Ramush Haradinaj: Kjo Qeveri ka humbur shumë kohë

17.04.2008,  ora 00:22


Portali Albeu
nga Drilon ZogajIsh-kryeministri Ramush Haradinaj është i bindur se nëse nuk do të ndërpritej puna e tij në krye të Qeverisë në vitin 2005, Kosova do të ishte në një gjendje shumë më të mirë.Ai vlerëson se puna e deritashme e Qeverisë, e drejtuar nga Hashim Thaçi, është kohë e humbur. Këshillon që zyrat të hapen herët në mëngjes, të punohet deri në mbrëmje, shtatë ditë të javës. Betejën politike të nisur me Qeverinë e konsideron mision në shërbim të lirisë, demokracisë dhe të jetës më të mirë në Kosovë


Ramush Haradinaj punën e deritashme të Qeverisë së Kosovës e quan improvizuese dhe të orientuar kah krijimi i marketingut politik. Ai thotë se puna e deritashme e saj është kohë e humbur. Nuk ia kthen me të njëjtën monedhë Thaçit dhe PDK-së deklaratat që ata kanë dhënë pas lidhjes së koalicionit mes tij dhe ish-presidentit Ibrahim Rugova. E konsideron legjitime qeverinë e Thaçit. Nën moton e freskimeve në AAK, paralajmëron mënjanimin nga lidershipi i saj të njerëzve që kanë dështuar në qeverinë e kaluar. Është kundër krijimit të mekanizmave të përbashkët mes partive opozitare.

-“Lajm”: Që ditën e parë pas kthimit nga Haga keni filluar furishëm me opozitë. Prej ku buron ky zell juaji për të qenë kaq i zëshëm për punë?
-Haradinaj: Kemi humbur shumë kohë. Ky zell vjen nga dëshira të mos lejojmë që të humbet asgjë në Kosovë. E kam thënë në rast se duam të bëjmë punë të mira, duhet të ngrihemi pa dalë drita, duhet të mos e përmbyllim ditën e punës derisa të bjerë terri dhe duhet të punojmë shtatë ditë në javë, së paku në nisje. Është viti i nisjes së pavarësisë së Kosovës dhe në rast se nisemi plogësht, nuk është mirë. Dita e mirë shihet në mëngjes.

-“Lajm”: Në jetën publike të Kosovës njiheni si njeri që i fiton betejat. A e konsideroni betejë përballjen me Qeverinë aktuale, e kryesuar nga Hashim Thaçi?
-Haradinaj: Në çdo betejë që jam ndodhur, e ka fituar populli i Kosovës. Nëse flasim për tri nga ato që unë i di deri sot, për luftën, qeverisjen dhe këtë të fundit me drejtësinë. Në të tria këto, ne e kishim të drejtën në anën tonë. U vërtetua që kemi pasur të drejtë që kemi hyrë në luftë dhe kemi luftuar. Pas 100 ditësh të koalicionit me presidentin Ibrahim Rugova dhe LDK-në, u pa se ishte vendim i drejtë, me gjithë fatkeqësinë që na ndodhi në punën tonë të përbashkët. Pastaj edhe drejtësia. Tani një gjë e di, se krejt jeta është një betejë, jo vetëm të kritikojmë, por duhet të punojmë që të ketë kuptim më të mirë jeta në Kosovë. Aktualisht po mundohem t’i jap kuptim shtetit, lirisë dhe demokracisë në Kosovë, e për ta arritur këtë duhet një rritje e standardit në të gjitha aspektet. Kjo qasje në gabimet e Qeverisë është në funksion të njerëzve.

-“Lajm”: Menjëherë pas ardhjes suaj nga Haga, nëpër gazeta është shkruar se kryeministri Thaçi tash e tutje duhet të ruhet, në kuptimin të ketë më shumë kujdes se si qeveris?
-Haradinaj: Jo, mendoj se ai duhet të punojë më shumë. Duhet të shkojë pak më herët në zyrë, sepse roli i Qeverisë nuk është vetëm lidershipi, të nxjerrë tabela dhe të japë lajme, siç ka ndodhur. Roli i Qeverisë është menaxhues, duhet t’i menaxhojë aspektet që lidhen me jetën e njerëzve në Kosovë dhe që ndikojnë në përmirësimin e kësaj jete. Andaj, ai duhet punojë.

-“Lajm”: Po të ruhet nuk ka nevojë?
-Haradinaj: Veç le të punojë!

-“Lajm”: Kur e keni nënshkruar marrëveshjen me ish-presidentin Rugova për formimin e Qeverisë, ju kanë fishkëllyer nëpër stadiume, ju kanë quajtur tradhtar të “krahut të luftës”, kurse PDK-ja e ka quajtur të pamoralshëm atë koalicion. Tani si e vlerësoni koalicionin PDK-LDK dhe Hashim Thaçin, si prijës të tij?
-Haradinaj: Jo, ajo e para nuk ka qenë e atillë. Ju e dini se pas një jave të qeverisjes ne i kemi ofruar Parlamentit program që ka përmbledhur pikat kryesore të aspekteve të qeverisjes së dy partive dhe është votuar në Parlament. Në të njëjtën kohë, për aq pak ditë kemi absorbuar projektin për standardet dhe e kemi kthyer të përfunduar para Bashkësisë Ndërkombëtare. Edhe Qeveria aktuale është legjitime, sepse buron nga vota e njerëzve. Deputetët e LDK-së dhe ata të PDK-së i kanë marrë votat e qytetarëve dhe kanë të drejtë të formojnë qeveri. Ndërkaq, Qeveria pastaj ka obligim që të zbatojë një plan qeverisës, të cilin deri tani nuk e ka pasur, ndërsa këto ditë e ka propozuar. Do të thotë të gjitha këto ditë që kanë shkuar janë ditë të humbura.


-“Lajm”: Ka opinione se për t’u forcuar pozitat tuaja në opozitë, duhet të distancoheni nga veprimet dhe nga vetë disa ish-ministra në Qeverinë e kaluar, për shkak të performancës së dobët të tyre, madje edhe për përfshirje në afera korruptive. A mund të presim një gjë të tillë ?
-Haradinaj: Ekziston një ndryshim në këtë situatë. Në kohën sa kam qenë në punë, po të kishte vazhduar një mënyrë e atillë e punës, Kosova do të ishte më ndryshe dhe më e mirë. Po ashtu, do të mund të jepja llogari se si kanë punuar ministrat. Mirëpo, me ato që kanë ndodhur në qeverisje dhe me ambientin e krijuar, nuk ka qenë lehtë të arrihen rezultatet e pritura. E di që ne nuk kemi qenë perfektë në qeverisje. Natyrshëm, i kemi parasysh të gjitha këto dhe gjithçka rreth qeverisjes e vlerësojmë dhe e analizojmë vetveten. Kjo do të thotë se ne dëshirojmë të dimë se si duhet të qeveriset në të ardhmen, jo vetëm që të mos përsëriten gabimet, por edhe të mos lindin gabime të ngjashme gjatë punës.

-“Lajm”: Si e shihni diagramin politik të Kosovës pas zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që ato të mbahen? Cili pritni të jetë pozicioni i AAK-së në të?
-Haradinaj: Sa u përket zgjedhjeve, në radhë të parë është obligim ligjor, sepse ashtu e kemi aprovuar në Parlament dhe buron nga marrëveshjet e mëhershme politike se ato duhet të mbahen nëntë muaj pas fazës transitore. Kjo është një situatë, në të cilën të gjithë ne ndërtojmë mbi të. Se si do të duket skena politike atëherë, këtë do ta thotë qytetari i Kosovës, duke vlerësuar punën e secilit dhe duke shpresuar dhe besuar në punë që dikush do të bëjë. Në këtë rast, unë kam filluar një konsultë, një bashkëpunim me partitë opozitare në Parlament dhe në të njëjtën kohë mbaj komunikim edhe me deputetë të Kosovë të partive në qeverisje, sepse janë të zgjedhur të popullit.

-“Lajm”: A mos po paralajmëroni shtim të radhëve të AAK-së me deputetë të partive të tjera, qoftë në pozitë apo në opozitë?

-Haradinaj: Jo, nuk kemi punuar në këtë drejtim, të paktën ky nuk është qëllimi ynë. Ne deputetët nuk i detyrojmë që të kenë identitet të fiksuar partiak, por ajo që na intereson është që kur ka tema me rëndësi për jetën e njerëzve, të mund t′i bashkojmë votat.

-“Lajm”: Me gjithë pozitën e tretë të AAK-së në opozitë, duket se po tentoni ta merrni primatin në bërjen e opozitës. Kjo ka ndeshur në hezitimin e partive të tjera opozitare që t’ju mbështesin në të gjitha iniciativat?

-Haradinaj: Është e natyrshme të mos ketë mbështetje për cilëndo parti në çdo iniciativë. Partitë mbështeten reciprokisht në rast se besojnë në atë që është pozicion i njërës. Nëse AKR-ja ose LDD-ja do ta kenë një pozicion që është në të mirë të qytetarëve, ne vetvetiu do ta mbështesim dhe anasjelltas. Pse jemi në opozitë, kjo nuk do të thotë që secila parti duhet të pajtohet me qëndrimet e secilës. Ne nuk do të shkojmë në këtë formë, ajo do të ishte një lloj ngulfatje.

-“Lajm”: Pra, nuk mund të presim krijim të mekanizmave të përbashkët, një bllok të përbashkët opozitar a diçka e tillë?

-Haradinaj: Jo, nuk kemi orientime të tilla, sepse ka institucione në Kosovë, ka Parlament, ka grupe parlamentare. Kryetarët e tyre konsultohen për mënyrën e votimit, kryetarët e partive konsultohen për çështjet që janë me rëndësi për jetën e njerëzve. Por, nuk kemi qëllim që të hyjmë në një strukturë të përbashkët, sepse kjo nuk do të ishte as në të mirën e demokracisë.




Çka nuk dëshiroj të shoh

-“Lajm”: A keni strategji se si do të bëni opozitë tash e tutje, apo do të vazhdoni me pragmatizmin aktual duke kritikuar Qeverinë konferencë pas konference, për çdo ditë dhe për çdo shkarje në punën e saj?
-Haradinaj: Ne kemi prezantuar para qytetarëve të Kosovës edhe një vizion se çka nuk dëshirojmë të shohim në Kosovë, se çka nuk dëshirojmë të ndodhë me jetën e njerëzve. Së pari nuk dëshirojmë të shohim një kulturë qeverisëse të shërbimeve të zbulimit, ish-shërbimeve të zbulimit, të cilat e qeverisin Qeverinë. Një kulturë qeverisëse që dikur ka ndodhur në diktaturat e Lindjes, por që nuk ekzistojnë më. Nuk dëshirojmë të shohim një uzurpim të lirive dhe të mundësive të njerëzve. Qeveria është këtu për të krijuar mundësi për njerëzit e jo për t′i uzurpuar ato. Po ashtu, ka absurde që dëshirohet të shkohet me improvizime. Ne dëshirojmë që ta vlerësojmë punën e Qeverisë në bazë të një plani të punës. Në radhë të parë, ky plan së pari a është në përputhje me premtimet zgjedhore, pastaj duhet të parashikohet plani operacional kohor, të dimë se kur çka do të ndodhë. Qeveria po punon ditë më ditë, i bie ndërmend diçka dhe e bën. Ne s’e dimë se çka do të bëjë Qeveria në dy javët apo dy muajt e ardhshëm. Kjo ka të bëjë me kulturën qeverisëse, cilësinë qeverisëse dhe mënyrën se si do t′u shërbejmë njerëzve në Kosovë. Sepse në rast se çdo ditë ndodh diçka më e mirë për shkak të asaj që ne ia kujtojmë, kjo është në të mirë të njerëzve.


Posto këtë artikull në:
Facebook Twitter Google Digg it del.icio.us Google Buzz Furl Linked in MySpace Windows Live Yahoo! My Web Technorati Spurl Stumbleupon Reddit Netlog
   Lajmi është lexuar 476 herë dhe eshte komentuar 0 herë.   


Komento:





VËREJTJE!

Komentet që përmbajnë fyerje, urrejtje racore, fetare dhe kombëtare, si edhe çdo lloj jotolerance,
NUK DO TË PUBLIKOHEN!!!

Mendimet e paraqitura në komente janë mendime private të autorëve të komenteve dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e Redaksisë së portalit Albeu.

Ju lusim që të keni kujdes për rregullsinë gramatikore dhe drejtshkrimore të komenteve që i dërgoni.

Ju faleminderit për mirëkuptim!
Stafi i Portalit Albeu








  • Lajmet e fundit
  • Më të lexuarit
  • Facebook
E-maili juaj:
Gjatë 24 orëve, ju pranoni vetem një e-mail me lajmet kryesore

Lojëra në Albeu.com

EURO 2004

Marsi

Galeri në Albeu.com

Behet nene ne moshen 70 vjecare


          18,726 shikime.

Mu ne momentin e ngjarjes (2)


          27,358 shikime.

Albeu Online Media

  • Partnerët:lajm
    start
Lajme | Sport | Video | Bota e Yjeve | Foto Galeria | Teknologjia | Lifestyle | Interesante | Lojëra | Televizione & Radio |