Neuroza e të konvertuarit
Albeu.com
I
Tensioni midis Himarës dhe shtetit shqiptar përbën një nyje nervozizmi, që shpërthen herë pas here me mllefe, që në thelbin e origjinës, nuk janë veçse artifica të mbishtresuar në kohë të ndryshme.

Është gjithsej një autosugjestion i formuar pak me dashje, pak me imponim e pak me strategjinë e ndikimit, stimulimit dhe alibisë, për gjoja tjetërsinë etnike të këtij regjioni, duke u nisur nga dygjuhësia e shekullit të fundit. Mjafton një incident apo një provokim, që të shpërthejë ajo që është maskuar keq, si çështje e ftohtë identiteti. Si është formësuar ky realitet i nervozuar midis himarjotëve dhe shqiptarëve të zonave përreth? Pak t'i kruash koren kësaj "lufte të ftohtë" dhe rrënjët të çojnë në konjuktura historike, ideolologjiko-shoviniste e, njëkohësisht, religjioze.

Përfaqësuesit e shtetit shqiptar, deklaratat dhe opinionet e nënshtruara dhe vetëposhtëruese të politikës shtetërore kanë ndikuar, me dobësinë e tyre, në krijimin dhe pranimin e një hiper-realiteti "minoritar" në Himarë, çka ka bërë tashmë, që "legjenda" minoritare e Himarës, e nisur si artificë mashtrimtare, të përfundojë e pranuar si një realitet i njëmendët "demokratik".

U desh të ndodhte një tragjedi, që për shkaqe banale, i mori jetën një të riu, për të parë se në çfarë humnere të mjerueshme ka rënë dinjiteti i shtetit. Nuk është fjala për jetën njerëzore, që është një dhe e pakthyeshme, pasi me vdekjen e një njeriu, n'akord me çdo urtësi, është vrarë gjithë njerëzimi. Por meqenëse vdekja tragjike e të riut himariot po shfrytëzohet për propagandë të madhe politike, religjioze e nacional-shoviniste, a nuk është më mirë të mos i ngatërrojmë gjërat dhe të shohim esëll në zemër të problemit?

Me shkaqet le të merret drejtësia, sikundërse për çdo shtetas shqiptar, por përtej kësaj tragjedie personale, përse u dashkan fryrë retorikat e simbolikave politike ndërnacionale e religjioze? Reagimi i Ministrisë së Jashtme greke dhe, njëkohësisht, reagimi i kryepeshkopit grek që kryeson Kishën e Autoqefale shqiptare, fyejnë çdo shqiptar me tonin e tyre shantazhist. Thjesht toni urdhërues i deklaratave greke përbën një fyerje të papranueshme për dinjitetin kombëtar të shqiptarëve.

Shteti grek dhe politika e tij gjenocide i ka tejkaluar përgjatë shekullit të fundit të gjitha rekordet e krimeve masive ndaj shqiptarëve, duke shfarosur e shuar krahina të tëra me shqiptarë etnikë autoktonë, deri në realitetet e fundit ksenofobike, plot epsidode të përgjakshme midis emigrantëve. Indiferenca me të cilën i ka përcjellë politika greke këto tragjedi shoqërore e individuale, ka qenë "meritë" e mefshtësisë së turpshme të shtetit shqiptar.

II
Nëse rrënjët e incidentit që i mori jetën djaloshit nga Himara kanë të bëjnë me kundërvënien e përkatësisë nacionale, në një sherr banal plazhi, atëherë përse duhej reaguar në mënyrë kolektive, duke thyer ligjet e shtetit shqiptar në protesta me bllokimin e rrugës? Kush e frymëzon dhe e udhëheq këtë histeri kolektive dhe çfarë parashikon ligji për ndëshkimin e tyre? Këtë pyetje është e arsyeshme ta shtrojë çdo qytetar dhe takasapagues, që të mos ndjehet i fyer në vendin e vet.

Nga ana tjetër përkrahja, solidarizimi dhe shndërrimi në simbol protestash masive i një viktime fatkeqe të një sherri banal, flet mjaft qartë për shkallën vetëhelmuese të këtij komuniteti, i cili jep pashmangshëm frutat e tij të helmëta. Prandaj është abuzuese dhe e pabazë t'i njohësh "minoritetin etnik" një treve vetëm e vetëm pse zotëroka dygjuhësinë, apo vetëm e vetëm, pse nën ndikimin e propagandës nacionaliste greke të vorioepirit dhe stimulimeve materiale - u interesoka këtyre banorëve ta quajnë veten "minoritet grek".

Mund të çmendesh e sugjestionohesh sa të duash, madje mund të vetëshpallesh e ta perceptosh veten si të duash - kjo ka të bëjë me dinjitetin tënd - por mos prit, që vetmashtrimin tënd ta blejnë si të vërtetë të padiskutueshme. Të vërtetën nuk e fabrikon dot sipas qejfit, pasi ajo është e pavarur dhe lehtësisht e vërtetueshme. Askush nuk do të ma pranojë, fjala vjen, marrëzinë time, nëse dal e vetëshpallem indigjen, me të vetmen arsye, se ditkam gjuhën e ndonjë fisi indigjen. Autosugjestioni im ka lidhje me mua dhe për mua, por jo me të vërtetën jashtë meje. Kështu dhe autosugjestioni himarjot për, gjoja, prejardhjen greke.

Dygjuhësia dhe mllefet konjukturale ekonomiko-politike në Himarë, nuk mund ta zhbëjnë dot prejardhjen e tyre etnike jo greke. Fakti që Himara, tradicionalisht, për karakterin e izoluar të komunikimit rrugor me pjesën tjetër të Shqipërisë, përcaktoi tregtinë dhe punësimin nëpërmjet rrugës së vetme detare me botën greke, - çka solli prej më se një shekulli zotërimin e dygjuhësisë - nuk është aspak argument i përkatësisë së tyre greke. Nisur nga kjo pikëpamje, sot dugjuhësa janë rreth një milion shqiptarë që punojnë prej kohësh në Greqi. Edhe ata, po të duan, kanë po aq të drejtë sa Himara e himariotët të vetëquhen dhe vetëshpallen "grekë".

Dhe para se t'i besojmë himariotët e Vasil Bollanos, Janullatosit - himariotët e tutelës greke, si grekë - ata kanë një problem të madh me zbardhjen e identitetit të tyre, pasi pema e tyre e origjinës, duke u hapur nga ati, gjyshi dhe stërgjyshi, do të na çojë nga fshtrat e Labërisë e Kurveleshit deri në Veri. Dokumentet e regjistrimeve kadastriale të banorëve të Himarës përgjatë pesë qind vjetësh, tashmë janë të gatshme, të përkthyera e të përpiluara prej arkivave të Stambollit dhe vendeve të tjera, sa përbëjnë një rast unikal në ballafaqimin e himariotëve me idenë e tyre autosugjestionuese për etnicitet grek. Këto dokumente, sigurisht, nuk mund t'i zhbëjnë më as frymëzuesit e politikës bizare të megaloidhesë. Krerët e shtetit shqiptar duket se lexojnë pak ose aspak, e më për dreq, përveçse nuk lexojnë, s'duan as të pyesin, as të këshillohen. Prandaj dhe heshtja, dhe deklaratat nënshtruese bëhën palë me autosugjestionin grek të Himarës.

III
Në veprën e tij "Republika" Platoni dallon tre nivele të shpirtit njerëzor: shpirti dëshirues, që përbën nivelin e barkut; shpirti guximtar, që përbën nivelin e diafragmës; shpirti i arsyeshëm, i cili përbën jetën e mendjes dhe që gjendet ne kokë. Çdo niveli të shpirtit i korrespondon një cilësi e veçantë: shpirti dëshirues duhet të zotërojë vetinë e vetëpërmbajtjes; shpirti guximtar, vetinë e trimërisë; shpirti i arsyeshëm, cilësinë e urtësisë. Kur të gjitha këto cilësi gjenden në harmoni me njëra-tjetrën, atëherë virtyti më i lartë është Drejtësia, e cila i zotëron të gjitha nivelet, si kur bëhet fjalë për njeriun, ashtu edhe për Shtetin.

Nga përvoja e vetshpalljes së himariotëve "minoritet etnik grek", shihet qartë se ata i kanë larë hesapet me dy nivelet e fundit, duke u mbyllur përfundimisht në nivelin e barkut dhe duke u identifikuar me të. Shqiptarëve të vjetër himariotë, bashkëluftëtarëve të princërve shqiptarë dhe të Skënderbeut, do t'u vinte turp për pasardhësit e tyre, që nuk e tejkaluan dot nivelin e barkut, nivel, i cili u tjetërsoi gjuhën dhe, siç pretendojnë udhëheqësit e tyre, identitetin. Sindroma masive dhe autosugjestive e të konvertuarit, është burimi paradoksal i neurozës himarjote.

Në një intervistë të tij, nobelisti i Karaibeve V.S. Najpol, rrëfen se si, pikërisht, provincat më të largëta që u konvertuan në islam, nga Pakistani në Indi, shfaqen më agresive e më ekstremiste në aktet terroriste, krejt ndryshe nga vendet arabike të islamit tradicional. Diç e ngjashme me neurozën e çifutëve të konvertuar e gjysmë të konvertuar, të cilët avancojnë në falangën e parë të antisemitizmit të egër, siç kanë qenë nga Lenini, Lev Trocki e deri tek Vladimir Volfoviç Zhirinovski. Mirëpo sindroma apo pandehma e të kovertuarit, që shoqërohet me zellin e tepëruar radikal, është një sëmundje, ndonëse të sëmurët e konsiderojnë mendjemprehtësi.

Thuhet e proklamohet, se demokracia parakupton shprehjen e vullnetit të lirë të zgjedhjes dhe vetëpërcaktimit. Është e drejta e himarjotëve të zgjedhin e të vendosin çfarë u pëlqen. Bukuri. Por a nuk është dhe e drejta ime (e gjithkujt si unë) të jem koherent, të kërkoj arsyen, faktet dhe argumentin? Nëse dikush ka zgjedhur të çmendet, kjo vlen për të, por çmenduria nuk mund të jetë një normë e imponueshme dhe as e pranueshme. Sepse dikush e zgjedh ushqimin e marrëzisë së vet, duke shfrytëzuar kolektivisht, fjala vjen, një fatkeqësi banale, për ta shndërruar në apoteozë marrëzie, ndërsa dikush tjetër, kërkon të jetë i esëllt, duke bërë apel për njohjen e sëmundjes... si fillim i domosdoshëm në etapat e gjata të vetëshërimit, gjithë duke harmonizuar nivelet shpirtërore të barkut, diafragmës dhe kokës. (start)
Shtuar më 15/08/2010, ora 09:03
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori