Kanceri i votës, Volfart dhe fluska e reformës
Albeu.com
Të papërgjegjshëm, të korruptuar apo të paaftë? Këto janë pyetjet që ngrihen për të shpjeguar kodin e sjelljes së drejtuesve të OSBE në Tiranë tani kur sapo është përhapur lajmi se reforma zgjedhore ndodhet përsëri në buzëhumnerën e dështimit. Shqip">Shqipëria ka mbi 20 vjet që, mu përpara syve të OSBE, vuan e mbërthyer nga kanceri i vjedhjes së votës. Prandaj nuk mund të mos shtosh: Ç’bëjnë drejtuesit e OSBE në Tiranë, punojnë për çrrënjosjen e këtij kanceri apo rrinë dhe vështrojnë (s’dihet sepse) perfeksionimin e mekanizmit të grabitjes së sovranitetit nga një mjeshtër i hershëm i manipulimit të votës si Kryeministri Berisha? Cili është misioni i vërtetë i tyre në Shqip">Shqipëri?

***

Eugen Wolfart, ambasador i OSBE në Tiranë, është vënë prej kohësh në qendër të kritikave të disa gazetarëve për mbështetjen e hapur që i bën qeverisë dhe Kryeministrit duke u shndërruar thuajse në një jehonë e fjalëve a hije e interesave të tyre. Vetëm pak kohë më parë, kur thuajse i gjithë korpusi diplomatik perëndimor në Tiranë bënte thirrje që Presidenti i Republikës të zgjidhej me konsensus, Wolfart befasoi duke “zbuluar” se Kushtetuta e lejonte që mazhoranca ta zgjidhte e vetme Presidentin! Një deklaratë kjo në sinkron të plotë me ambicien jo të fshehur të autokratit Berisha për të kapur edhe postin e Presidentit dhe me anë të tij, krejt sistemin. Dhe kur dihet se pa ndarje pushtetesh nuk mund të ketë liri dhe demokraci, por vetëm tirani, nuk mund të mos pyesësh: Kujt i shërben ambasadori Wolfart, opsionit të lirisë apo tiranisë në Shqip">Shqipëri? Dhe nëse Wolfart do sillte si justifikim për sjelljen e tij, deformimet e Kushtetutës në prill të vitit 2008, kjo do ishte një avokati tipike berishiste që paraardhësi i tij, Bosch, edhe pse fajtor në inkurajimin e amendamenteve të Kushtetutës, pati integritetin që të mos e përdorë asnjëherë.

***

Konformizmi pa integritet i ambasadorit Wolfart me deklarimet por, me sa duket edhe me projektet autokratike të Berishës, po bën që të dështojë edhe reforma zgjedhore. Pak kohë më parë, publiku dëgjoi se grupet e punës të PS dhe PD, kishin arritur në konsensus lidhur me aplikimin e numërimit elektronik, si dhe verifikimin po elektronik të zgjedhësve me anë të kartave të identitetit. U ngjallën shpresat se më në fund edhe Shqip">Shqipëria do mund t’i shpëtonte kancerit të vjedhjes së votës. Ndërkaq, jo pak skeptikë habiteshin se si ishte e mundur që Berisha, i denoncuar që në vitin 1996 si kleptoman i votave, kish pranuar të instalohen mekanizma elektronikë që i kufizojnë jo pak shanset e vjedhjes?! Nuk do vononte dhe habia e tyre do merrte përgjigje. Befas mbiu nga Vjena një specialist i OSBE-ODIHR që deklaroi se numërimi elektronik i votave paska problemet e veta dhe se ai duhet zbatuar shkallë-shkallë, vetëm në ndonjë zonë si projekt-pilot, e vetëm më pas në shkallë vendi. Që do të thotë se edhe në 2013 shqiptarët do shkojnë në zgjedhje me sistemin e vjetër, me agoninë e numërimit të votave në netët e errëta të shndërruara në gjirize mashtrimi, dhune dhe konflikti. I gjithë konsensusi i arritur për numërimin elektronik, si dhe për atë të regjistrimit automatik të të dhënave të zgjedhësve nga kartat e identitetit, paska qenë një kotësi, një rrahje uji në havan, një dakordësi për diçka të pamundur, një utopi!

***

I pari që nuk e fshehu gëzimin për këtë deklaratë “teknike” të specialistit të OSBE-ODIHR ishte vetë Kryeministri Berisha që nxitoi të pohonte se ajo ishte e drejtë. Madje, Berisha shtoi “fakte” të dështimit të numërimit elektronik edhe në Londër, ku kish pasur probleme për shkak të mbingarkesës, bllokimit të makinave dhe ndërprerjes së energjisë elektrike. Pyetjet që shtrohen para Kryeministrit janë: Nëse nuk furnizojmë dot qendrat e votimit me energji ku është premtimi për 24 orë energji elektrike? Nëse nuk vëmë dot në funksionim disa makina për numërimin e votave apo disa aparatura për verifikimin e kartës së votuesit, ku është “Shqip">Shqipëria dixhitale”? Një vit më parë kish qenë po ky Berishë që kish deklaruar se numërimi elektronik do të ishte përgjigjja më e shkëlqyer për e disa diskutime të panevojshme. Madje ai kish shprehur gatishmëri jo vetëm për numërimin, por edhe për votimin elektronik në Shqip">Shqipëri. Si shpjegohen këto kthesa të tij? Të gjitha gjejnë shpjegim me nordin e fiksuar të Berishës, vjedhjen e votës, mjetin e vetëm që i ka mbetur për të qëndruar në pushtet. Nëse e informojnë se votimi elektronik i krijon hapësira që të vjedhë vota me hakersa të sprovuar ai e pranon, nëse futja me anë të këtij novacioni edhe të votës së emigrantëve i zgjeron mundësitë e manipulimit ai e pranon. Por nëse aplikimi i numërimit elektronik dhe i identifikimit të kartave të identitetit pa votimin elektronik, çon në ngushtimin e hapësirave për vjedhje dhe manipulim, Berisha nuk e pranon. Po si ta rrënojë konsensusin tashmë të bërë publik? Këtu i vijnë në ndihmë aleatët e tij të vjetër “grosrukërit” dhe “volfartët” e OSBE-ODIHR-it që pas një pune 2-3 mujore dhe arritjeje të një konsensusi për numërimin elektronik, u deklarojnë shqiptarëve: Keni rrahur ujë në havan, keni rënë dakord për një diçka të pazbatueshme! Një tallje me fatin e shqiptarëve që 20 vjet pas diktaturës komuniste po hyjnë në diktaturën e votës së vjedhur. Pushteti buron nga gryka e pushkës – thoshin komunistët. Budallenj, mendon Berisha, pushteti buron nga vota e vjedhur, madje po aq pafundësisht. Dhe zyra e OSBE në Tiranë rri e vështron si perfeksionohet mekanizmi i grabitjes së votës dhe pra, edhe sovranitetit. Pse? Janë të papërgjegjshëm, të korruptuar apo të paaftë?
Shtuar më 18/05/2012, ora 04:04
Tage: Shqip

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori