Suarez, heroi i Uruguait
Luis Suarez
Sulmuesi Luis Suarez ka thënë se përjetoi “kënaqësi të madhe”, pasi duart e tij i ndihmuan Uruguait të kualifikohet për në gjysmëfinale të Kampionatit botëror 2010, pas fitores me penallti ndaj Ganës.

Mos keqkuptoni! Ai nuk ishte portier, mirëpo për një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe vendimtar luajti një rol të tillë. Suarez përdori duart e tij në vijën e portës për të ndalur topin, pas goditjes nga Dominic Adiyiah në çastet e fundit të lojës shtesë.

Ai u përjashtua me karton të kuq, por Asamoah Gyan qëlloi transversalen nga penalltia. Kjo u përcoll me fitoren e Uruguait pas penalltive, ku fituan 4-2 dhe Suarez – i cili do të mungojë së paku në ndeshjen gjysmëfinale kundër Holandës – nuk dyshon se kishte bërë veprimin e duhur.

“Jemi në përfundim të Kampionatit botëror. Nuk kisha zgjidhje tjetër. Tani i kam ‘duart e Zotit’. E kam bërë me shpresë se bashkëlojtarët e mi do të fitojnë në penallti. Kur kam parë se Gyan nuk realizoi nga penalltia, kam ndjerë kënaqësi të madhe. Ia vlente të përjashtohem në këtë mënyrë. Ishte situatë e komplikuar dhe e vështirë”, tha Suarez.

Ndërsa mbrojtësi i Ganës, John Pantsil beson se është dashur të kreditohet goli, edhe pse topi nuk e kishte kaluar vijën. “Gjyqtari është dashur të sinjalizojë për gol. Nuk ka shans që ndonjëri prej nesh, futbollistëve të Ganës, do të kishte përdorur duart për të ndalur topin, kurrë”, tha Pantsil.

“Ajo nuk ishte penallti, ishte gol. I jam afruar gjyqtarit dhe i kam thënë. Ne është dashur të fitojmë. Përfundimi ishte shumë i dhimbshëm. Të gjithë janë të mërzitur. Njerëzit janë duke qarë. Disponimi është i keq. Askush nuk është i lumtur. Ishim aq afër dhe u mposhtëm. Është mërzi e madhe, shumë e madhe që nuk arritëm të shkojmë përpara. Por, kemi luajtur dhe kemi mundur të arrijmë më tepër”, shtoi ai.

Pantsil ka theksuar se faji nuk do të hidhet mbi Gyan, i cili nuk realizoi nga penalltia në çastet e fundit të vazhdimeve.

“Ne gjithmonë luajmë si ekip, si një familje. Të gjithë u munduan të ngushëllojnë Gyanin në mënyrë që ai të ndihet më mirë. Secilit mund t’i ndodhë të humb një penallti. Ne jemi njëmbëdhjetë futbollistë në fushë, luajmë së bashku dhe humbim së bashku”, përfundoi ai.

Ndërkohë, FIFA ka njoftuar të shtunën se në ditët e ardhshme do të vendosë rreth veprimit të Suarezit, i cili rrezikon të suspendohet më gjatë.
Shtuar më 04/07/2010, ora 16:18
Tage: suarez
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori