Spanja me shpresat ke David Villa
David Villa në aksion
Pasi mungoi në fitoren e Spanjës në finalen e Kampionatit Evropian të vitit 2008, sulmuesi David Villa do të ketë rastin tjetër të luajë kundër Përfaqësueses së Gjermanisë, kësaj here në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror.

Villa është golashënuesi më i mirë në Afrikën e Jugut me pesë gola të shënuar.

Para dy vitesh në Evropianin e mbajtur në Austri e Zvicër kishte shënuar katër herë. Ai pati lënduar këmbën në ndeshjen gjysmëfinale kundër Rusisë dhe për këtë arsye nuk u paraqit në finale, të cilën Spanja e fitoi 1:0 me golin e Fernando Torresit.

"Ne e kemi mposhtur Gjermaninë para dy vjetësh dhe nuk mendoj se ata janë të lumtur që po takohen sërish me ne", ka thënë Villa. "Por, ne duhet të harrojmë tashmë atë ndeshje. Të humbësh në Kampionat Botëror është njësoj sikur të mos arrish asgjë".

Sulmuesi Villa është bërë makineri e golave te Spanja, që kur ka debutuar në vitin 2005. 28-vjeçari është vetëm një gol larg rekordit të Raul Gonzalezit, që ka 44 gola në fanellën e përfaqësueses.

"Jam shumë i lumtur për pesë golat që i kam shënuar, sepse të gjithë ishin vendimtar. Është ndryshe kur fiton me rezultat të thellë e ndryshe kur fiton me rezultat të ngushtë", ka shtuar Villa, që është shënuesi më i mirë i Spanjës në kampionate botërore me tetë gola.

Villa ka bilanc shumë të mirë. Ka shënuar 43 gola në 63 paraqitje për Spanjën, ndërsa 160 gola në 258 ndeshje për klube në pesë edicionet e fundit. Ai më herët u transferua te Barcelona nga Valencia për 50 milionë dollarë dëmshpërblim.

"Ai ka qenë shumë i rëndësishëm për ne, mund të them se ishte çelësi i Spanjës që ka shënuar shumë gola", ka thënë Torres. "Ai na jep mundësinë të shkojmë përpara dhe të mendojmë se mund të fitojmë Kampionatin Botëror".

Frika nga Torresi ka ndihmuar Villan të gjejë hapësirë në mbrojtjet e ekipeve kundërshtare dhe të shënojë gati rregullisht. Përderisa Villa po shkëlqen, Torres po ka vështirësi të rigjejë formën e tij në Afrikën e Jugut.
Shtuar më 06/07/2010, ora 14:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori