Emancipimi politik
Pëlqej
Albeu.com
Albin Kurti - Nuk ka ndryshim të politikës pa politizim të qytetarit. Politikës së mbrapshtë ndaj qytetarëve duhet t’i kundërvihet rezistenca e drejtë e qytetarëve. Duke kundërshtuar regjimin, qytetarët e thellojnë kritikën e tyre, e zhvillojnë diskutimin ndërmjet veti dhe formësojnë rrugëdaljet nga gjendja e papranueshme. Rezistenca është emancipuese. Qytetarët duhet të bëhen politikanë në mënyrë që politikanët të (ri)bëhen qytetarë. Atëherë kur qytetarët interesohen për politikën edhe politikanët doemos interesohen për qytetarët. Hendeku ndërmjet të përfaqësuarve dhe përfaqësuesve zbutet me afrimin e të dyja palëve, mirëpo janë qytetarët ata që e nisin dhe imponojnë këtë afrim. Rezistenca prin. Ndryshimi i pushtetit pason.

Thirrjet për depolitizim të qytetarëve janë naive ose dashakeqe. Naive, atëherë kur departizimi ngatërrohet me depolitizimin. Të irituar nga të gjitha partitë politike gabimisht mund të besohet që problemi është politika dhe jo partitë. Dashakeqe, atëherë kur përjashtimi i qytetarëve synohet përmes vetëpërjashtimit të tyre. Duke i qëndruar anash angazhimit politik vetëm sa mbetesh përfundi politikës aktuale.

Jeta jashtë politikës është iluzion. Të interesohesh për jetën është një çështje politike. Të interesohesh për politikën është një çështje jetësore. Ekonomia, siguria, arsimi, shëndetësia, kultura janë çështje politike sepse varen nga politikat ekonomike, të sigurisë, të arsimit, të shëndetësisë e të kulturës. Realiteti që e jetojmë është pasojë e politikave të caktuara. Jeta reale që bëjmë është e përcaktuar nga politikat. Pozicioni i patër jashtëpolitik nuk ekziston. Asnjëherë, për askë. Prandaj, për ata që i duan ndryshimet, ‘neutralët’ gjithmonë ndodhen në anën e atyre që nuk i duan ndryshimet.

Aktivizimi i qytetarëve të pakënaqur është kushti i ndryshimeve. Ndryshimi politik e nënkupton ndërrimin e pushtetit por nuk mjaftohet me të. Sepse qëndrueshmëria e një ndryshimi të ri politik sigurohet nga ndryshimi i kulturës së vjetër politike. Kur ikën klienti nga një bujtinë duhet të ndërrohen çarçafët, apo jo? Domethënia e pushtetit të ri nuk mbaron me pushtetarët e rinj. Një marrëdhënie e re ndërmjet qytetarëve dhe pushtetarëve është jo më pak e rëndësishme. Pikërisht ajo garanton moskthimin e së vjetrës dhe lulëzimin e së resë. Qytetarët nuk duhet të jenë të punësuarit e pushtetit. Qytetarët janë punëdhënësit e pushtetit që e paguajnë atë për t’i shërbyer vetë qytetarëve. Pushteti është shprehje e marrëdhënies së ndërmjetësuar të një populli me vetveten.

Ata që e kanë kuptuar të keqen e një gjendjeje kanë më shumë përgjegjësi për ndryshimin e saj. Ata që kanë më shumë mundësi për ndryshimin e asaj gjendjeje kanë më shumë përgjegjësi për realizimin e atij ndryshimi. Të kuptuarit dhe mundësia përkthehen në përgjegjësi.

Qytetarët e emancipuar duhet t’i emancipojnë të tjerët. Pa harruar që nuk mund t’i mësosh njerëzit pa mësuar edhe prej tyre. Paraprakisht dhe njëkohësisht. Njeriu është i mirë dhe, ashtu siç na mëson Rousseau, atëherë kur njeriu nuk është i mirë, janë faktorët e jashtëm që e kanë detyruar atë të bëhet i keq. Koha nuk punon për pushtetin në Kosovë. Prandaj nuk ka shumë kohë. Prandaj duhet të ketë shumë punë.

Bashkë me qytetarët mund të bëhet më së miri identifikimi i problemeve. Dhe, pastaj, bashkë me qytetarët mund të gjenden zgjidhjet më të mira të atyre problemeve. Mbase disi ngjashëm sikurse te problemet matematikore ku vështirësia kryesore është deri sa të shtrohet ekuacioni.
Shtuar më 25/11/2010, ora 10:30
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori