Pa zgjidhje për Tiranën
Albeu.com
Edi Rama është i prerë në qëndrimin e tij se nuk do të njohë asnjë rezultat dhe asnjë vendim që nuk e ul atë në karrigen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ky qëndrim, i shoqëruar me paralajmërimin për revolta dhe protesta kundër qeverisë, i bën praktikisht të padobishme të gjitha rekomandimet e porositë e ndërkombëtarëve për t’i dhënë një zgjidhje krizës së fundit shqiptare.

Pas shqetësimit për logjikën ligjore me të cilën KQZ-ja numëroi votat e hedhura gabimisht, baronesha Ashton dhe komisioneri Fyle presin që procedurat në Kolegjin Zgjedhor të jenë transparente, të pavarura dhe në përputhje me ligjin. Ata gjithashtu sugjerojnë zgjidhje konsensuale për ato çështje, të cilat kërkojnë interpretim, dhe kjo mund të bëhet me dialog mes palëve. Dhe, nëse kjo është e vështirë, drejtuesit e lartë të BE-së kanë përsëri një propozim: thirrjen e një arbitri të pavarur nga jashtë, që të mund të japë një gjykim për votat e panumëruara.

Por, a do të pranonte Edi Rama një zgjidhje që si fund mund të kishte edhe largimin e tij nga Bashkia e Tiranës?
Duke u nisur nga logjika e fakteve dhe nga mënyra se si po e përjeton ai sfidën që Lulzim Basha i bëri mitit të tij në kryeqytet, Rama nuk ka gjasa të njohë asnjë rezultat tjetër që ia përmbys ato 10 vota me të cilat pretendon një fitore me brekë nëpër këmbë. Po kështu, duke pasur parasysh fuqinë ekonomike dhe influencën politike që kjo Bashki (të cilën nuk e la as në zgjedhjet e 2009-s) i ka dhënë liderit socialist, ai do ta kishte të vështirë të orientohej pa pasur njërën këmbë në pushtet, ashtu siç ka vepruar për 13 vite me radhë.

Dhe, më kryesorja, Edi Rama, predikuesi i politikës së re dhe fuqisë së ndryshimit, ka vendosur tashmë të ndjekë një tjetër rrugë, atë të radikalizmit, revoltës, bojkotit e konfliktit të egër me kundërshtarin politik, duke besuar se kështu mban të lidhur pas vetes të vetët dhe faktorizohet më së miri, si e vetmja mundësi për të rrëzuar Berishën. Votimi për Ramën sot nuk është zgjedhja e alternativës më të mirë, por kanali i duhur për të derdhur urrejtjen ndaj Berishës. Për dy vjet, Rama provokoi një klimë të tensionuar politike dhe në këtë frymë, edhe zgjedhjet lokale i paraqiti si një betejë për jetë a vdekje me Berishën. Kjo mënyrë e të bërit opozitë mund të shërbejë për të fituar vota emocionale, por jo përkrahje racionale. Shumë opinionistë të kohëve të fundit dhe shpesh me të drejtë akuzojnë dhe bëjnë përgjegjës Berishën për çka po ndodh në Shqipëri, por numërohen me kokrra ata që miratojnë apo mbështesin politikën e Ramës në krye të opozitës.

Në një shkrim të para disa ditëve, Fatos Lubonja, në një përpjekje për të gjetur arsye në kaosin politik shqiptar, propozonte se do të ishte më mirë t’i nënshtroheshim një loje politike të rafinuar, sesa t’i ktheheshim kohës së përmbysjeve me dhunë. “Sigurisht, tingëllon cinike t’i thuash opozitës se duhet të respektojë institucionet kur ajo ka bindjen se ato punojnë kundër saj. Por, po të kesh parasysh përgjegjësinë që ka vetë opozita për mospavarësinë e këtyre institucioneve, qoftë me praktikat e saj të deritanishme të sjelljes ndaj tyre, qoftë nga bashkëpunimi ligjor për ndërtimin e tyre, kësisoj, duket e arsyeshme t’i thuhet se ajo duhet të tregohet më e përmbajtur”, thotë Lubonja.

Por opozita nuk po tregohet e përmbajtur jo sepse është e zhgënjyer nga institucionet, ajo e ka ditur si janë ndërtuar ato dhe ka eksperiencë të freskët nga keqpërdorimi që u ka bërë kur ka qenë vetë në pushtet. Opozita është e papërmbajtur, sepse ka zgjedhur me ndërgjegje, si të vetmen mundësi për të ardhur në pushtet, konfrontimin e konfliktin, dhe jo konkurrimin apo alternativën. Pas dështimit të vitit 2009, kur u përpoq të shkonte përtej së majtës e së djathtës, Edi Rama ka zgjedhur të kopjojë modelin e opozitës së dikurshme, të atij që sot po e sulmon.

Partia Socialiste ka fituar bashkitë më të mëdha në vend dhe, pavarësisht analizës së shkaqeve, ajo ka korrur sukses në këto zgjedhje. Edi Rama nuk e ka fituar politikisht Tiranën dhe 10 vota nuk i japin të drejtë atij të bërtasë për fitore, siç nuk i japin të drejtë edhe palës tjetër të interpretojë ligjin me shumicën e votave në KQZ. Në një vend normal dhe në një situatë normale, palët do të duhej të kishin pritur deri në fund konsumimin e të gjitha rrugëve ligjore. Por kjo nuk është situatë normale, sepse humbja ose fitorja e Edi Ramës nuk është thjesht ajo e një kandidati bashkiak, por konsiderohet si finalja e një beteje epike për jetë a vdekje. Vetë Edi Rama e ka sjellë që të merret si e tillë, për t’u shndërruar në lider, jo nga vizioni dhe aftësia politike, por nga forca dhe ashpërsia për t’iu kundërvënë Berishës. Çdo zgjidhje apo vendim që do t’ia mohonte Ramës mandatin e katërt, nuk do të çonte në asnjë kompromis nga ana e tij, sepse në rrethanat e krijuara do ta paraqiste atë si të dobët e të pafuqishëm përballë Berishës.

Çfarë zgjidhje mund të ketë në këtë situatë? Një gjë është e sigurt: se revoltat dhe përmbysjet me dhunë nuk të sjellin në pushtet. E pati provuar Berisha në vitin 1998, e provoi duke e radikalizuar përsëri situatën pas manipulimit spektakolar në zgjedhjet e vitit 2001 dhe dështoi. Erdhi në pushtet vetëm atëherë kur u detyrua të respektojë rregullat e lojës dhe të kapërdijë gjithë ç’kishte thënë e bërë më parë.

Edi Rama mund të ketë të drejtë të kundërshtojë veprimin e KQZ-së, është e drejta e tij edhe ta konceptojë Grupin Parlamentar si forcë të ndërhyrjes së shpejtë, të bllokojë rrugë e të mos e njohë Parlamentin. Por, “modeli Berisha” që ai ka zgjedhur për të bërë opozitë prej kohësh, është i tejkaluar dhe, madje, po provohet që nuk shton as vota. Një sjellje qytetare pas asaj që ndodhi në KQZ dhe jo gjuha barbare, refuzimi politik i rezultatit dhe jo kapërcimi i hekurave do të kishin qenë akte që do të rrisnin respektin për opozitën dhe ndjenjën se ndaj saj po bëhet një padrejtësi. Radikalizmi vetëm i ka ndarë palët edhe më keq, po e çon vendin drejt kolapsit dhe e bën më të paqartë përgjegjësinë. Ashtu siç e ka lënë të paqartë zgjidhjen, pavarësisht angazhimit të ndërkombëtarëve. (Panorama)
Shtuar më 26/05/2011, ora 10:00
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori