Manipulim mbi manipulimin
Albeu.com
Andi Bushati - Sali Berisha dhe gjithë armata e tij mediatike janë ngërthyer në një betejë false kundër Top Channel-it, duke e etiketuar këtë televizion si një “sharrë në dorë të Edi Ramës”. Që prej një jave, kur televizioni më i madh në vend shfaqi kasetën skandal me përgjimin e dy ish-anëtarëve të rëndësishëm të kabinetit, Kryeministri po mundohet të anashkalojë thelbin e çështjes. Ai dhe daullexhinjtë e tij zhurmonjës, po kapen vetëm pas 30 sekondave, duke u munduar që përmes tyre të sfumojnë të gjithë atë që shpreh dhe tregon kaseta e përgjimit Prifti - Meta.

Në fakt ato “30 sekonda” nuk është se nuk janë të rëndësishme. Me heqjen e tyre të krijohej ideja se në aferën e koncesionit të hidrocentralit, për të cilin Meta po ushtronte presion mbi Priftin, kishte dijeni edhe Kryeministri i vendit. Heqja e asaj pjese të bisedës, e ndryshonte kontekstin e saj. Ajo të linte të kuptoje me shikimin e parë se në këtë ngjarje të turpshme ishte i përfshirë edhe Berisha. Por siç doli më pas, emri i Kryeministrit përmendej në një kontekst krejt tjetër, në atë të zëvendësimit të drejtorit të KESH-it.

Dhe në të vërtetë, ky ndryshim konteksti përbën një problem. Përpara gazetarëve të “Fiks Fare” shtrohen disa pyetje: Përse u bë ky shkurtim i qëllimshëm? Ndoshta për t’i dhënë më shumë bujë një skandali që edhe ashtu qe tronditës? Ndoshta për të krijuar idenë e një megaafere? Apo ndoshta nga një ide partizane, se të gjithë këta janë njësoj, që është gjithnjë e rrezikshme për profesionistët investigues, se i pengon ata të dalin në konkluzione të drejta?

Këto hamendje do të mbetën të tilla deri sa drejtuesit e “Fiks fare” të dalin në publik e të japin sqarimet e tyre. Ata janë të detyruar ta bëjnë këtë, jo për Berishën dhe Metën, por për atë pjesë të publikut që vazhdon t’i besojë, për atë pjesë të publikut që një javë më parë është ndjerë më mirë, qoftë dhe për faktin se ata ekzistojnë.

Dhe me kaq historia e manipulimit mbyllet. Vetë televizioni Top Channel në një emision tjetër të tij, në “Top Story”, bëri transparencën e transparencës, duke treguar se nuk ka asgjë për të fshehur. Se ajo që shihej aty ishte më e madhe se çdo manipulim tjetër. Se ajo që ndodhte në zyrat e shtetit, ishte disa qindra fish më e rëndë se ajo që kish ndodhur në zyrat e “Fiksit”.

Po atëherë pyetja që rri pezull është: Përse edhe pas sqarimit të çështjes, Berisha vazhdon t’i bjerë fyellit në të njëjtën vrimë? Përse shan e ulërin kundër “Top-it”?

Përse ankohet se zërat pro tij po censurohen në këtë ekran, kur çdo shikues e vëren se kjo nuk është e vërtetë?

Arsyet për një gjë të tillë janë disa. Së pari, ato lidhen me një taktikë të vjetër të Berishës, për t’iu shmangur, në publik, thelbit të një çështjeje ku ai ndihet keq. Mjafton t’i kthehemi kujtesës së afërt, në kohën kur e pyesnin për tragjedinë e Gërdecit dhe ai kundërsulmonte opozitën, se përgjigjen e mori me votë në zgjedhjet lokale. Mjafton të kujtojmë gjithashtu se si reagonte ndaj zërave që i kujtonin papërgjegjshmërinë e qeverisë së tij, që e la Shkodrën për të dytën herë të përmbytej.

Dhe atëherë, përsëri, Berisha fliste për kukuvajkat që gëzoheshin nga fatkeqësia dhe për armiqtë e vizave të shqiptarëve.

Kjo taktikë është e njohur. Dhe Kryeministri po e përdor sërish atë për ta spostuar vëmendjen nga kaseta e përgjuar, te militantizmi i “Top Channel-it” dhe shndërrimi i tij në një vegël të Edi Ramës. Ai po përdor një manipulim të pjesshëm, duke u munduar të krijojë prej tij një manipulim më të madh.

Prandaj të gjitha historitë me çakallë, sharra, hedhje apo moshedhje në gjyq, nuk duhen marrë seriozisht. Ato janë një rrahje e papushimtë daullesh që kërkon vetëm të zhurmojë e të mbysë zhurmën reale që shkaktoi kaseta. Fakti se emri i Berishës u fut në kontekst tjetër, fakti se fillimisht u krijua ideja e implikimit të tij në këtë aferë, nuk e lehtëson atë, megjithëse një gjë e tillë rezultoi e pavërtetë.

Megjithëse njeriu Berisha nuk qe i implikuar, shefi i mazhorancës dhe Kryeministri i vendit ishin që ç’ke me të. Sepse ajo bisedë korruptive bëhej nga dy anëtarë të rëndësishëm të kabinetit Berisha. Sepse dhe urdhëruesi (Ilir Meta) edhe përgjuesi (Dritan Prifti) ishin njerëz të tij. Sepse ajo tregon frymën e kusarisë që ka kapluar këtë qeverisje. Sepse ajo tregon lidhjet e vartësisë që krijon Berisha: ju më jepni mbështetjen politike, unë ju hap thesin e parave.

Pikërisht për këtë arsye kryeministri Berisha nuk ka gojë të flasë për Ilir Metën, i cili edhe në ato filmime nuk po bënte gjë tjetër veçse po luante rolin për të cilin kishin rënë dakord, më parë, në heshtje. Po për këtë arsye, Sali Berisha nuk ka gojë të flasë kundër Dritan Priftit, për të cilin fjalët e fundit në publik mbeten lavdërimet përshëndetëse për reformat e shkëlqyera që kryen së bashku. Prandaj Berisha duhet kuptuar kur, nga gjithë ajo kasetë përgjimi, kërkon të flasë vetëm për 30 sekonda, duke dashur që të ngrejë mbi manipulimin, një manipulim edhe më të madh.
Shtuar më 18/01/2011, ora 12:27
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori