Pas 60 vjetësh Villa çon Spanjën në gjysmëfinale (VIDEO)
David Villa pas golit të shnuar
Sulmuesi David Villa shënoi golin e vetëm shtatë minuta pa përfunduar ndeshja për t\'ia siguruar kualifikimin Spanjës pas 60 vjetësh në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror. Spanja të shtunën mbrëma në stadiumin \"Ellis Park\" të Johannesburgut mposhti Përfaqësuesen e Paraguait me shifrat 1:0.
Herën e fundit në gjysmëfinale Spanja luajti në vitin 1950 kur në Botërorin e mbajtur në Brazil përfundoi në vendin e katërt.
Villa u tregua kyç me golin e vetëm, por te Spanja pati edhe një hero. Ishte portieri Iker Casillas, që priti penalltinë e Oscar Cardozos kur rezultati ishte baras (0:0). Casillas në minutën e 59-të ndali penalltinë pasi më herët Gerard Pique rrëzoi në zonë Cardozon pas harkimit të Edgar Barretos nga këndi.
Sulmuesi i ri i Barcelonës, Villa, golin e shënoi pasi para tij Pedro Rodriguez qëlloi shtyllën nga asistimi i Andres Iniestas, ndërsa topin e kthyer Villa e çoi në rrjetë me ndihmën e dy shtyllave. Për Villën ky është goli i pestë në Afrikën e Jugut.
Përfaqësuesja spanjolle ka mundur shumë më herët të avancojë sikur arbitri nga Guatemala, Carlos Batres të mos përsëriste penalltinë e gjuajtur nga Xabi Alonso. Alonso u tregua i saktë herën e parë, por arbitri e anuloi atë me pretekstin se lojtarët ishin futur në zonë të rreptësisë pa u goditur topi. Herën e dytë, gjuajtjen e Alonsos e priti portieri Justo Villar. Ndodhi kjo në minutën e 62-të, pasi një minutë më herët në zonë u pengua Villa nga mbrojtësi Antolin Alcaraz.
Villa ka mundur të shënojë edhe golin e dytë në këtë ndeshje sikur në minutën e 90-të të ishte me syçelë përballë portierit Villar pas një kundërsulmi të udhëhequr nga zëvendësuesi Pedro Rodriguez.
\"Jemi në mesin e katër ekipeve më të mira në botë dhe ky është një moment i mirë për futbollin e Spanjës\", ka thënë trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque,
Pos penalltisë së humbur, Paraguai pati rast të mirë për të barazuar shifrat në minutën e 89-të, por sërish Casillas u tregua vendimtar. Fillimisht Lucas Barrios gjuan, ndërsa topi i dëbuar vjen deri te Roque Santa Cruz që nuk e mposhti Casillasin nga afërsia.
\"Dhamë gjithçka nga vetja, patën raste, por nuk i shfrytëzuam, gjë që ndodhi e kundërta me Spanjën\", ka thënë trajneri i Paraguait, Gerardo Martino.
Spanja në gjysmëfinale do të takohet me Gjermaninë, të mërkurën në qytetin Durban.

Shikoni golin:





Penalltia e humbur nga Paraguaji:




Penalltia e humbur nga Spanja:



Shtuar më 03/07/2010, ora 23:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori