Johnson: Duke nisur nga hëna, Britani do t’i rikthehet normalitetit të para-pandemisë

Tashmë është e konfirmuar zyrtarisht. Duke nisur nga java e ardhshme Anglia do t’I rikthehet normalitetit, duke hequr masat kufizuese anti-covid. Ky është dhe qëllimi kryesor i Kryeministrit Britanik, Boris Johnson, i cili përgjatë javës që vjen do të diskutojë në parlament planin që do të quhet: “Bashkëjetesa me Koronavirusin.”

Kësisoji, Anglia do të bëhet vendi i tretë, pas Danimarkës dhe Norvegjisë që pritet t’I rikthehet normalitetit të para-pandemisë. Me nisjen e ditës së hënë, kush do të rezultojë pozitiv me Covid, nuk do të detyrohet më të vetë-izolohet për disa ditë. Përkundrazi, sipas mjekëve anglezë, kush do të rezultojë i infektuar, thjeshtë do të këshillohet të qendrojë në shtëpi, duke marrë një trajtim të ngjashëm me llojet e gripërave të tjerë.

Ky është ndryshimi më i rëndësishëm në paketën e re të reformës së pandemisë, e cila në praktikë do të heqë “të gjitha masat shtrënguese që kufizojnë lirinë e qytetarëve”. Vendet e tjerë të Mbretërisë së Bashkuar do t’I ruajnë edhe për disa kohë disa masa shtrënguese, për shkak të disa vatrave ende problematike në përhapjen e shpejtë të covid, sidomos të variantit Omicron.

Sa I përket testeve anti-covid, megjithëse niveli I tyre do të ulet ndjeshëm, ato do të vazhdojnë të aplikohen kryesisht në zonat proplematike në përhapjen e virusit.

Ndërsa në lidhje me fushatën e vaksinimit, vetëm pak ditë më parë, Ministri Britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, njoftoi mundësinë e vaksinimit të fëmijëve nga mosha 5 deri në 12 vjeç – diçka e ndaluar deri më tani në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, do të jenë prindërit ata që do të vendosin në lidhje me vaksinimin ose jo të fëmijëve të tyre.

Në Britaninë e Madhe, 85% e popullsisë së moshës mbi 12 vjeç, I ka marrë të dy dozat e vaksinës, dhe 66% ka marrë edhe dozën e tretë. Sipas eksepertëve të shëndetësisë Britanike, të paktën 98% të popullsisë ka arritur të krijojë anti-trupat e nevojshëm për një përballim të lehtë të sëmundjes.

Megjithatë, kthimi i plotë i në normalitet, me vendimin e Johnson, sipas disa prej kundërshtarëve të tij do të ishte edhe për shkak të dëshirës së Kryeministrit për të spostuar vëmendjen e opinionit publik nga skandali i festave private përgjatë periudhës së pandemisë, që kanë shkaktuar shumë kritika nga ekspertë të shëndetësisë dhe nga politikanë.

Sakaq, David Nabarro, i dërguari special i OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetësisë) për covid, tha BBC-në se zgjedhja e qeverisë britanike është “e nxituar dhe shumë e pamatur”./albeu.com/


Shtuar 20.02.2022 16:20