonte aq shumë njeriun që i mbante emrin, por ishte shprehje e manipulimit dhe e frikës së udhëheqjes të atëhershme për t’i dhënë kurajë vetes nëpërmjet ndërtimit të veprave faraoniake, solide, të çpërmasuara, gjigante, shtypëse për vështrimin qytetar, ndërkohë që psikologjikisht, kolektivisht, grupimi drejtues ndodhej nën një pasiguri të konsiderueshme e ankth për fatin e vet nga ndryshimet gorbaçoviane dhe më pas të atyre në Lindje. Frikën politike dhe ankthin psikologjik kolektiv që kishte pllakosur kërkonte ta nxirrte jashtë, ta “eksorcizonte”, nëpërmjet ndërtimeve gjigantomane pa asnjë funksion dhe rendiment as politik, as propagandistik, as ekonomik. Një “autogol” propagandistik – ky ishte në atë kohë ndërtimi i piramidës.

Po kështu, ndërsa përpiqej, mesa i vinte ndoresh, për të transformuar diçka nga sistemi i mëparshëm, grupit politik drejtues të kohës i duhej të kënaqte edhe pritshmëritë e një pjese konservatore të shoqërisë që mendonte se historia duhej të ndalte menjëherë pasi u vendos pllaka e fundit e mermerit të piramidës.

Nëse ngjarjet e kaluara politike do t’i quajmë, sikurse bëjnë disa, si “trashëgimi kulturore e popullit”, atëherë me sinqeritet dhe ndershmëri duhet të pranojmë se piramida shenjon pikërisht këtë çast politik degradues në të gjitha kuptimet e veta dhe asgjë tjetër. Si simbole, për një brez nostalgjik apo të traumatizuar në kujtesë, shumë më tepër vlera sesa ajo kanë hekurudhat që tashmë janë mbuluar me ferra, hidrocentralet nga të cilët ende marrim energji elektrike, e për ata që kanë vuajtur, si simbol i së keqes janë shumë më tepër kampet dhe burgjet.

Pasi barazojnë ndërtesën me reliktet që ajo ka mbajtur brenda, përziejnë gjithçka tjetër. E quajnë “trashëgimi kulturore”.

Por, çfarë kujtese historike përfaqëson ajo ndërtesë?

Ta shohim me realizëm dhe të mos e krahasojmë me bunkerin e Hitlerit në Berlin, që disa paskan pasur kohë dhe dëshirë për ta vizituar. Të paktën duhet pranuar se aty, brenda saj, nuk ka ndodhur asnjë ngjarje historike e shënuar për kombin. Veç ndonjë puthjeje si të fshehtë që ndonjë vajzë e re i ka rrëmbyer shpejt e shpejt ndonjë djaloshi, ulur të dy rreth tavolinave, fshehur pas shtyllave, në kohën kur gjatë tranzicionit aty gëluan kafe ku kutërbonin nga larg aroma të pakëndshme wc të bllokuara.

Nuk paragjykoj fare kur them se në piramidë nuk ka ndodhur asnjë ngjarje, që disa mund ta quajnë shpëtimtare apo fatale për historinë e Shqipërisë. Në këtë kuptim, shumë më tepër kujtesë historike përmbajnë orendi fare të thjeshta, një stilograf, një palë pranga, një palë këpucë, një makinë shkrimi, disa kocka skeletike të gjetura në varre të përbashkët, sesa një bina ku nuk ka ndodhur asgjë thelbësore, as për mirë e as për keq, që do të quhej një ngjarje historike për kombin.

Pasi thamë se binaja nuk ka asnjë peshë politike, apo nuk përfaqëson asnjë vlerë në trashëgiminë kulturore, fjalën e kemi që të mos ngatërrohet ndokush. E prishin për të bërë një ndërtesë të re Kuvendi, apo nuk e prishin, dhe e lënë të rrënohet nga koha, sikurse kane bërë të gjitha qeveritë derimësot, edhe më keq sesa është braktisur, punë e tyre, por kujtesë historike ajo nuk përmban.

Tjetër punë ana financiare pastaj. Pa asnjë lidhje me radhët e para të këtij shkrimi.

A duhej që të bëheshin ato shpenzime që thuhen se janë bërë për sallën aktuale të Kuvendit, apo për ta kthyer piramidën në teatër, ndërkohë që befasisht u vendos që ajo të prishet për t’u bërë ndërtesë Kuvendi?

Përsëri arsyetimi është pa pikë lidhje me vetë piramidën. Kush i ka bërë ato shpenzime le të japë përgjigje. Por, shpesh, çdo administrator i mirë e di, se ndodh një nisesh për të bërë një investim, i hyn një rruge, dhe pastaj gjatë realizimit të saj, vijnë rrethana apo ide të reja dhe rruga ndryshon. Firo financiare si këto nuk i ndalon dot kush. Biles do të ishte gabim që për shkak të disa shpenzimeve të bëra tashmë, të vazhdohen investime edhe më të mëdha, në projekte pa të ardhme.

Ku ka financime që mund ta kthejnë piramidën në një sallë teatri pa e përçudnuar krejtësisht atë nga jashtë dhe nga brenda? Apo rëndësi ka forma e jashtme, kurse nga brenda nuk ka rëndësi se e shprishim “trashëgiminë kulturore”?

Ku ka investime që mund ta kthejnë ndërtesën e një komiteti qendror stalinian në një hapësirë të ndërtuar për të mbajtur brenda saj një parlament demokratik?

Poqese dikush do ta realizonte dot këtë nga ana funksionale dhe estetike, do të meritonte një çmim të veçantë ndërkombëtar.

Pra, logjika nuk qëndron as kur ngatërrojnë prishjen apo ruajtjen e piramidës me përllogaritje financiare. Arsyeja është e thjeshtë: Meqë disa investime, qoftë edhe për utopi, kursime, a naivitet, u bënë në një drejtim të gabuar, kjo nuk na lejon dhe justifikon për të thënë se, meqë e nisëm kështu, ta çojmë gabimin deri në fund. Më mirë të ndryshohet drejtimi i investimeve, sesa të vazhdohet për të investuar pa kuptim.

Administratorët e dinë mirë që janë disa kosto vendimesh të ndryshuara, të cilat nuk do të mund të evitohen. Sa herë është hapur dhe mbyllur sheshi “Skënderbej” në pesëdhjetë vjet, biles edhe vitet e fundit, atje ku tani bëhen punime? Hap e mbyll, mbyll e hap. Edhe përsëri do të hapet më pas.

Më duket se po politizohet halli i një ndërtese që po degradon nga dita në ditë, duke e ngatërruar atë me emra personash që ajo ka mbajtur apo mban, pavarësisht se personat historikë në fjalë nuk kanë asnjë lidhje, as të afërt dhe as të largët me atë ndërtesë.

Puna është se në Tiranë nuk ke më ku ndërton asgjë në qendrën e saj historike të tanishme. Asnjë ndërtim nuk mund të bëhet pa prishur ndonjë karabina gjigante betoni, e lënë si gur në qafë nga koha apo e ndërtuar vitet e fundit. Tirana po shkon fatalisht drejt rithemelimit të qendrave të saj, pra drejt konfigurimit të hapësirave të veta urbane. Brezat që vijnë do të kenë dy rrugë: Ose do të prishin ato që ndërtohen apo janë ndërtuar deritanimë, ose do të ndërtojnë qendra të reja urbane, duke e braktisur atë që ne sot quajmë qendra e Tiranës. Piramida rezervon në vetvete një hapësirë të mundshme ndërtimi sot ose në të ardhmen. E rëndësishme, sikurse në piramidat mitike, nuk është ndërtesa për të cilën po debatohet, por trualli sipër të cilit ajo është ndërtuar. Konflikti për hapësira ndërtimi transformohet në një konflikt politik, me “simbole historike”, me “histori”, me “trashëgimi” etj.

E vërteta është se Shqipëria ka nevojë për një ndërtesë të re Kuvendi. Te piramida apo gjetiu. Kjo është punë e pushtetit ekzekutiv dhe nuk ka vend të merret Kuvendi me të. Kuvendi tani po uzurpon edhe kompetenca që nuk i ka fare, sikurse është vlerësimi historik i ndërtesave, planimetria e Tiranës, arkitektura etj. Qytetarët nuk i paguajnë për këto debate parlamentarët.

Shqipërisë i duhet një investim për së mbari për një ndërtesë Kuvendi. Qeveria, nëse i ka paratë, le të na e bëjë për ta përdorur atë sa më shpejt. Por, vetëm në bazë të një parimi. Ndërtesa e Kuvendit duhet konceptuar si e qytetarëve dhe jo thjesht e deputetëve. Kuvendi nuk është tempulli ku rrinë deputetët. Arkitektura, zgjidhja urbanistike, planimetria, interieret etj., duhet të plotësojnë këtë parim. Me parkingje nëntokësorë në mënyrë që të mos ndotet mjedisi dhe prishet peizazhi nga mori veturash luksoze, që përndryshe do të parkoheshin jashtë, nëpër rrugët rreth e rrotull.

Me mundësi që brenda saj të instaloheshin qendra informacioni, kanale televizive, salla konferencash, me gazetarët, që tani i marrin intervistat e tyre poshtë kangjellash me ndryshk.

Mbi të gjitha, një mjedis kuvendi ku të hyjnë qytetarët për të dëgjuar seancat e Kuvendit, pa pasur nevojë për ftesa speciale a të përzgjedhur si “qytetarë të mirë”, dalluar nga një “turmë anonime”, që nuk qaset në asnjë institucion.

E mbi të gjitha, një qendër sociale që të riprodhojë brenda saj një qytet, vend aktivitetesh i shoqërisë civile, strehë për artistë e aktivitete intelektuale, salla mbledhjesh për aktivitete politike partish, shoqatash, koncerte etj., e hapur pra ndaj qytetit dhe qytetarëve.

Kjo është detyra e grupit konceptues dhe realizues. Qytetari ka nevojë të dijë nëse ndërtesa e re e Kuvendit që planifikohet të ndërtohet do t’i realizojë apo jo këto parametra demokratikë. Ky është problemi i vërtetë. Problemi në këtë rast është se çfarë do të ndërtohet dhe jo se çfarë prishet. Nëse i realizon këto parametra, do ta ketë jetën e gjatë. Do t’i shërbejë demokratizimit të vendit. Sepse ndërtesa e Kuvendit nuk është salla e deputetëve, është, përkundrazi, një kompleks i tërë që bën pjesë në mekanizmat e procesit demokratik. Poqese nuk bëhet e tillë, edhe ajo, pas disa dekadash, do të ketë përsëri fatin e piramidës së tanishme, në mos më keq. Nëse, larg qoftë, konceptohet e ndërtohet si “bunker”, i shkëputur nga jeta e polisit dhe nga qytetari, atëherë vërtet, veç të tjerave, do të na vinte keq që piramidën e tanishme e prishëm, dhe do ta kujtonim me nostalgji duke thënë : “Aty dikur ka qenë piramida, e prishën kot !”.
Shtuar më 01/11/2010, ora 10:05
Tage: Artan Fuga
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori