Një figurë e pastër dhe konsensuale për KLSH
Albeu.com
Kisha kohë që e kisha dëgjuar të qarkullonte në korridoret e politikës emrin e Dashamir Shehit, për postin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por nuk e kam besuar asnjë çast, për arsyen e thjeshtë: është një profil 100 herë më i kualifikuar se ç’duhet për këtë pozicion. Nuk do t’i kisha nisur këto radhë, në qoftë se nuk do të kisha konfirmuar nga vetë Shehi, me fjalinë modeste “edhe mund ta pranoj, në qoftë se ma propozojnë”. Nuk e di sesi erdhi në treg për këtë pozicion emri i Dashamir Shehit, nuk dua as t’i futem analizës pse është gati ta pranojë Shehi këtë post, (disi poshtë profilit të tij politiko-profesional), por për një gjë jam i bindur: Shqipëria nuk e ka luksin të djegë të ashtuquajturit overqualified dhe me këtë pretekst t’i hapë dritën jeshile atyre less qualified. Nuk kam ndërmend të numëroj pluset e panumërta në CV-në e pasur të Shehit, por një gjë është për t’u nënvizuar: Shehi në këtë post së pari jep një garanci të madhe për gjithë shoqërinë shqiptare dhe jo thjesht për politikën, për ata që do e propozojnë, e më pas do e votojnë: Shkurt dhe shqip, Shehi nuk po shkon në këtë pozicion “për të vënë gjoba”, erën e rëndë që në fakt mban ky post në Shqipëri. Këtë garanci e jep karriera e tij 20-vjeçare. Dashamir Shehi ka qene zëvendëskryeministër e ministër, duke vënë gurë të rëndë reformash pas viteve ‘90 dhe në një kohë kur, siç thuhet, “leku të hynte vetë nga hundët” dhe është nga figurat e pakta të këtyre dy dekadave i pa përfolur për asnjë njollë, sado të vogël korrupsioni. Ka qenë ideator, realizues i dhjetëra reformave, iniciator i shumë ndryshimeve legjislative, i shumë privatizimeve anekënd Shqipërisë dhe në 20 vjet asnjë përfolje sado të vogël: përkundrazi, me gjithë postet që ka patur, nuk ka arritur të marrë as pronat e veta, që, për hir të së vërtetës, nuk i ka të pakta. Një rast i pazakontë ky për një përfaqësues të klasës politike shqiptare!

Nga ana tjetër, Dashamir Shehi, edhe pse politikisht i pozicionuar fort djathtas ideologjikisht, realisht ka distancë të barazvlefshme nga të gjitha ngjyrat e politikës shqiptare. Gjatë kësaj dekade ai kurrë nuk ka bërë pazare majtas, është larguar nga PD-ja dhe ka mbajtur një qëndrim dinjitoz, as duke i gjuajtur me gurë fshehtas PD-së, por dhe as duke iu lëpirë. Shkurt, Dashamir Shehi gjatë gjithë kësaj periudhe ka pirë vetëm nga gota e vet, në të gjitha kuptimet, edhe pse gota e tij mund të ketë qenë e vogël. Ndaj, përveç ndershmërisë, Shehi është dhe një nga figurat më konsensuale për këtë post.

Për paradoks, distancën më të vogël, në krahasim me të gjithë spektrin e politikës shqiptare, Shehi e ka me atë që deri tani ka hezituar ta propozojë: Presidentin e Republikës, Bamir Topi, që nuk është çudi që në vitet ‘90 ta ketë marrë përdore dhe ta ketë sjellë në dyert e Partisë Demokratike. Shumëkush habitet, madje ka dhe nga ata që pyesin pse heziton presidenti Topi të propozojë për këtë post “një të sojit të vet”? Madje, ka nga ata që, duke patur pikërisht parasysh figurën e Shehit dhe pikëtakimet që ai ka me Topin, shkojnë dhe më larg: “Pse nuk propozon Topi një të Partisë së vet”? Ideologjikisht dhe në pikëpamje të tregut politik, të dyja këto figura pak a shumë kanë lundruar në të njëjtat ujëra, e kanë krijuar profilin e tyre duke përdorur pak a shumë të njëjtin brumë elektorati, dhe fundja fundit, mesa di unë, janë dhe miq. Janë aq miq, të paktën parë nga këndvështrimi Shehit, saqë Bamir Topi ka qenë i vetmi politikan këto vite që është vlerësuar publikisht për rolin e tij si President nga ana e Shehit. Nuk mjaftojnë gjithë këto motive për Bamir Topin të guxojë të propozojë për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një figurë të pastër, konsensuale dhe fundja fundit mikun e tij Dashamir Shehi? Dhe refuzimi virtual, qoftë i të djathtëve, qoftë i të majtëve në këtë rast do të ishte vështirë i motivueshëm.

Ka zëra që thonë se për Topin, tashmë kur duket se po mendon më shumë për Partinë e Re, është më i rëndësishëm testimi në Parlament i rrymave brenda së djathtës, për të matur peshën e vet reale në politikë më 2012, kur dhe do të jetë një politikan i thjeshtë apo një Kryetar i Ri Partie. Unë shpresoj që pas këtyre testimeve të pavlera politike, presidenti Topi t’i kthehet “sojit të vet”, aty e ka vërtetuar që ka peshën dhe fuqinë dhe t’i japë Shqipërisë një Kryetar të ndershëm e konsensual Kontrolli Shteti, pse jo në të njëjtën kohë dhe mikun e vet, “të sojit të vet”, Dashamir Shehi.
Shtuar më 03/11/2011, ora 15:36
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori