Zhvlerësimi i zgjedhjeve të dhjetorit
Pëlqej
Albeu.com
As tërmeti politik dhe as ai natyror i dy netëve më parë, nuk e kanë lëkundur sa duhet Kosovën. Kriza e koalicionit qeveritar, që provokoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, prodhoi një situatë absurde, ku mazhoranca kërkonte rrëzimin e qeverisë dhe opozita mbajtjen e saj. Në këtë paradoks, që gjithsesi e ka një shpjegim, klasa politike kosovare duket sikur po tallet me vetveten dhe me qytetarët. Partia Demokratike e Kosovës, që bën hesapet e saj, kërkon sa më parë zgjedhje për t'i kapur kundërshtarët të çoroditur e të papërgatitur. LDK, që gjithnjë e më shumë po merr pamjen prej leshkoje të kryetarit të saj, abstenon e nuk di pse dhe si duhet të shkojë në këto zgjedhje, ndërsa AAK po dallohet vetëm me viktimizimin e saj e për asgjë tjetër. Përveç kësaj tabloje, këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk po sjellin asgjë të re në Kosovë, e prandaj kjo e fundit duket indiferente ndaj rënies së qeverisë, që normalisht do duhej të ishte një tërmet i vërtetë politik.
Zakonisht përpara zgjedhjeve pritjet janë të mëdha, aq më tepër kur bëhet fjalë për zgjedhje të jashtëzakonshme. Atmosfera është elektrizuese, njerëzit presin ndryshime, gara ndiqet me pasion dhe shpresat e qytetarëve për diçka më të mirë shtohen. Ato janë një moment jetik në jetën e një vendi dhe në funksionimin e një demokracie. Prandaj përjetohen si lëkundje të forta, që prodhojnë ndryshim. Por në Kosovë, ndonëse kemi të bëjmë me zgjedhje të jashtëzakonshme, asnjë lëkundje nuk po ndihet. Përse po ndodh një gjë e tillë, përse duket sikur askush nuk pret që të ndodhë ndonjë ndërrim? Shpjegimet mund të jenë të shumta, por më shumë sesa konfiguracioni i forcave politike të Kosovës që favorizon ndjeshëm njërën parti, kjo situatë ka të bëjë me diçka tjetër.
Në radhë të parë, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë nuk erdhën si rezultat i një krize thelbësore të koalicionit qeveritar. Ky koalicion, që kishte përballuar situata edhe më të rënda në planin e marrëdhënieve reciproke, nuk u shpërbë për arsye parimore e programore. As për ndonjë mosrespektim të ideve apo reformë qeverisëse. Ai u prish kur Fatmir Sejdiu u detyrua të zbatojë Kushtetutën e të lërë postin e Presidentit të Republikës. Një motiv i tillë nuk ka të bëjë fare me përfaqësimin e interesave të elektoratit, e për rrjedhojë sigurisht që e le indiferent atë.
Po kështu, këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk u provokuan nga aktivizimi i opozitës, nga protestat dhe aksioni i saj politik. Ato nuk erdhën as nga lëvizjet qytetare apo grevat si mjete për rrëzimin e një qeverie, që dështon në përmbushjen e detyrimeve të saj. Si opozita, ashtu dhe grupimet e tjera, nuk arritën asnjëherë të vetme të kanalizojnë pakënaqësinë qytetare (siç ndodh rëndom në vendet demokratike) për të kundërshtuar reformat e qeverisë, privatizimet, papunësinë, kushtet e rënda ekonomike, etj, gjë që mund ta detyronte kryeministrin Thaçi të jepte dorëheqjen.
Jo, këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk trokitën për shkaqe të tilla "natyrale". Ato u provokuan nga interesa të ngushta dhe u planifikuan sipas llogarive politike të vetë partisë në pushtet. Ato nuk po bëhen si përgjigje ndaj ndjeshmërive popullore, por si një zgjidhje që u përshtatet vetë atyre që kanë pushtetin. Prandaj kishim atë situatë absurde në Parlament, prandaj dhe njerëzit e atmosfera elektorale janë të ftohtë, prandaj dhe 12 dhjetori nuk duket se do të ndryshojë diçka në Kosovë. Zgjedhjet po bëhen sepse u mërzit e ka hall Sejdiu dhe i shkojnë më së miri planeve të Thaçit, ndaj prej tyre pritet që më shumë sesa interesat e qytetarëve, të sqarojnë llogaritë e politikanëve.
Indiferenca e qytetarëve të Kosovës ndaj kësaj që po ndodh ka edhe një arsye tjetër, veç shkaqeve që çuan në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ata ndihen të lodhur nga mungesa e vazhdueshme e moralit politik në Kosovë. Koalicionet dhe ndarjet aspak parimore mes forcave politike, kanë bërë të humbasë çdo interes ndaj tyre.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk është se premtojnë diçka ndryshe. Në fund të tyre nuk është çudi që PDK dhe LDK, pasi të kenë reflektuar, "për hir të stabilitetit të vendit", të bëhen përsëri bashkë për të qeverisur. Atëherë jo vetëm pritjet nga zgjedhjet, por edhe vetë zgjedhjet çfarë kuptimi ka që të mbahen? Kur vullneti i elektoratit deformohet e zhbëhet në tryeza të marrëveshjeve të pamoralshme politike, zgjedhjet e humbasin kuptimin dhe Parlamenti shndërrohet në teatër të absurdit, ku qeveria është e lumtur që po rrëzohet dhe opozita voton për mbajtjen e saj.
Shtuar më 06/11/2010, ora 10:36
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori