Kur një reformë mbështetet mbi një plagjiaturë !!!
Albeu.com
Eshtë e qartë tashmë për këdo që nuk përton të kërkojë sadopak në Internet, që drafti i reformës universitare propozuar nga një gjoja komision, (deklarohet se përgjezdhjet e antarëve të tij i ka bërë kryetari i tij) gjoja i pavarur,(funksionon brenda aksionit të dikasterit përkatës dhe nën presionin e një lobingu privat), është një kopje e hallakatur e dokumentit strategjik të Fondacionit Soros, hartuar në vitin 2012.
Nuk ka asgjë të keqe as fakti që Fondacioni Soros ka ndërmarrë këtë nismë përpunimi strategjie ca vite më parë, as vetë Fondacioni Soros. Të paktën unë nuk e them dot sepse për katër vjet kam qenë antar i bordit të tij. Nuk ka asgjë të keqe përkundrazi që edhe autorët Arbër Mazniku dhe Gjergj Filipi kanë punuar për të, jo vetëm sepse priteshin kontribute të reja, por edhe sepse në shoqërinë e hapur gjithkush shpreh idetë e veta dhe dialogu dhe debati qytetar është i mirëpritur.
Pra e keqja nuk qendron, as te "Sorosi", as te platforma e tij për arsimin e lartë, as te autorët e tij.
Këtu e mbyllim.
Problemi qendron fare gjetiu. Jo te "Sorosi", por te kryetari i komisionit të draftit që në fakt na ka dhënë një tekst që nuk është tjetër veçse një mbushje me ujë e një lëngu limoni të shtrydhur në një gotë duke na dhënë një limonatë pa shije dhe bajate.
Fondacioni "Soros" si me tradita ultraliberale ka të drejtë të përpunojë gjithë idetë që dëshëron dhe ta ushqejë shoqërinë me to. E drejta e Zotit.
Por, kur një komision i ngarkuar nga fuqia publike për të menaxhuar në ide një të mirë publike ndikohet deri në riprodhim vetëm nga një pol ndikues i shoqërisë këtu fillon edhe shkelja e etikës, edhe shkelja e metodologjisë. Këtu shkelet edukata minimale qytetare. E pakta që duhej të bënte kryetari i komisionit ishte të konsultonte atëhere të gjithë operatorët që kanë ide dhe janë të detyruar të kenë ide mbi arsimin universitar. Përndryshe tregohet i njëanshëm.
Të njejat ide edhe te drafti i kryetarit të komisionit edhe te teksti i staretgjisë të "Sorosit" para disa vitesh : universitetet publike trajtohen si ndërmarrje private, thërmim i buxhetit publik te privati, detyrim i studentë për të marrë kredi për ta larë për 25 vjet (!!!), e të tjera nga këto ide që në Shqipëri funksionojnë poaq sa funksion edhe treni, futbolli, prodhimi i filmave, punësimi, etj.
Puna është se kryetari i komisionit të draftit ka bërë edhe një gabim tjetër të rëndë logjik që "Sorosi" si partizan i filozofisë të Karl Popperit e di mirë se nuk duhet bërë : Ka ngatërruar vitin 2012 me vitin 2014.
Kur e kam dëgjuar vetë zotin Soros në Budapest duke folur para disa vitesh, ai gati sa nuk deklaroi hapur se ideja e tregut të lirë pa ndërhyrjen e shoqërisë ka dështuar. Jo gati sa e tha, por në fakt e mbrojti këtë ide. 2012 - kriza ende nuk kishte pllakosur ende në Shqipëri. Tani dy vite më pas, t'i biesh fyellit të parakrizës, kur edhe operatorët privatë gati janë në prag të falimentimit, kanë urgjencë të tmerrshme për fonde sepse nuk i thithin më dot nga studentët - do të thotë ta gjeneralizosh krizën si kanceri, çka thonë se vepron njësoj si te njeriu si në ekonomi, ta zhytësh edhe publikun te kriza financiare e ndonjë privati këtu a atje.
Kur i kërkuam kryetarit të komisionit të draftit që të na jepte referencat ku mbështetej kuptonim mirë se cfarë i thoshim. Gjëja më e parë është që kryetari i komisionit duhet të tregonte se ku ishte mbështetur për të hartuar tekstin e tij dhe jo të fshihte gjurmët. Unë nuk kam asnjë fakt që të them se është një plagjiaturë e qëllimshme, nuk shkoj dot aq larg, por di që dëshmon se nuk e ka njohur evoluimin e ideve dhe nuk ka dashur ta njohë. Plagjiaturë idesh me ose pa dashje sigurisht që ka dhe kjo shkel etikën qytyetare dhe universitare. Kanë të drejtë studentët që kërkojnë shkrirjen e komisionit, por unë mendoj se abuzimi moral dhe profesional është kryesisht i kryetarit të komisionit.
Mjafton të shkonte në zyrën e zotit Arbër Mazniku, aktualisht zëvendësministër i arsimit për ta pyetur, informuar dhe orientuar në mënyrë që të kursente kohë dhe mund e mos na jepte diçka që e dinimi prej kohësh. .
Sepse kështu i bie të ketë zbuluar një gjë që ne rreth "Sorosit" e dinim prej kohësh, ide të tejkalauara, të hedhura në tavolina e KALSH -it vite më parë dhe të hedhura poshtë tërësisht, biles edhe me aprovimin e ndonjë antari të sotëm të komisionit. Dhe thonë që kanë konsultuar ish Kalsh-in. Gënjeshtra! Për këtë më mirë të pyesnin se i zbrapsi këto ide Kalsh edhe kur ministri i atëhershëm ishte i detyruar nën presionin e lobingut privat t'i shtronte në mbledhje.
Nuk ka ndonjë për turp, jo, kryetari i komisionit të draftit që nuk ka përmendur dokumentin ultraliberal të "Soros"it, se nuk ka ndonjë gjë për të ardhur turp. Puna është se ai ka fshehur burimet, referencat, në rastin më të keq, dhe se i ka injoruar t'i gjejë kur ja kanë servirur në rastin më të mirë...
Jo për turp, se nuk ka ndonjë gjë për turp, por sepse po të dilte lidhja me draftin e "Sorosit", kryetari i komisionit, do të detyrohej të pranonte se komisioni i tij nuk ishte origjinal në punën e bërë, do të pranonte se ishte nën ndikimin e agjencive ultarliberale, pra kishte konsultime të njëanëshme, si edhe nuk kishte bërë gjë tjetër veçse atë që zëvendësministri i arsimit, zoti Arbër Mazniku, tashmë e kishte kryer për bukuri si punë para tre vjetësh.
Ja pse nuk ka të keqe as "Sorosi" në vetvete, as teksti - platformë i tij, as autorët Mazniku - Filipi, kanë bërë punën e tyre, për të hequr kapelen, ndonëse unë jam krejtësisht kundër ideve të tyre, por i respektojs e janë transparentë, kurse kryetari i komisionit ka shkelur me ose pa dashje deontologjinë e profesionit që si në Angli si në Francë, apo gjetiu, edhe në disa rrethe akademike shqiptare, në mos gjithandej, e kemi të shtrenjtë dhe nuk e shesim me asgjë....
Ka bërë plagjiaturë, me ose pa dashje, dhe prandaj ka shkelur etikën universitare, besimin e antarëve të komisionit, nuk ka qenë transparent me publiku, si edhe me vetë fuqinë publike që i ka mirëbesuar një mision përgjegjësia ndaj të cilit nuk shlyhet sa të jetë jeta...
(Marre nga profili i Prof. Artan Fuga, Facebook)
Shtuar më 09/06/2014, ora 11:05
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori