Ambasadori Sequi duhet të flasë "Shqip"
Albeu.com
Ndërkombëtarët ose duhet të ndihmojnë siç duhet ose duhet të hiqen mënjanë. Kështu ka deklaruar dje ish-presidenti Alfred Moisiu, duke u bërë zëdhënës i një pakënaqësie në rritje lidhur me rolin mjaft të dyshimtë dhe larg misionit të tyre të vërtetë, që po luajnë disa përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Tiranë. Kritikës së Moisiut nuk mund t’i shpëtojë edhe një deklaratë e lëshuar po dje nga Ettore Sequi, ambasador i BE në Tiranë, lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Dje, pas një takimi me kryesocialistin Edi Rama, Sequi ritheksoi pozicionin e ndërkombëtarëve “që KQZ të marrë vendimet duhet të ketë më shumë se 4 anëtarë”. Kjo është pikërisht mënyra e të folurit në mjegull, jo troç apo “shqip” si i thonë shqiptarët dhe që, në fakt, është një nga shkaqet e thellimit të së keqes në Shqip">Shqipëri. Këto deklarata të turbullta, që të kujtojnë gjuhën e magjistricave të “Makbethit” mbetet, prej 23 vjetësh, një nga tiparet më të padenja të diplomacisë së ndërkombëtarëve në Shqip">Shqipëri. Një gjuhë që jo vetëm nuk ndihmon shqiptarët të kuptojnë se kush është “derri” dhe kush është “daja”, por që jo rrallë, ka shërbyer që t’i thuhet “derrit”- “dajë”.



***



Është e njëjta gjuhë që përdori edhe Sequi në deklaratën e tij zhgënjyese. Sepse të thuash që marrja e vendimeve nga KQZ kërkon që ai të ketë më shumë se 4 anëtarë është një e vërtetë banale që e dinë të gjithë. Pra, nuk ke thënë asgjë. Sequi mund të kontribuonte diçka për të vërtetën po të korrektonte kolegun e tij, Wolfart, që pati deklaruar se KQZ mund të funksionojë edhe kështu siç është katandisur. Deklaratë që në kohën kur u bë, pengoi të kuptohet se sa kritik ishte problemi dhe maskoi disi të vërtetën banale që po del sot se “KQZ nuk merr dot vendime pa 5 anëtarë”. Kjo mungesë koherence në deklaratat e ndërkombëtarëve jo vetëm nuk po ndihmon, por ka shtuar konfuzionin në opinionin vendas.



***



Thuhet që Sequi është takuar edhe me Berishën për çështjen e KQZ. Pak rëndësi ka sa e vërtetë është kjo gjë. Por është e vështirë të kuptosh se përse ky ambasador troket në derën e liderit të opozitës?! Sepse pozicioni i opozitës dihet. Por mbi të gjitha dihet që opozita nuk është fare fajtore për këtë krizë që ca përfaqësues të Perëndimit e gjejnë (një Zot e di sepse!) më diplomatike ta cilësojnë si “ngërç”. Opozita ka kërkuar ristrukturimin e KQZ të dhunuar në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor nga Kryeministri. Dhe vetëm një ristrukturim 3+3 dhe një kryetar konsensual, do të ishte i drejtë dhe i paanshëm. Ai jo vetëm do t’i jepte fund një shumice tiranike, burim i shumë të këqijave edhe në zgjedhjet e mëparshme, por do reflektonte edhe raportet reale shumicë pakicë në Shqip">Shqipëri. Sepse nuk duhet harruar që me kalimin e LSI në opozitë, në pushtet kemi pakicën dhe një qeveri që nuk ra, por qëndroi vetëm me 3 deputetë të trafikuar nga e majta. Prandaj kjo pseudoshumicë nuk ka asnjë të drejtë morale të kërkojë zbatimin e marrëveshjes arkaike dhe gojore që Sali Berisha paska bërë me Fatos Nanon vite më parë mbi përfaqësimin e pakicave dhe shumicave në KQZ. Aq më pak në kurriz të ligjit.



***



Por Berisha e ka kundërshtuar opsionin e ndershëm të ristrukturimit duke këmbëngulur që opozita të mbushë 3 vendet e mbetura në KQZ duke u bërë kështu, garniturë e shumicës tiranike të besnikëve të Berishës në këtë institucion. Dhunuesi i Kodit Zgjedhor pa pikë turpi kërkon që opozita t’i nënshtrohet dhunës së tij. Por mos vallë një opsion të tillë përtyp në mendje zoti Sequi? Nëse jo, cila është arsyeja që troket te Rama kur duhet që shërimin për krizën e KQZ ta gjejë te shkaktari i sëmundjes, “doktori”?



***



Ka ardhur koha që ndërkombëtarët, Sequi, Wolfart apo edhe Arvizu, të flasin shqip. Ndryshe më mirë të mos flasin fare sikundër këshillon edhe Moisiu. Sepse duke mos folur shqip në vend se t’i qartësojnë i turbullojnë punët dhe mendjet e shqiptarëve. Dhe nuk është puna se ata nuk dinë të flasin “shqip”. Ka pasur raste kur e kanë bërë madje, mjaft qartë. Një i tillë është ai kur në vitin ’97, u bë e qartë se Berisha nuk do të mund ta sundonte situatën me anë të ushtrisë. Atëherë europianë dhe amerikanë, dënuan publikisht sjelljen autokratike të Berishës. Deklarata që patën shumë vlerë për largimin e tij nga pushteti, por që, megjithatë, u bënë shumë vonë, kur shteti thuajse ishte shkatërruar. Vite më parë, kur opozita bojkotonte Kuvendin, ndërkombëtarët nuk e patën aq problem për t’i thënë troç dhe shqip Ramës të kthehej në Kuvend. Por është e vështirë të gjesh qoftë edhe një rast të vetëm që ata t’i thonë diçka shqip Berishës. Nuk po e bëjnë as tani kur Berisha ka dhunuar hapur ligjin duke rivendosur një shumicë besnike në KQZ në funksion të manipulimit të zgjedhjeve. Nuk po e bëjnë edhe pse dihet se është pikërisht qeveria, pra Berisha, që ka përgjegjësira ekskluzive për organizmin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe se tolerimi nga qeveria e një KQZ-je të paanshme, është guri i themelit për një gjë të tillë. Nuk po flasin shqip, por preferojnë të shtiren të “paanshëm” duke i bërë thirrje “klasës politike” (pra askujt) që të zgjidhin nyjën e KQZ që ka lidhur Berisha! Një pozicion i mjerë dhe tashmë, i diskredituar. Thirrja e Moisiut nuk është e rastit, por tregues i sosjes së durimit nga kjo diplomaci tredharake dhe e “paanshme”. Sepse nuk është paanësi, por njëanshmëri me brirë, që të mos thuash se në anën e kujt rëndon faji në një moment të caktuar. Nuk është paanësi ta bësh me zor opozitën aksionere në paketën e aksioneve të një fajësie që i përket vetëm qeverisë. Është njëanshmëri të barazosh në fajësi të dy palët, t’i bësh thirrje për zgjidhje dhe maturi të dy palëve, në një kohë kur është e qartë se zgjidhja e ndershme mund të vijë vetëm nga korrigjimi i gabimit që ka bërë njëra nga palët, së cilës i duhet bërë presion të tërhiqet. Është koha që ndërkombëtarët të flasin “shqip” sa kohë nuk është tepër vonë. Apo mos janë prapë vonë?!
Shtuar më 14/06/2013, ora 16:02
Tage: Shqip

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori