Dhunuan 31-vjeçarin te “Uji i Ftohtë”, policia shkon të arrestojë dy vëllezërit, njëri rreh edhe oficerin

Foto ilustruese

Një ngjarje ka ndodhur në Ujin e Ftohtë në Tepelenë ku dy vëllezër kanë dhunuar një 31-vjeçar.

Policia ka ndërhyrë për të ndaluar sherrin, por në momentin e ndërhyrjes, një prej vëllezërve ka goditur një prej oficerëve që ndodhen në vendngjarje.

Teksa Policia ka tentuar ta vërë në pranga, ai ia ka mbathur duke përfituar nga terreni malor dhe është shpallur në kërkim nga Policia.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik”, në ngarkim të shtetasit B. Q., 31 vjeç, banues në fshatin Luzat, Tepelenë, si dhe shpallën në kërkim vëllanë e tij, shtetasin K. Q., për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.

Këta shtetas, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, Tepelenë, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit S. S., 31 vjeç. Pas mbërritjes së shërbimeve të Policisë në vendin e ngjarjes, shtetasi K. Q. ka goditur dhe kanosur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë, i ka kundërshtuar ata për tu shoqëruar dhe duke përfituar nga terreni i thyer, ka mundur të largohet.

Vijon puna intensive për kapjen e tij. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 12.08.2022 12:21