100-vjetori, opozita në Vlorë larg tiranit!
Albeu.com
Qeveria dhe Bashkia e Tiranës, pra Berisha, Basha dhe Meta, janë bashkuar në një thirrje sa provokuese aq hipokrite për opozitën: Ejani të bashkohemi më 28 Nëntor në Tiranë! Bëjnë thirrje për bashkim këta pushtetarë dhe “patriotë” të korruptuar, duke e aluduar se nëse nuk vepron kështu, opozita është përçarëse e kombit. Por mendja e tyre, e ngushtuar nga interesat e pushtetit pa fund dhe pasurimit po pa fund, nuk arrin të kuptojë se tjetër është bashkimi dhe krejt tjetër është grumbullimi për të festuar. Dhe si ujku që fton qengjin, i thonë opozitës: Eja të festojmë, të përmirësojmë imazhin e bashkëjetesës sot që nesër të të… kullufisim!

***

Është banale të flasësh për bashkim “për të mirën e Shqip">Shqipërisë” vetëm për një ditë siç bën Ilir Meta. Por ky demagog nuk e ka problem të bashkohet me këdo kur kjo i volit interesit të tij për pushtet. Edhe me atë që sapo e ka denoncuar si tiran apo kryemafioz. Bashkimi i tij me Berishën është provë e kësaj mungese të skajshme parimesh e maskuar keq me “patriotizëm”. Sot është e qartë se bashkimi i Metës në qeveri me Berishën nuk është një akt patriotik, por një tradhti kombëtare me pasoja të rënda. Sepse la në pushtet atë të keqe që Meta premtoi solemnisht se do ta nxirrte në pension. Dhe sot, pa asnjë turp, fton opozitën, PS-në dhe Edi Ramën, të ndjekin shembullin e tij dhe të bashkëfestojnë përvjetorin e pavarësisë me tiranin më të rrezikshëm të lirisë së shqiptarëve. A nuk do të ishte kjo një përsëritje e historisë së shëmtuar, kur shqiptarët bashkëfestonin për 40 vjet përvjetorët e pavarësisë së bashku me diktatorin Enver Hoxha? Bashkimi, në sensin europian perëndimor, është një dukuri e mrekullueshme. Ai mbi të gjitha është një bashkim në vlera, bashkim në dëshirën për të ndërtuar një shtet me institucione të pavarura që e kontrollojnë qeverinë. Meta, Basha dhe K° janë bashkuar me Berishën në gjakimin për të ndërtuar një shtet, ku qeveria kontrollon institucionet, gjykatat, ku Kryeministri është ai që cakton ç’është mirë dhe ç’është keq dhe institucionet apo gjykatat vetëm firmosin, duke maskuar vullnetin e tij me “drejtësi” apo “ligj”. Nëse opozita do t’u bashkohej festimeve me këta autokratë dhe oligarkë të korrupsionit që ka kapur shtetin, atëherë ajo do t’i shërbente që një projekt antiliri, pra dhe thellësisht antikombëtar, ta maskonin me patriotizëm. Mesazhi që do të jepej në publik do të ishte ky: Berisha vërtet është autokrat, por gjithsesi është patriot. Do të ishte rrena më e madhe për shqiptarët. Armiku më i rrezikshëm i shqiptarëve sot është ai që po i pengon në rrugën e tyre drejt Europës, është autokratizmi. Dhe Berisha është kryekoka e autokratizmit të sotëm në Shqip">Shqipëri. Ndaj do të ishte mashtrimi më i madh për shqiptarët të bashkëfestonin me autokratin. Është njësoj si opozita të bashkëfestonte me Kabilën në Kongo, me Çavezin në Venezuelë, apo me Putinin në Rusi. Ka ardhur më në fund koha që fishekzjarrët e pavarësisë të mos përdoren për të zbukuruar shtypjen e lirisë! Parimisht, është e vështirë për opozitën që të bashkëfestojë me ca autokratë, që në bilancin e qeverisjes së tyre kanë qytetarë të vrarë, për shkak të korrupsionit të qeverisjes, qytetarë të vrarë me plumba, ndërsa ushtronin lirinë e protestës më 21 janar, mijëra qytetarë të përzënë nga puna për bindje politike, të përndjekur politikë të komunizmit të padëmshpërblyer dhe të fyer deri edhe të ndaluar brutalisht ditën e vizitës së sekretares Klinton në Tiranë, mijëra pronarë të mashtruar deri në poshtërim për mbi dy dekada. Do të ishte një kapërcim mbi gjakun e martirëve, mbi lumin e padrejtësive që po përmbyt e përçan shoqërinë shqiptare, një pastrim i duarve të pista dhe të përgjakura të pushtetit, një maskim me bashkim i përçarjes së thellë mes lirisë dhe antilirisë. Opozita do ta kish të vështirë të shpjegonte paradoksin: Berisha edhe tiran edhe patriot?! Sepse armiqtë më të egër të kombit shqiptar janë tiranët, ata që duke gjakuar për një shtet me pushtete të përqendruara në një dorë si në kohërat e diktaturës komuniste, po rrënojnë projektin e krijimit për herë të parë në Shqip">Shqipëri, të një shteti ligjor dhe europian me pushtete të ndara dhe të baraspeshuara. Shqip">Shqipëria nuk do të përparojë kurrë si komb pa ndërtuar këtë makinë shtetërore moderne tipike për Perëndimin. Ajo është e vetmja makinë shtetërore lirie, e aftë të mbrojë qytetarin, liritë dhe të drejtat e tij, nga kërcënimi i qeverive. Shqip">Shqipëria nuk e ka pasur kurrë këtë makinë shtetërore në historinë e vet, prandaj ka mbetur e varfër edhe sot e kësaj dite. Bashkimi nuk është garnituresk. As vetëm njëditor. Kur ekziston ai është jetëgjatë. Sepse bazohet në vlera të përbashkëta. Mjerisht pushteti nuk ka në zemër këto vlera. Prandaj edhe bashkimi në diversitet me opozitën bëhet i pamundur.

***

Por përveç mungesës së vlerave të përbashkëta mes dy kampeve politike, ka edhe një shkak tjetër që pengon bashkëfestimin. Ai ka të bëjë me vetë dinakërinë e Berishës që nuk ka arritur kurrë të ngrihet në nivelin e një kryeministri të të gjithë shqiptarëve. Edhe në rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Berisha u përpoq të ndërtonte një protokoll festimesh që, në mënyrën më provokuese të mundshme, zbeh profilin e Vlorës, të kryeqytetit të pavarësisë së kombit. Edhe një ditë të vetme Berisha nuk mund t’ia falë Vlorës kurajën qytetare që tregoi në vitin 1997, kur u bë motori i revoltës që solli rënien e tij të merituar pas falimentimit të piramidave financiare, që vetë i kish toleruar për vite me radhë. Nuk është fare rastësi që Kryeministri e ka lënë në hije figurën e Ismail Qemalit, ndërkohë që po pompon me profil dukshëm më të lartë figurën e Ahmet Zogut. Edhe këtu autokrati ndjek qëllimin e tij të fiksuar. Ahmet Zogu ka merita në ngritjen e shtetit shqiptar. Por ai është një model jo i mirë për t’u glorifikuar në ditët e sotme. Sepse ai bëri shtet me stabilitet, por jo një shtet me liri për shqiptarët. Në themel të atij stabiliteti ishte shtypja e lirisë dhe e të drejtave. Prandaj e drejta dhe e dobishmja do të ishte që në qendër të festimeve të ishte Ismail Qemali, akti i tij i pavarësisë, i shkëputur dhe i pakompromentuar nga bilancet e varfra të shtetit shqiptar në këta 100 vjet. Duhet festuar pavarësia nga pushtimi i huaj. Por nuk mund të festohet skllavëria që erdhi më pas. As ajo zogiste, as ajo fashiste, as ajo komuniste. Janë dekada të tëra skllavëri. Nuk mund të glorifikohen as përpjekjet e Berishës për t’i zhytur shqiptarët nën një sundim të ri autokratik. Pavarësia ishte një arritje e madhe. Ishte një ringjallje e kombit. Por puna është se çfarë bëri kombi më pas me jetën e tij. Çfarë krijoi, çfarë ndërtoi? Mjerisht sisteme skllavëruese, ku shqiptari e burgosi, vrau, pushkatoi, përndoqi, shantazhoi, kërcënoi, poshtëroi shqiptarin. Po pse Berisha shfaqet ndryshe nga 20 vjet më parë, kaq i afeksionuar për Ahmet Zogun? Vetëm për një shkak, për një obsesion të pafjetur, sundimin e shqiptarëve. Sepse modeli i shtetit që ngriti Ahmet Zogu, është modeli që ai ëndërron të instalojë në Shqip">Shqipëri. Një shtet më zgjedhje false, me Parlament dhe gjykata kukulla që shërbejnë vetëm për të maskuar me ligj pushtetin e tij pa kufij. Duke ngritur në piedestal më të lartë mbretin Zog në këto ditë, kur duhet të festohet 100-vjetori i Pavarësisë dhe jo 100-vjetori i monarkisë, Berisha tenton të ngrejë në piedestal ëndrrën, projektin e tij prej autokrati. Ja pse opozita ka arsyen dhe të drejtën që në emër të kombit dhe lirisë të festojë më 28 Nëntor në Vlorë. Larg tiranit, jo me tiranin! Do të ishte një “përçarje” në favor të lirisë, e shëndetshme dhe jo e sëmurë, jo hipokrite si bashkimi 24 orësh në favor të skllavërimit.
Shtuar më 02/11/2012, ora 17:37
Tage: Shqip

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori