Ndërtimi te diga, “jo” Ramës dje, “jo” Bashës sot
Pëlqej
Albeu.com
Po të thuash sot se je kundër ndërtimit të disa pallateve shumëkatëshe mu te diga e Liqenit Artificial, padyshim që do të akuzohesh nga opozita se je bërë palë me pozitën kundër opozitës.

Sepse është edhe Partia Socialiste që sot kundërshton ndërtimet te diga sipas një projekti, të cilit, i është dhënë drita jeshile nga Bashkia e Tiranës. Prandaj t’u thuash “jo” ndërtimeve në fjalë është si t’i thuash “jo” Bashës dhe “po” Ramës. Pozicionimi politik duket i pashmangshëm. Por vetëm në dukje. Sepse në realitet nuk është fare kështu. Ngaqë ka edhe një qëndrim tjetër të tretë, ai i shoqërisë civile (posaçërisht i lëvizjeve ambientaliste) që u kanë thënë “jo” ndërtimeve te diga e Liqenit në të gjitha kohërat, edhe dje, edhe sot.
***
Andi Bushati nënvizonte në një artikull për këtë temë se, projekti i pallateve te diga, është si një kënetë ku janë zhytur të gjithë palët. Natyrisht e kish fjalën për dy kampet kryesore politike PD-PS. Dhe nuk gabon. Por ndërkaq është mirë të theksohet se ka edhe një palë që nuk është zhytur në këtë llum dhe që nuk ka asnjë interes të zhytet në të. Dhe këta, janë qytetarët.
***
Nuk është e para herë që Bashkia e Tiranës tenton të realizojë një projekt masiv pallatesh në hapësirën e mbetur (d.m.th. që ka shpëtuar pa u betonizuar) pas digës së Liqenit Artificial. Ca vite më parë, kur bashkia drejtohej nga Edi Rama, publikut ju servir një tjetër projekt pallatesh, po kaq i madh sa ky që servir Basha sot. Dhe si përherë në raste të tilla, siç po ndodh edhe sot, avokatët e projektit flisnin për të “mirat” që përfitonte publiku nga zënia edhe e kësaj hapësire nga tonelata të tjera betoni. E vërteta është krejt tjetër. Publiku jo vetëm nuk fiton asgjë nga ndërtime të tilla, por humbet shumë. Projekti që servirej nga bashkia e Edi Ramës, do të shënonte një tjetër kryqëzatë betonizimi kundër gjelbërimit në Tiranë, kundër së vetmes mushkëri që i ka mbetur kryeqytetit, parkut të Liqenit Artificial. Prandaj në atë kohë, shoqëria civile iu kundërvu me të gjithë mundësitë e saj atij projekti. Mbaj mend se në një takim ballafaques me Eduard Shalsin, atëherë nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, kemi kundërshtuar projektin. Një nga argumentet kryesore që ofruam ishte fakti i trishtuar i reduktimit të hapësirës së gjelbër në Tiranë në as 2 metër katrorë për njeri. Që do të thotë se të gjallëve në kryeqytet u takon më pak hapësirë e gjelbër se sa të vdekurve mbi varret e tyre.
***
Qytetarët nuk kishin dhe nuk kanë asnjë interes për ndërtime të tilla që ngjasojnë me male betoni. E vërteta është se bashkia u tërhoq atëherë nga ai projekt. Por lakmia e klaneve të ndërtimi nuk njeh lodhje. Si Anteu i betonit ajo gjen forcë te pushteti bashkiak i radhës. Këtë herë tek administrata e Lulzim Bashës. Dhe ky i fundit, edhe pse u ka dhënë të kuptojë qytetarëve se nuk do të lejonte ndërtime në zonën që flasim, befas na del me një projekt po aq të frikshëm dhe të shëmtuar sa edhe ai i dikurshmi i Ramës! Dhe kërkon ta shesë këtë projekt sikur është më i miri në interes të qytetarëve. S’ka asnjë dyshim që i marrin qytetarët për budallenj. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që një projekt që deri dje shpallej si një e keqe e madhe për ta dhe produkt i korrupsionit, sot ua shet si e mira më e madhe e tyre! Por qytetarët nuk janë budallenj. Ata i njohin mirë interesat e tyre. Në fakt, vetëm qytetarët kanë interesa ndërsa politikanët kanë vetëm lakmira e gjakime. Qytetarët e dinë mirë se interesi i tyre nuk është betonizimi i mëtejshëm i Tiranës por shtimi, sa të jetë e mundur më shumë, i hapësirave të gjelbra. Në interes të qytetarëve është që pjesa prapa digës së Liqenit të gjelbërohet, që parku të zgjerohet dhe jo të ngushtohet nga ndërtimet e betonizimet. Kryeqyteti ka nevojë urgjente për më shumë gjelbërim. Interesi qytetar është tepër evident. Nga qartësia e këtij interesi buron edhe integriteti qytetar. Dhe ngaqë interesi qytetar është shumë i qartë për vetë qytetarët, “dhelpra” e Bashkisë nuk do të mund t’ua shesë betonin për… “djathë”. As këtë herë. Ata qytetarë që i thanë dje “jo” Ramës do t’i thonë sot “jo” edhe Bashës.
Shtuar më 27/08/2014, ora 16:38
Tage: Shqip
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori