Ku po shkon gjuha politike?
Pëlqej
Albeu.com
Artan Fuga - Qysh prej zgjedhjeve të qershorit 2008, gjuha politike midis deputetëve të partive në qeverisje dhe atyre në opozitë ka qenë e ashpër. Nga njëra palë dhe nga tjetra janë përdorur epitete, të cilat po të përdoreshin nga njerëzit që nuk merren me politikë, në jetën e tyre të përditshme, do të kishin përbërë fyerje të rënda. Zakonisht, mes popullit këto fyerje nuk kalojnë lehtë sepse mund të sjellin grindje dhe përplasje fizike mes individëve gjaknxehtë. Porse, në politikë, adresimi i një lumi akuzash kundër moralit, dinjitetit apo edhe familjarëve të njeri-tjetrit, është bërë një gjë e zakonshme. Duket se nuk shqetëson fort njeri, konsiderohet paksa si pjesë e punës dhe e zanatit të politikanit. Në fakt, kushdo që del në hapësirën publike për të thënë mendimin e tij, duhet të jetë i gatshëm për të duruar edhe adresime fjalësh që mund ta lëndojnë.

Përdorimi i një fjalori të rëndë, akuzues në rrafshin etik si “trafikant”, “antikombëtar”, “mafioz”, “hajdut”, “i korruptuar”, “bllokmen”, “drogaxhi” etj., është bërë një gjë mëse e zakonshme. Duket se zanati i politikanit duhet që krahas të mirave që i sjell individit edhe e bën pak pis, sikurse është i detyruar të ndotë rrobat dikush që punon në një minierë apo në bujqësi.

Paradoksale është se ata që shahen me njëri-tjetrin gjithmonë më pas kanë bërë edhe koalicione ose kanë bashkëpunuar mes tyre. Nuk i ka detyruar faza e shkëmbimeve të etiketimeve fyese për t’u bërë më pas bashkëpunues për këtë ose atë çështje apo për ta zgjidhur secilën prej tyre me konsensus.

Përgjithësisht ka njerëz që me të drejtë kërkojnë pak më shumë etikë në të folurin politik, në sallën e Kuvendit, apo në foltoret e zëdhënësve të partive politike. Shumë mirë e kanë, por analiza e një realiteti nuk është thjesht të thuash sesi duhet të jetë diçka. Kjo është njëra anë, ndofta më e lehta, problemi i vështirë është të sqarosh konjukturën reale, pra atë që është pjesë e realitetit. Vështirësia nuk është të tregosh tipin ideal të të folurit etik në politikë, por të sqarosh se përse ka devianca prej tij dhe shkarje drejt një të foluri që përbën agresion verbal ndaj tjetrit.

Nuk i drejtohet shpesh politikani politikanit: “Zotëri, më falni ju lutem, t’ju them se nuk e keni të drejtë mendimin tuaj !”, por ia përmbledh me fjalët: “Ik ore, trafikant, se e di unë se përse llomotit kështu ti!”. Njëri rrafsh është ai të foluri etik, ai që kërkojnë gjoja me idealizëm disa gjuhëtarë të mërguar që të implementohet, në fakt më kot dhe pa kuptuar asgjë nga realiteti shqiptar, kurse tjetri është i bazuar te një fjalor banal, i cili sado të mos jesh në një mendje me përdorimin e tij, përsëri ka nevojë ta shpjegosh.

Ky lloj fjalori hyri në Shqipëri qysh në fillimin e viteve nëntëdhjetë. Është fjalori ku aktorët politikë përdorin kryesisht metafora gjuhësore të marra nga gjuha e përdorur mes prokurorit dhe fajtorit, kriminelit. Gjuha politike kthehet në një simbolikë të ardhur nga fusha e akuzave me nëntekst ligjor pas. Atëherë shenjohej në këtë mënyrë, sepse simbolikisht konsideroheshin ish–komunistët me peshë faji nga e kaluara, çka mund t’i përballte, sipas palës kundërshtare, edhe me kuadrin e ri ligjor. Njëra palë e identifikonte veten me prokurorin në sallën e gjyqit, kurse pala tjetër, kundërshtare në politikë, vihej në rolin e genocidistit. Kjo gjuhë u kthye në një shkëmbim rolesh mes artikuluesve të saj, sepse pas 1997-s, janë të majtët ata që akuzojnë si genocidistë drejtues të partive në aleancë me demokratët, kurse këta të fundit përgjigjen si munden. Pasi një lloj gjuhe hyn në përdorim, ajo ka prirjen për t’u riprodhuar pafundësisht, sepse njeri kod gjuhësor sjell tjetrin që i vjen për shtat atij.

Përdorimi i një fjalori fyes në politikë, në fakt, ka të bëjë edhe me kalimin e një pragu psikologjik dhe etik në ndërgjegjen e një individi të dhënë. Vjen një çast që ky prag kalohet qoftë prej tjetrit, qoftë prej atij vetë, dhe pas kësaj kohe askush nuk e ka cipën aq të hollë sa të bëhet merak se përse e shajnë aq fort ose edhe përse shan të tjerët aq fort. Në mënyrë metodike dhe me sistem, ky lloj fjalori u bë i pranishëm në media dhe mori një hov të ri në kohën e KPD së famshme socialiste, ku Fatos Nano, pasi futi mediat në mbledhjet e instancës drejtuese të partisë së tij, përdori ofendimet etike gjilpëruese kundër atyre që konsideronte se ia kishin bërë borxh. Askush nga këta të fundit nuk pati guximin t’ia kthente fjalën me të njëjtën monedhë ose të protestonte. Heshtja iu duk se ishte përgjigja më e drejtë, nëse dëshironin të qëndronin në politikë.

Pas një pragu psikologjik fjalët fyese kanë më pak peshë mbi ndërgjegjen e kujtdo, sepse të përdorura me një intensitet të madh ato humbasin vlerën e tyre, janë pa ndikim mbi të tjerët që i dëgjojnë, veshi mësohet me to, dhe kështu ndodh procesi i kthimit të tyre në pjesë të një fjalori rutinë.

Kurdoherë gjuha politike simbolizohet me një fjalor termash që vijnë nga fusha të tjera. Ky është paksa si rregull dhe, sipas meje, vjen për arsye se i foluri politik konsiderohet si më i kuptueshëm për masat e gjera të publikut, nëse ai thjeshtohet sa më tepër. Sikurse kam shpjeguar në librin tim të fundit “Monolog”, në periudhën e shoqërisë totalitare gjuha politike përdorte terma të ardhur nga gjuha e strukturave të familjes patriarkale: “baba”, “vëllezër”, “motra”, “bij” etj.

Prandaj, ky lloj i foluri politik me fjalë fyese është çuditërisht edhe një lloj përpjekjeje për një kuptueshmëri sa më të gjerë nga ana e publikut.

Mbi të gjitha, gjuha e sharjeve reciproke në kohëra krizash politike është një mekanizëm strukturues ndaj elektorateve përkatëse, pra i ndan elektoratet e secilës parti politike me mure sa më të lartë virtualë. Pra, ka efekte paradoksalisht rregullues, ndarës, rreshtues mbi votuesit dhe militantët politikë, po sikurse ka pasoja përjashtuese mbi ata që duan të bëhen rishtarë në politikë. Duket si një prag i pamundur për t’u kapërcyer për njerëzit që do të mendonin që një ditë të merreshin me politikë. Ata, për këtë, do të duhej të paguanin një taksë morale të rëndë, pra, të pranonin që të ofendoheshin në publik. Kështu, fjalori etik fyes kryen edhe funksionin e një farë monopolizimi të fushës së politikës prej aktorëve që janë brenda saj, duke përjashtuar nga ajo fushë individë të tjerë që nuk janë në gjendje ta përballojnë ofendimin në publik.

Aq më shumë gjuha e politikës bëhet e tillë nën ndikimin e mediave. Është pamja e një debati politik të ashpër që politika duhet të japë përpara publikut me ndihmën e mediave. Është një lloj spektakli politik i përnatshëm që e mban publikun të lidhur me ekranet e televizionit, gazetat, dhe mbi të gjitha e bën aq sa mundet të jetë i interesuar për politikën. Përndryshe, ka rrezik që masa e jovotuesve apo e qytetarëve apatikë të shkojë në shifra edhe më të mëdha se 50 % e atyre që kanë të drejtë të votojnë.

Në hapësirën publike demokratike kushdo duhet të tërheqë vëmendjen e të tjerëve për t’u dëgjuar, tanimë që kjo hapësirë publike është bërë kaq e lirë. Ka një zhvleftësim të fjalës që shoqëron lirinë e saj në kushtet e demokracisë. Në këtë mënyrë, për t’u dëgjuar, për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, ka nevojë që fjala të shkojë drejt ekstremeve të fundit, ose duke ngritur zërin, ose duke i dhënë artificialisht kuptime të tejskajshme në planin psikologjik dhe duke e vendosur atë në ata parametra që për publikun përbëjnë skandal, pra i tërheqin vëmendjen.

Por, pas fjalëve nuk përjashtohet të ketë edhe akuza pjesërisht të vërteta, ose edhe tërësisht të vërteta. Në këto raste, fjalët fyese luajnë rolin e kërcënimit të tjetrit. Duket se secili u thotë të tjerëve: “Mos më detyroni të flas!” Në këto raste etiketimet sharëse dhe fyese në planin etik, në fakt, krijojnë një mur mbrojtës për politikanin apo deputetin që denigrohet moralisht, sepse çështja zhvendoset nga një problem që ka të bëjë realisht me akte të tij të dënueshëm nga kuadri ligjor ekzistues, në fyerje personale, të cilat nuk sjellin asnjë pasojë negative për askënd.

Gjithsesi, poshtë gjuhës së ashpër fyese diçka qarkullon si informacion për qytetarin. Prandaj paradoksalisht, aktualisht, në kushtet specifike të kohës dhe vendit ku jetojmë, qytetari më shumë ka interes që kjo gjuhë të jetë e pranishme sesa gjithçka të bëhet opake dhe politika të mbyllet krejtësisht në vetvete.
Shtuar më 22/11/2010, ora 15:59
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori