E FUNDIT/ Plagoset me pistoletë silenciator një person pranë piramidës
Pasqyra deformuese
Albeu.com
Falë konstruktivitetit të delegacionit të Kosovës në bisedimet e Brukselit, Serbia po duket konstruktive ndaj shqiptarëve pasi që s’la gjë pa iu bërë atyre për më shumë se një shekull. Secili raund i bisedimeve midis dy delegacioneve sjell imazhe të fytyrave të qeshura, komunikimit të përzemërt dhe shtrëngimit të duarve midis Tahirit dhe Stefanoviqit. Këto dy palë po e krijojnë përshtypjen se nuk kanë asgjë të keqe me njëra-tjetrën, se askush askujt aty nuk i ka borxh dhe se bëhet fjalë për marrëdhënie normale midis tyre. Nga këto pamje sigurisht që nuk mund të përfitojë Kosova dhe shqiptarët por Serbia dhe vetëm ajo.

Opinioni publik ndërkombëtar e pret që ne të mos jemi aspak dashamirës me Serbinë dhe zyrtarët e saj për shkak të së kaluarës shumë të hidhur të cilën s’kemi se si e harrojmë. Fundja, kjo e kaluar edhe s’është e kaluar përderisa pasojat e saj janë aktuale gjithandej: personat e pagjetur, fëmijët bonjakë, gratë e dhunuara, invalidët e luftës etj. Kur kësaj i shtohet fakti i obstruksioneve që i bën Serbia, bota e qytetëruar nuk befasohet aspak nga qëndrimi ynë kundërshtues ndaj Serbisë. Mirëpo, ajo sigurisht se çuditet pikërisht nga ky konstruktivitet absurd i politikanëve kosovarë. Dihet që Gjermania edhe sot e kësaj dite vazhdon të paguajë dëmshpërblim për krimet e nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shumë fshatra nëpër Evropë as turistët gjermanë nuk janë të mirëseardhur (e madje ka fshatra të tilla ku edhe shkruan në mënyrë eksplicite një gjë e tillë).

Bisedimet në Bruksel po funksionojnë si një aso pasqyre e cila i deformon objektet që i pasqyron. Zakonisht fëmijët i kanë qejf këto pasqyra sepse argëtohen duke u dukur shumë më të gjatë ose më të shkurtër, me kokë të madhe e trup të vogël ose anasjelltas etj. Përmes këtyre bisedimeve Serbia po duket normale, ashtu siç nuk është në realitet. Nëse fëmijët befasohen se si përmasën e tyre normale e deformojnë këso lloj pasqyrash, bisedimet midis Kosovës e Serbisë në Bruksel të befasojnë me pamjen normale të Serbisë. Një Serbi që s’është fare normale po ngjan krejtësisht normale në Bruksel duke iu falenderuar delegacionit kosovar atje. Pra, ekipi i kryesuar nga zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri funksionon si një pasyrë që e deformon imazhin e Serbisë: Serbia e mbrapshtë ashtu qysh e kemi njohur gjithmonë tash duket e mirë dhe normale.

Kjo pasqyrë deformuese prej negociatorësh kosovarë kontribuon në mbivlerësimin që disa qarqe në Bruksel ia bëjnë kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq. Nga deformimi që normalizon fshihet fakti që karshi faktorëve ndërkombëtarë Tadiqi sot vetëm sa po e vazhdon lojën e dikurshme të Milosheviqit. Në vitet e ’90-ta Milosheviqi shantazhonte ndërkombëtarët duke iu thënë që nëse s’bashkëpunojnë me të atëherë do të detyrohen të merren me Vojislav Sheshelin. Tani Tadiqi u thotë ndërkombëtarëve se ai është shpresa e vetme për BE-në meqë pa të në pushtet vjen radikali tjetër Tomislav Nikoliq.

Nëpërmjet këtij dialogu Kosova po i ndihmon Serbisë që ajo një ditë të bëhet anëtare e BE-së jo vetëm para Kosovës por edhe para Shqipërisë, ndërkohë që ajo do të avancojë para Kosovës e Shqipërisë përgjatë integrimeve evropiane. Kësisoj, bisedimet pa kushte me Serbinë do ta ndihmojnë Serbinë që të na kushtëzojë ajo neve më vonë.

Është mirë që njeriu të jetë konstruktiv por vetëm pasi ta ketë kuptuar se në cilin konstruksion ai do të jetë konstruktiv. Pra, para se të jemi ndërtues duhet ta kuptojmë se në cilën ndërtesë do të jemi ndërtues, e kujt është ajo ndërtesë, kush e nisi atë, si do të jetë ajo dhe kujt do t’i shërbejë.
Shtuar më 18/05/2011, ora 10:00
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori