PD ka humbur kredon morale
Pëlqej
Albeu.com
Hajduti nuk është fare i besueshëm kur thërret kapeni hajdutin, i korruptuari nuk është fare i besueshëm kur bërtet kundër korrupsionit, autokrati nuk është fare i besueshëm kur jep alarmin për kapjen e institucioneve të pavarura, despoti nuk mund të besohet kur “shqetësohet” për fatet e demokracisë dhe lirisë. Në një status të tillë pabesueshmërie ka rënë PD me kalimin në opozitë pas 8 vjet qeverisjeje tejet të korruptuar dhe me tendenca të forta autokratike. Fjalët e PD-së në opozitë sot, hidhen poshtë nga veprat e PD-së në pushtet, dje. Gjë që nuk do të ndodhte nëse PD do kish shqyrtuar në mënyrë rrënjësisht kritike të djeshmen e saj dhe do kish sjellë një lidership të ri, duke mos i hyrë lojës me lider kukull si Basha dhe me gjoja “largimin” e Berishës. Por për shkak të kultit absolut dhe prej padrinoje të Sali Berishës, udhëheqja e PD refuzoi që pas humbjes së zgjedhjeve, të rishqyrtojë në mënyrë kritike qeverisjen e vet për t’u distancuar publikisht nga gabimet dhe krimet e kryera prej saj. Është e kuptueshme, si mund edhe të shqyrtosh në mënyrë kritike të kaluarën, edhe të ruash kultin e superliderit të pagabueshëm? Në përplasjen mes dy opsioneve, atë të një PD-je berishiste dhe të një DP-je të distancuar nga berishizmi, triumfoi Berisha dhe berishizmi. Në një frymë tejet neokomuniste, Berisha u shpall ashtu siç PPSH shpalli Enverin, lideri historik sipas mësimeve të të cilit duhet të ecë PD. Ndryshimi i vetëm nga Enveri është se Berisha nuk i ka mësimet me shkrim sepse, përgjithësisht, nuk bën asgjë me shkrim. Gjithsesi klanet që kanë përfituar nga korrupsioni i qeverisjes berishiste nuk e lëshuan PD-në. Dhe ky zhvillim ka për kosto pikërisht humbjen e kredos morale të saj. PD është sot një parti, së cilës, përjashtuar klaneve që përmendëm dhe një mase fanatikësh të verbër e të shkretë, nuk i beson askush. Sepse janë vetë të bërat dhe të pabërat e qeverisjes së djeshme të PD, që përqeshin “seriozitetin” e kritikave të saj në opozitë ndaj qeverisë “Rama”.



***

Nuk them se qeveria “Rama” nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë gabime e veprime të kritikueshme. Do të qe verbëri. Dua të them se edhe kur, në ndonjë rast, PD bën ndonjë kritikë për të qenë, ajo vetë, PD, nuk është alternativa, opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemit. Më konkretisht:

Dëgjoj Astrit Patozin tek deklaron se pushteti i pakufizuar prodhon përbindësha. E ka fjalën për Edi Ramën që sipas tij, dhe natyrisht edhe Berishës, po grumbullon gjithnjë e më shumë pushtete në duart e veta. A mund ta besosh këtë kritikë, a mund të besosh në sinqeritetin e saj, pra se këta politikanë vërtet shqetësohen për fatin e demokracisë? Aq më keq, a mund të besosh se autokrati Berisha e ka të vërtetë shqetësimin kundër autokratizmit? A mund të shpresosh se mund të jetë alternativa e Berishës, që ç’nuk bëri për t’i kapur të gjitha pushtetet, ilaçi për zgjidhjen e drejtë të këtij problemi në favor të lirisë? Mund ta besojë edhe ndonjë “ndërkombëtar” që ose ia ka tredhur arsyen ryshfeti ose nuk arrin të kuptojë se në Shqip">Shqipëri jo rrallë cubi rrëmben flamurin e virtytit. Por kush arsyeton sado pak, natyrisht që jo. Sepse të pengon vepra autokratike në 8 vitet e qeverisjes së PD. Dhe kush është investuar në pushtet në favor të autokratizmit nuk mund të besohet se mund sublimohet e të investohet kundër tij në opozitë. Në fakt, ndonjë rast, edhe mund të investohet kundër një autokrati kundërshtar në pushtet, por jo kundër autokratizmit “per se” pra, në favor të lirisë e demokracisë. Megjithatë Patozi i ka saktë kur thotë se pushteti i pakufizuar prodhon përbindësha. Por meqenëse është vërtet kështu, këta përbindësha duhet t’i kërkojë, në radhë të parë, në 8 vitet e qeverisjes së PD, kur edhe ai vetë u investua plot zell në krijimin e një pushteti të pakufizuar rreth kryeministrit Sali Berisha. Dhe kur flasim për përbindësha, nuk është fjala thjesht për pedofilë apo perversë si ai i Sarandës, që i gjen edhe në demokracitë më të zhvilluara dhe që PD po përpiqet, me naivitet e perversitet politik përzier bashkë, ta shesë sikur është një përbindësh i pjellë nga sistemi që ka krijuar Rama. Është fjala për krijesa politike, përbindësha pjellë të veseve të pushtetit dhe jo thjesht të veseve të njeriut. Është fjala për përbindësha që deri edhe vrasin për pushtet. Nuk është fjala thjesht për përbindësha që i lind pushteti i vesit, por për përbindësha që i lind vesi i pushtetit dhe që Berisha dhe të tjerë pranë tij, e kanë me pashë. Autokratizmi nuk mund të jetë opsion për shpëtim nga autokratizmi!



***

Këto ditë, PD po bën shumë zhurmë për gjoja rrjetin partiak të infiltruar në sistemin e rekrutimit publik të punonjësve. Nuk them se sot mungojnë praktika të tilla, reminishencë jo vetëm e praktikave të partisë-shtet, por edhe e rrjetit tradicional shqiptar dhe antimeritokratik të fisit, krahinës e shokëve. Por nuk mund të besoj se mund të vijë ndonjë e mirë në këtë rrafsh nga një parti dhe lider që kur erdhën në pushtet më 2005, vetëm në pak javë flakën nga punët me mijëra vetë dhe që për punësimin kishin kriter pikërisht ato kundër të cilave ulërasin tani, urdhrat dhe kriteret partiake. Dëgjoj PD që ankohet për borxhet e marra nga qeveria “Rama”. Por nuk mund të besoj në sinqeritetin e kësaj kritike, sepse e di me siguri aritmetike që në 8 vjet, qeveria “Berisha” e rriti borxhin nga 40 për qind e Prodhimit Bruto, në afër 70 për qind. Alarmi i saj është i pasinqertë edhe për faktin se borxhi i marrë nga qeveria “Rama” që në muajt e parë të saj, u diktua nga fakti që qeveria e Berishës e kish tharë buxhetin publik për shkak të një aventurizmi të skajshëm antishtet. Po si mund të besohen ankesat e PD për legalizimet kur ajo vetë i zvarriti për turp për 8 vjet? Po për kthimin e pronave, sa të besueshme mund të jenë “shqetësimet” Berishës që vetëm i ka mashtruar pronarët këto dekada në 13 vjet që ka qenë në qeverisje dhe nja 8 në opozitë? Po për të përndjekurit politikë, a nuk është e njëjta gjë? A mund të besosh, pa qenë i roitur në arsye, ose nga halli i një vendi pune ose nga lakmia e milionave korruptive, se PD e ka të sinqertë shqetësimin për të përndjekurit, pasi ke parë si i la të vetëdigjen disa të përndjekur por nuk ua plotësoi që nuk ua plotësoi disa kërkesa? Të njëjtën gjë mund të thuash për papunësinë: Provuar me statistikë, as edhe një i punësuar më shumë nuk rezultoi pas 8 vjet të qeverisjes “Berisha”. Po për korrupsionin? Si mund të jesh i besueshëm se aspiron realisht të luftosh korrupsionin kur gjatë qeverisjes tënde “me duar të pastra”, vendi u zhyt edhe më keq në llumin e korrupsionit sikundër faktohet edhe nga klasifikimet e përvitshme të Transparency International? E njëjta gjë edhe për mjedisin, për ndërtimet pa leje e me leje. A nuk kritikonte deri dje PD Ramën për një projekt ndërtimesh te diga e Liqenit Artificial në Tiranë, ndërsa sot, ka vetë ambicie të realizojë të tilla projekte me anë të bashkiakut Basha? Jo vetëm një njeri, siç ka thënë Oskar Uajlld, por edhe një parti nuk është aq e pasur sa të blejë të kaluarën e vet. PD nuk e blen dot të kaluarën e vet, por ajo mund të fitonte të ardhmen, nëse do të braktiste të kaluarën. Nënkuptohet, edhe Berishën. E nëse jo? Do të marrë fund bashkë me Berishën.
Shtuar më 21/08/2014, ora 14:19
Tage: Shqip
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori