Mësuesja 23-vjeçare vritet në mes të rrugës, dyshimet e para për ngjarjen e mistershme

Vrasja e një mësueseje 23-vjeçare javën që lamë pas, në Irlandë, bëri që me qindra njerëz të dilnin të shtunën në rrugët e Londrës, për të bërë homazhe në nder të saj.

Ashling Murphy u vra teksa kishte dalë për vrap në brigjet e Kanalit të Madh në Tullamore, County Offaly.

Zona njihet si Rruga e Fionës, në kujtim të një gruaje tjetër që u zhduk 25 vjet më parë, ndërkohë që ishte 7 muajshe shtatzënë.

Vdekja e Ashling ka nxitur edhe njëherë debatin për sigurinë e femrave në Irlandë, por edhe më gjerë.

Por kush e vrau mësuesen e fillores dhe pse?

Mediat britanike shkruajnë se policia po përpiqet të identifikojë një person me biçikletë, i cili dyshohet se e ndoqi viktimën në zonë, përgjatë 24 orëshit përpara vrasje. Autoritetet irlandeze thuhet se kanë bërë mjaft progres në hetimet, megjithatë nuk ka ende detaje të bëra publike.

Një person i cili besohet se ndodhet në spital në rajonin e Dublinit, konsiderohet person me interes dhe hetuesit po presin që të bisedojnë me të. Ai mësohet se shkoi në spital me plagë në fytyrë, të ngjashme me ato që mund t’i bëhen nga dikush që po mbrohet.


Shtuar 17.01.2022 09:25