Isa Mustafa ka një plan
Pëlqej
Albeu.com
Isa Mustafa nuk kishte rrugë tjetër. Ai duhej ta merrte kreun e LDK-së. Presioni i madh nga shumë drejtime dhe nevoja për të pasur një forcë serioze që do të ekuilibronte balancën politike në Kosovë, nuk i linte shumë zgjedhje kryetarit të Prishtinës. Për shkak të rrethanave, si zhgënjimi me drejtimin e Fatmir Sejdiut, dëshira për ringjalljen e LDK-së, vakuumi i madh opozitar dhe mungesa e një kundërpeshe ndaj PDK-së së fortë të Hashim Thaçit, emri i Isa Mustafës u shndërrua në të vetmen alternativë jo vetëm për partinë e tij, por edhe për një pjesë më të gjerë të shoqërisë. Kjo e fundit jo domosdoshmërisht si mbështetëse e Mustafës, por më shumë si nxitëse e funksionimit të një demokracie normale.
Kryetari i Prishtinës nuk mund t’i neglizhonte këto rrethana, madje ai vetë i kishte ushqyer ato sa herë i ishte dhënë rasti. Daljet e rezervuara në publik, pozicionimi i vendosur opozitar jo vetëm si një qëndrim politik, por edhe si një qëndrim moral në një kohë krize të moralit politik, i shtuan simpatitë për të. Isa Mustafa me kujdes u distancua nga problemet e politikës ditore dhe po ashtu bëri durim deri në momentin e duhur për të mos u përfshirë në debatin brenda LDK-së. Kjo strategji i rriti pritjet gati në mitizim se zgjidhja e vetme për LDK-në do të ishte të bindej Isa për të hyrë në garë. Dhe ai hyri atëherë kur duhej.
Prej ditës që u zgjodh e deri më sot, Isa Mustafa po tregon se ardhja e tij në krye të një force të rëndësishme politike nuk ishte një rastësi. Jo vetëm për nga strategjia që ndoqi deri më 7 nëntor, por edhe nga të gjitha veprimet që pasuan. Kryetari i ri i LDK-së po dëshmon se ai ka një qëllim të qartë. Ai nuk dëshiron të jetë kryetari i radhës që rrethanat e sollën në fron, por një lider që synon ta shndërrojë forcën e tij politike në një parti të mirëfilltë elektorale, konkurrente për të fituar në zgjedhje dhe që të mbajë vulën e tij. Dhe për këtë e ka një plan. Ndarja përfundimtare me Ukë Rugovën është shenja e qartë se në rrugën që ka nisur, Isa Mustafa kërkon të vendosë autoritetin e tij. Pavarësisht kostos elektorale që mund të ketë prishja me familjen Rugova për LDK-në tashmë vendos ish-ministri i dikurshëm i Financave. Me këtë veprim, kryetari i ri ka treguar se ai është i vendosur të mos u hapë rrugë kompromiseve e negociatave që mund të prodhojnë telashe brenda në parti. Ai i mbetet deklaratës se gjithkush do të vlerësohet sipas rezultatit të matur në votime. Këtë qëndrim e ka mbajtur edhe me partitë e tjera politike, aleate të mundshme të LDK-së. I qetë dhe i ftohtë, Isa ka zgjedhur që për koalicione të flasë vetëm pas 12 dhjetorit, duke i lënë disi në ankth ato parti që shpresonin të hynin nën çadrën e tij. “Dua të mat peshën reale të LDK-së në elektorat”, ka thënë kryetari i ri, i bindur se kështu i motivon më shumë të vetët. Por ku e gjen këtë siguri dhe vetëbesim Isa Mustafa, që në çdo dalje në publik duket i pashqetësuar, qoftë nga dalja vetëm në zgjedhje, qoftë edhe nga ndarjet e vështira si ajo me Ukë Rugovën e Bujar Bukoshin? Deri tani, kryetari i Prishtinës ka treguar se nuk është njeri që bën veprime të pastudiuara dhe aq më pak aventura politike.
Sigurisht që Isa Mustafa e ka një plan, një qëllim. Ai kërkon të ngrejë LDK-në e re. Siguria e tij buron pikërisht nga ky fakt: Më shumë se sa fitorja në këto zgjedhje të parakohshme, për liderin e ri ka rëndësi forcimi dhe rritja e LDK-së nën drejtimin e tij. Ndryshe nga shumë politikanë të tjerë që priren nga kompromiset, që bëjnë aleanca për hir të numrave apo mbështeten tek diversioni me kundërshtarin për të siguruar fitoren e tyre, Isa Mustafa duket i interesuar dhe i fokusuar vetëm në partinë e tij. Ai nuk ka fitoren me çdo kusht si qëllim në vetvete, por ndërtimin e një LDK-je sipas vizionit të tij, që do të përbënte bazën më të sigurt për çdo sfidë të ardhshme elektorale. Në tri ditë, kryetari i ri e ka shfaqur hapur synimin e tij. Ka ndryshuar një pjesë të mirë të kryesisë dhe tre nënkryetarët janë plotësisht zgjedhje e tij. Ka bërë të qartë se kushdo që kërkon të jetë pjesë e LDK-së së tij, duhet të pranojë rregullat e reja të lojës ose përndryshe është i lirë të shkojë.
Qoftë ky edhe djali i ish-presidentit historik. Sepse Isa Mustafa mesa duket po kërkon të ndërtojë një parti elektorale dhe jo të arnojë një parti historike. Ai i ka hyrë sfidës për të ndërtuar një LDK me profil të qartë politik, e aftë të konkurrojë me programe dhe jo me fotografi e nostalgji. Një LDK që më shumë se me të kaluarën të lidhet e të zgjerohet me elektorat të ri. E nëse kjo do t’i marrë kohë, Isa Mustafa ka treguar se nuk vuan nga padurimi dhe se nuk e sheh si tragjedi qëndrimin në opozitë. Prandaj ai duket i qetë dhe i ftohtë përpara kamerave. Këto zgjedhje nuk janë basti i tij, basti i Isa Mustafës është LDK-ja nesër. (panorama)
Shtuar më 13/11/2010, ora 09:20
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori