Angazhimi i Presidencës dhe shqetësimet e ndërkombëtarëve
Albeu.com
Pasi situata e ngërçit politik e institucional ka vazhduar të jetë e njëjtë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar disa raunde takimesh në Zyrën e Presidencës me liderët partiakë. Mirëpo, Zyra e Presidencës ende nuk ka marrë ndonjë opsion nga partitë politike se si të tejkalohet kriza rreth formimit të institucioneve të reja. Pas çdo përmbyllje të rrethit të bisedimeve me liderët partiak, Partia Demokratike e Kosovës në njërën anë dhe blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje, në anën tjetër, vetëm i kanë përsëritur qëndrimet dhe pozicionet e tyre fillestare.

Krerëve partiak u është rekomanduar çdo herë se zgjidhja duhet të gjendet në mënyrë që vendi të mos shkoj në zgjedhje.

“Liderët e partive politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje konform kuadrit kushtetues dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe duke iu përmbajtur parimeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës”, është thënë në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes, transmetojnë mediet në Kosovë. Aty është thënë po ashtu se Kosova nuk mund të lejojë vazhdimin e krizës politike, financiare e buxhetore, sepse kjo do t'i dëmtonte qytetarët edhe partneritetin strategjik ndërkombëtar. Zyra e Presidencës përveç disa takimeve, që nga disa krerë të subjekteve politike filluan edhe të banalizoheshin, nuk është se e kreu detyrën e saj si garantuese e funksionimit kushtetuese të vendit. Duke e parë mungesën e një zgjidhjeje politike për krizën institucionale, presidentja Atifete Jahjaga u ka bërë me dije liderëve të partive politike se mungesa e zgjidhjes mund të çojë edhe në zgjedhje të reja.

E kuptuar, Zonja Jahjaga ka mundur të jetë edhe e dezorientuar nga lloj-lloj mendimesh e prononcimesh të faktorit vendor e ndërkombëtar në Kosovë dhe ende nuk po arrin të bindet në fuqinë e saj si Presidente e një shteti me demokraci të rregulluar, se ajo mund të veprojë për ta ndihmuar zgjidhjen e krizës. Përcaktimi i afateve dhe nevoja e iniciativave të prera e të fuqishme nga ana e Zyrës së Presidencës do ta nxirrnin Zonjën Jahjaga si faktor vendor me kapacitet të plotë Kushtetues. Dezorientimi i Presidentes Jahjaga mund të shihet mes dy qëndrimeve, me të parin kërkohet zgjidhje e krizës pa shkuar në zgjedhje, kurse me të dytin edhe zgjedhjet shihen si zgjidhje nga ana e shefes së shtetit.

Ajo çfarë kanë përçuar gjatë ngërçit politik, krerët dhe subjektet politike në vend, ku Kosova për më shumë se katër muaj nga dita e zgjedhjeve nuk i ka organet drejtuese të institucioneve shtetërore, është pazotësia dhe mosinteresimi për përparimin e Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare e stacionuar në Kosovë, kryesisht, në prononcime zyrtare i ka ftuar vendorët ta zgjidhin krizën politike. Shqetësimet e ambasadave në Kosovë janë vërejtur, mirëpo rekomandim të drejtpërdrejt nuk kanë dhënë, edhe pse në prononcimet e tyre është e mundur të lexohet se nuk është se janë krejt neutral me situatën.

Ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff, gjatë një konference të mbajtur në Prishtinë, ka kërkuar që Kosova të lëviz sa më shpejt drejt formimit të institucioneve të Kosovës, të Kuvendit dhe Qeverisë. Ai ka thënë se: "Po vërehet se ka rritje të frustrimit me politikanët në Kosovë që nuk janë në gjendje të zgjidhin një problem mjaft të vogël që ka të bëjë me formimin dhe funksionalizimin e institucioneve. Frustrime me ta ka edhe në Bruksel, në Londër dhe gjithandej".

Edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka kërkuar angazhim të subjekteve politike për zgjidhjen e krizës politike në suaza të ligjit e Kushtetutës. Po e njëjta është kërkuar edhe nga ambasadorja amerikane në Kosovë, Jacobson. Kërkesat, shqetësimet edhe pritjet e ndërkombëtarëve nuk është se e kanë nxitur spektrit politik të mendoj që të kthehet në lojën me rregulla të pranuara nga të gjitha palët.
Shtuar më 02/11/2014, ora 20:36
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori