Bisedë në ajër për turizmin shqiptar
Albeu.com
Kthehesha nga jashtë shtetit për në Atdhe. Kisha qenë në një konferencë shkencore mesdhetare lidhur me marketingun dhe marrëdhëniet publike të biznesit të vogël dhe të mesëm në kushtet e krizës financiare dhe politike në disa vende të rajonit. Punimet e saj kishin qenë me shumë interes për mua.

Në fund, pjesëmarrësit kishin pohuar se marketingu i shërbimeve dhe i produkteve është një instrument i rëndësishëm për të shtuar klientelën, për ta bërë besnike atë lidhur me një firmë apo me një mall. Marketingu është një fushë shumë e gjerë, por për lexuesin e gjerë le ta themi se atje bëjnë pjesë edhe reklama, informacioni etj., si mjete të veçanta për të përmirësuar bilancin e kapitaleve të çdo ndërmarrjeje.

Avioni që duhet të merrja në Vjenë për t’u nisur drejt Tiranës ishte në nisje e sipër. Kisha qenë me vonesë për shkak të një lidhjeje transiti paksa të gjatë. Droja se mos po e humbja avionin më kishte bërë të nxitoja nëpër korridoret e aeroportit të mbledhur dhe njerëzor të Vjenës, që duhet thënë se gjithsesi është bërë paksa I stërzgjatur me rikonstruksionin e ri.

Në avion pothuajse të gjithë udhëtarët e tjerë ishin ulur nëpër vendet e tyre. Vendi im kishte rastisur pothuajse në fund të avionit. Që tej pashë një vend bosh, atje në fund, pranë dritares së vogël të avionit, ai më priste të ulesha.

“Ja tek qenka vendi im”, thashë me vete disi i lehtësuar, a thua sikur dikush mund të ulej atje në vendin tim, a thua sikur isha në ndonjë autobus urban ku secili me bërryla hap rrugën drejt një vendi dhe ulet ku të mundet.
Papritur vura re i befasuar se një grua ishte ngritur në këmbë dhe ma bënte me dorë që andej, duke nënkuptuar se duhet të shkoja të ulesha atje, pikërisht, pranë dritares, ngjitur me të, në një sedile me tre vende.

Ndër mend më erdhi menjëherë pyetja: “Po ajo ku e di që unë e kam vendin atje? Përse më grish kështu? Çfarë dëshiron nga unë? Mos është e çmendur?” Në fakt, në avion, aq më pak të huajt, nuk ia bëjnë me dorë kujt, të panjohur, për më tepër një të panjohuri si unë.

Por, shpejt kuptova se ajo grua, pavarësisht se me një shëndet të bollshëm, bjonde, me një fytyrë të plotë e sy të butë të murrmë, kishte pasur një mendje të hollë. Kishte qenë pak bufe, por e hollë nga inteligjenca. Ajo sikur kishte bërë aritmetikë. Kishte parë si duket që në atë pjesë të avionit nuk kishte vende të tjera të lira veç atij pranë saj. Përderisa ishte pasagjeri i fundit që po hyja në avion, padyshim që do të kisha një biletë që më ulëte pranë saj.

I buzëqesha me një pamje kuptimplotë duke i dhënë të kuptojë se e kisha kuptuar inteligjencën e saj, ndonëse ishte shfaqur në një kontekst shumë të detajuar të jetës së përditshme. U ula në vendin tim dhe as ajo ktheu kokën të më shihte më, as unë nuk e përqendrova mendjen më te ajo.

Vura re vetëm se po lexonte një gazetë në një gjuhë skandinave. Duhet të ishte nordike. Stuardjesa solli pas ndonjë gjysmë ore tabakanë me pije. Mora një çaj dhe një kafe. Me kujdes i kalova gotat mbi trupin e saj, me vëmendje që të mos hidhja mbi të ndonjë pikë lëngu të nxehtë. Ajo buzëqeshi me njerëzillëk kur pa se poshtë çdo gote kisha shtruar dorën time në mënyrë që ta mbroja.

Mendoi ndofta se e kisha merituar interesimin e saj. M’u drejtua në anglisht: “Ju jeni shqiptar?” “Po” – iu përgjigja. “Po kthehem në Shqipëri, pasi kam qenë në një konferencë shkencore universitare. “Sigurisht e kisha zgjatur pak bisedën për të me qëllim që të kaloja paksa pa mërzi udhëtimin në ajër në një kohë kur po i afroheshim territorit të Shqipërisë. Poshtë shihja male të thatë, me disa kratere të ftohur prej ndofta mijëra vjetësh.

“Unë udhëtoj me gjithë familjen time”, - nisi të fliste ajo tanimë. “Ky këtu ngjitur me mua është djali im, është katërmbëdhjetë vjeç. Atje tej, pak më tutje është bashkëshorti im, bashkë me vajzën shtatë vjeçe”. “Ju po shkoni familjarisht në Shqipëri – e pyeta – në këtë vapë, apo jeni në kuadrin e një grupi turistik?” “Ne po shkojmë për pushime në Shqipëri, për të kaluar pushimet e verës” – m’u përgjigj gruaja që kishte një fytyrë shumë miqësore dhe me tipare të buta.

Piva një gllënjkë çaj dhe pas një pushimi të vogël dëgjova që ajo vazhdoi: “Ne jemi nga Danimarka. Nga zona rurale e saj. Im shoq është tregtar dhe shpesh lëviz nëpër botë, pra në një farë mënyre e kemi të nxitur nga ai sensin e udhëtimit dhe të lëvizjeve nëpër vende të ndryshme. Pamë Shqipërinë në hartë, një vend i panjohur, dhe menduam t’i kalojmë pushimet e verës atje”.

“Keni bërë shkëlqyeshëm” – iu përgjigja a thua sikur pata një frikë instiktive se mos iu ndryshohej mendja në ajër e sipër dhe pendoheshin. “Shqipëria është një vend i bukur. Besoj se fëmijëve tuaja iu pëlqejnë banjat e detit, do të gjeni plazhe të mrekullueshme”.

“Po a keni ndonjë njeri që ju pret në aeroport” e pyeta si me një indiferentizmi të shtirur. “Jo më tha, nuk njohim njeri fare. Por, besoj se qysh në aeroport do të ketë shoqëri turistike që presin vizitorë dhe iu propozojnë shërbimet e tyre”.
Gati më mbuluan djersë të ftohta. Piva përsëri një gllënjkë çaji që tashmë ishte ftohur. Nuk më kujtohej për bè ndonjë kioskë a tabelë shoqërie udhëtimesh në aeroportin e Rinasit. “Po a keni ndonjë plan udhëtimi?” - e pyes tashmë me shumë interes dhe drejtpërdrejt.

Djali i danezes ktheu kokën nga unë dhe për herë të parë më hodhi vështrimin e tij. E kishte edhe ai kaq të butë dhe të qetë sa më s’bëhet. Asnjë ndjenjë pasigurie apo ankthi nuk kishte në atë vështrim. Por, as ndonjë interes të veçantë për bisedën e nënës së tij me mua. Aq më pak bashkëshorti i saj nuk dukej fare i vëmendshëm për bisedën tonë. Ishte i futur në një bisedë tepër të ngrohtë me vajzën e tij.

Danezja m’u përgjigj: “Nuk kemi asnjë plan, ose më mirë të them, kemi vetëm për tre ditët e para, pastaj të shohim, të dalë ku të dalë”. Dhe qeshi me mirësi. “Ku do të shkoni këto tre ditë?” – e pyeta. “Sonte do të shkojmë të flemë në Berat” – më sqaroi. “Është në Jug të vendit”. “Përse do të shkoni në Berat?” - pata shpresë se do të më jepte ndonjë hollësi që të më tregonte se e njihte paraprakisht pasurinë kulturore të këtij qyteti të lashtë me të cilin edhe unë qëndroj i lidhur me qindra fije. “Nuk e di shumë se përse, por dikush na ka thënë se është qytet interesant”. – ishte përgjigja e saj krejt
evazive.
Kuptova se nuk dinte gjë prej gjëje nga thesaret kulturorë të Beratit. Nuk kishte pasur rast të shihte asnjë hartë në gjuhën e saj, apo ndonjë guidë turistike për të qenë. Kishte ardhur ashtu kot, me të dëgjuar. “Po rrugën e dini?” - e pyeta. “Jo, sapo të thashë se është hera e parë që vimë, do ta gjejmë duke pyetur ose sipas shenjave. Pse si është rruga?”

“Mesa di, - iu përgjigja - rruga është shumë e mirë deri në Lushnjë, pastaj është pak problematike por kalohet, por ju mos u mërzisni se pastaj do të arrini në qytet dhe do të gjeni gjëra shumë të bukura e tradicionale për të vizituar”.

Nuk pata guximin t’i thosha se mund të flinin edhe brenda në kala, në një hotel të vogël me pak shtretër, por akull të pastër, që kisha pas ditur se ekzistonte atje. Nuk e dija nëse ishte akoma apo jo. E pashë se e kisha trembur disi. “Jo, nuk është fare problem rruga. Arrini shpejt, Punë nja dy orësh. Po pastaj nga do t’ia mbani?”

“Në Sarandë. Kemi prenotuar dy ditë hotel dhe vetëm po na pëlqeu do të qëndrojmë dy javë, përndryshe do t’ia mbathim në Korfuz”, – m’u përgjigj. “Po përse more ditëzi, hotelxhi i Sarandës, nuk vjen t’i presësh në aeroport këta turistë që t’iu lehtësosh pak rrugën, dhe vetë të fitosh më shumë të ardhura?” – m’u duk sikur më th një zë nga brenda meje.

“Si është Saranda? Ka shumë njerëz në këtë stinë?” – ishte pyetja që më zgjoi nga ëndërrimet e mia për një hoteleri që të ishte edhe organizuese e vizitave turistike nëpër Shqipëri të turistëve apo e pritjes së tyre qysh në Rinas. “Pse nuk keni pasur mundësi të lexoni ndonjë udhërrëfyes për sociologjinë e qytetit të Sarandës, sa vizitorë ka në vit, sa metra katrore plazh ka, çfarë lloj rëre gjendet atje, sa është bregdeti shkëmbor etj.?” “Jo, dimë vetëm që ka diku një rrënojë antike që quhet Butrint”, - ishte modeste përgjigjja e danezes.

Futa dorën në xhep dhe nxora një kartëvizitë timen personale. “Merreni këtë adresë, është imja, për ju dhe burrin tuaj, nëse shkoni në Sarandë dhe keni nevojë për mbështetje, më telefoni, kam disa miq atje, në çdo rast do t’ju mbështesin”.

Kisha bërë sa mundja për promovimin e turizmit shqiptar...
Shtuar më 14/07/2012, ora 17:51
Tage: Standard
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori