Me Lulzimin qytetarët e hanë të parët!
Pëlqej
Albeu.com
Duket sikur kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe gjoja lideri i opozitës, Lulzim Basha, i ka vënë vetes detyrë që të provojë me vepra se slogani i tij “qytetarët janë të parët”, nuk është asgjë më shumë se një mashtrim i rëndomtë. Dje, thuajse në të njëjtën kohë që Edi Paloka, kreu u grupit parlamentar të opozitës, paralajmëronte një përplasje të Kryeministrit Edi Rama me qytetarët, përplasja po ndodhte. Madje jo shumë larg Parlamentit. Veç objekt i zemërimit qytetar nuk ishte Rama, por kryetari i bashkisë, Basha. Një grup pronarësh tiranas i zunë rrugën Bashës duke i kërkuar llogari për çmimin qesharak me të cilin, bashkia ka planëzuar të kompensojë financiarisht familjet për shtëpitë e tyre që do të prishen në funksion të realizmit të projektit të bulevardit të ri. Dhe nga përgjigjja e tij kanë kuptuar se me qeveritarë si Lulzim Basha, qytetarët jo vetëm nuk janë të parët, por e hanë të parët!

***

Hipokrizi e ke emrin politikë! Disa javë më parë disa banorë të Tiranës u revoltuan kur mësuan se Bashkia e Tiranës dhe qeveria e atëhershme “Berisha”, kishin vendosur që shtëpitë e planëzuara për t’u shkatërruar t’i kompensonin financiarisht me një vlerë prej 26 mijë lekësh për metër katror në një kohë që çmimi i tregut, në atë zonë, nuk bie më poshtë se 1200 euro për metër katror. I ndodhur përballë turmës së revoltuar, ndërsa përuronte nisjen e punimeve për bulevardin e ri, kryetari Basha u premtoi qytetarëve se do të bisedonte për të rishikuar çmimin e kompensimit. Nuk është çudi që jo pak qytetarë janë qetësuar aty për aty. Por dje ata patën një tjetër rast që të provojnë se buzëqeshja e Bashës nuk është aq e ëmbël sa duket, ashtu si dhe parulla e tij qytetarët janë të parët nuk është aq e mirë sa duket. Sepse po ai Bashë që u kish premtuar rishikimin e çmimit të kompensimit u tha, madje pa e cenuar fare buzëqeshjen, të zgjidhnin një përfaqësi për të parë në zyrën e Bashës (sepse problemet e bulevardit nuk u zgjidhkan në bulevard) se sa qytetarë janë dakord me marrëveshjen për një çmim qesharak prej 26 mijë lekësh për metër katror. U pa qartë se rishikimi i çmimit të kompensimit ishte zhdukur nga fjalori i Bashës. Dhe çfarë i duhet kryetarit se sa qytetarë janë dakord me mikroçmimin që ai ofron në këmbim të shtëpive të tyre?

***

Demokracia nuk është mjeti i duhur për të zgjidhur ato probleme që i zgjidh vetë tregu. T’u thuash qytetarëve hajdeni të shikojmë se kush është dakord me çmimin 26 mijë lekë për metër katror kur tregu flet qartazi për një çmim rreth 1200 euro metër katror, është jo vetëm të mos bazosh politikat qeverisëse te tregu i lirë, por edhe t’i marrësh qytetarët për budallenj. Dhe ta zëmë se shumica e tyre do tregohen budallenj dhe do “votojnë” në zyrën e Bashës në favor të çmimit qesharak prej 26 mijë lekësh. Por sikur një qytetar i vetëm të mos jetë dakord me këtë çmim ç’do të bëhet, do t’i mohohet atij e drejta që buron nga tregu i lirë vetëm dhe vetëm se shumica solidarizohet me propozimin e kryetarit të bashkisë kundër interesave të veta? Demokracia dhe votimi është forma më e përshtatshme për të caktuar se kush do na qeverisë, për shembull për të caktuar “çmimin” e një politikani, por jo për të caktuar çmimin e disa gjërave të tjera. Ajo nuk është një mjet i volitshëm për, të themi, vendosur sa do jetë interesi bankar për depozitat apo, si në rastin konkret, për të caktuar çmimin e kompensimit të banesave që do prishen për qëllime publike. Sikur Banka e Shqip">Shqipërisë t’i vendoste interesat sipas dëshirës së shumicës (akoma më keq të qeverisë) ekonomia do kalonte shumë shpejt në katastrofë. Demokracia funksionon në bazë të parimit të shumicës dhe kjo e fundit jo rrallë, nuk vendos drejt. Dhe që të mos vendosë shtrembër duhet që demokracia, si dhe përfaqësuesit e saj të zgjedhur, të respektojë çmimet e tregut dhe të drejtën që buron nga tregu. Sepse nëse nisim të korrektojmë çmimet e tregut duke u nisur nga vullneti i shumicës apo interesi publik do përfundojmë në sakrifikimin e interesave private njësoj si në kohën e komunizmit kur pronat shtetëzoheshin thuajse pa asnjë shpërblim apo tokat kooperativizoheshin se ashtu donte shumica ngaqë po ashtu u thoshte Partia!

***

Lulzim Basha është kryetari i një partie që pretendon se është e djathtë dhe tregun e lirë e shpall si themelin e gjithë politikave dhe strategjive të saj. Prandaj duket e habitshme sesi në një çështje kaq të ndjeshme si kompensimi financiar i shtëpive, Basha neglizhon krejt të dhënat e tregut dhe duke bërë këtë, dhunon edhe të drejtën, në mos në të njëjtën masë, të pakën ngjashmërisht me regjimin e dikurshëm komunist (që Basha thotë se e urren shumë) që të shtetëzonte pronën pa të pyetur fare! Duket mendon se dallimi i komunizmit me demokracinë qëndron vetëm në faktin se në komunizëm pushteti ta shtetëzon pronën pa të kompensuar, ndërsa në demokraci ta shtetëzon duke bërë sikur të kompenson. Po të qe kështu dallimi mes demokracisë dhe komunizmit do të qe identitet, demokracia do qe diktaturë, e diktatura demokraci. Ajo që e dallon demokracinë liberale, si sistem, nga komunizmi është se ajo themelohet mbi shumëllojshmërinë e lirive, atë të tregut të lirë dhe shenjtërimin e pronës private në radhë të parë. Që do të thotë se asnjë qeveri nuk ka të drejtë të dëmtojë pronën private. Qeveritë në demokraci krijohen që ta mbrojnë pronën private. Edhe nëse duhen bërë shtetëzime të pronës private për interes publik, ato duhet të kompensohen me vlerën e tregut. As më shumë as më pak. Sepse të kompensosh më pak është padrejtësi, të kompensosh më shumë është korrupsion! Vetëm respektimi i të drejtës bën që qytetarët të jenë të parët. Në çdo rast tjetër janë ata që e hanë të parët. Edhe pse kryetari Basha mund t’ju thotë ndryshe ndërsa, si përherë, buzëqesh!
Shtuar më 05/10/2013, ora 13:15
Tage: Shqip
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori