Cilët janë problemet e vërteta të shqiptarëve sot?
Pëlqej
Albeu.com
Problemi është se industrializimi sjell çindustrializim, pra papunësi në sektorët prodhues urbanë. Cili është pra modeli ekonomik që duhet adoptuar?
Problemi është se tregu krejt i lirë, i liberalizuar, sjell për pasojë lulëzimin e mashtruesit, dhe kapitaleve që nuk kanë vlerë shoqërore, por mbushin xhepat e disave. Tenderat e morrën në qafë demokracinë, jo tenderat e këqinj, por tenderat e telendisën.
Problemi është se konkurrenca e ndershme sjell uljen e fitimit, pra i shtyn biznesmenët drejt monopolit, tenderave të pandershem, fshehjes te fitimit, etj. Flitet për konkurrencë, por cdo gjë është monopol. Ose abathur ose duhet të blesh këpucë që kushtojnë sa tre palë këpucë në Berlin.
Problemi është se funksionari duhet të përfaqësojë qytetarin, por midis qytetarit brek-grisur dhe biznesmenit me xhepin plot, ky i fundit bën ligjin dhe e kthen funksionarin në shëbëtor të tij. Funksionarët e trajtojnë postin si sipërmarrje private me specifikat e veta.
Problemi është se qytetari duhet ta kontrollojë pushtetin dhe politikën me anë të votës, por në votime shkon pakica dhe akoma më shumë pakica voton për qeverisjen ciladoqofte ajo. Dhe ata qe votojne e shkembejne me premtime per seks dhe vende pune. Nuk ka kontroll qytetar mbi pushtetet dhe politikën.
Problemi është se jemi vend i vogël dhe i pazhvilluar prandaj në globalizim nuk konkurrojmë dot legjitimisht, e këndej konkurrojmë me hashash. Po shitemi lirë duke u trullosur nga trutë.
Problemi është se media që duhet të formojë ndërgjegjen qytetare, duhet të jetë në shërbim të qytetarit, kritike ndaj politikës e qeverrisjes, është vetë biznes dhe është aleate e politikës në ndarjen e pasurive dhe të pushtetit. Pra qytetari ushqehet me logjikën e nënshtrimit, ose e braktis median pra ndërgjegjen qytetare. Jetojmë mes gënjeshtrash.
Problemi është se Kuvendi (parlamenti) është një nga pushtet gjoja të ndara, por në fakt të gjitha pushtetet dalin andej dhe vetë parlamenti del nga lista e deputetëve që kontrollohet nga lidershipi i ngushtë i partive politike. Pra jemi nisur për shtet ligjor por kemi vetëm pluralizëm politik, pra luftë politike dhe sundim partiak. Pushtetet ndahen në shtet dhe bashkohen, bëhen njësh, te partia.
Problemi është se na duhet një qytetar i ditur, por të mësosh duhet të kalosh vite jete, lekë pa fund, dhe dijet që merr janë ideologjizma manipuluese, dhe nuk vlejnë asgjë në treg. Pra i dituri bëhet i varfër dhe i padituri ka shanse të pasurohet, e këtej lind shoqëria e injorantëve të pushtetshëm dhe e të diturve brekë-grisur. Ka opinione, por nuk dije.
Problemi është se njerëzit me vlera, ata që japin zekatin, ata që nuk synojnë gruan e fqinjit, që paguajnë taksa Cezarit, ata që shkojnë në Mekë, që ndajnë pasurinë me të tjerët, kurrë nuk bëjnë hajër në ekonominë e tregut, kurse egoistët, karrierristët, ambiciozët, perversët seksualë, maniakët e parasë bëjnë përpara. Pra, i miri shkon si bretkocë në fund të pusit, kurse i keqi këndon si gjel majë pusit.
Problemi është se problemet e vërteta nuk ka kush t'i shpjegojë, t'i zgjidhë, sepse shkolla merret me slogane, ideologjike, manipulon, shkenca është inekzistente, kurse mediat për hesap të politikës merren me e lagu e s'e lagu, e përdhunoi nuk e përdhunoi polici emigranten, e puthi në buzë apo deshte seks oral, u mbyll ky master apo u hap ky tjetri, kush ka diploma falco e kush i ka safi qelibar. Problemi është opozita është pozitë në krahun e vet dhe se kur të vijë në pushtet dëshëron të menaxhojë të njejtin sistem. Horizonti politik është mbyllur, kurse ne e duam të hapur.
O Zot!
Dhe Hegeli thoshte se cdo gjë reale është e arsyeshme.
Po, po, e paarsyeshmja ka arsyen e vet për të qenë reale.
Realja është e paarsyeshme, dhe e paarsyeshmja në këto kushte bëhet reale.
Problemi është se duhen zgjidhur këto 11 probleme, dhe jo 111111111 ... problemet e stisura me të cilat i vritet koha, truri, vullneti si qytetarëve ashtui edhe elitave të ndershme që janë pa gojë, pa veshë, pa sy, dhe (sikur kam parë versionin e fundit të majmunëve) edhe të kastruara, pra pa seks...simbolik.
Nuk zgjidhen problemet tona si ai doktori që kuron gripin e të sëmurit me kancer dhe i thotë : Kurajo, rrufa iku. Duhet atakuar tumori që na ka zaptuar, duhet rivendosur drejtësia sociale, demokracia, shteti ligjor, ndarja e pushteteve, ku nuk është dora e majtë që lan të djathtën as e djathta të majtën, duhet vendosur qytetari në qendër, duhet zëvendësuar drejtimi politik me drejtimin shkencor, përndryshe, degradimi do të vazhdojë duke u mbuluar me luftë politike qëprej gjasme, propagandë gjasme dhe ngopje me lugë të zbrazët si atëhere kur lajmi i mirë dhe sihariq ishte kur shokët e Shokut dërmonin pasi kishin zbuluar grupet armiqësore në një gijotinë të pamëshirshme lufte për pushtet.
(Marre nga profili i Prof. Artan Fuga në Facebook)
Shtuar më 29/08/2014, ora 11:40
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori