Gazetarët kundër paketës anti-shpifje: Çon median në autocensurë

Nisma e kryeministrit Edi Rama për të ndalur publikimin dhe përhapjen e lajmeve të pavërteta nëpërmjet regjistrimin dhe rregullim e medias online, rrezikon të kthehet në një goditje për lirinë e medias në vendin tonë dhe që do t’i orientojë gazetarët drejt autocensurës. 

Shumica e gazetarëve dhe botuesve të mediave online në vendin tonë e kundërshtojnë paketën antishpifje të hartuar nga qeveria, pasi sipas tyre ajo tenton t’i mbyllë gojën mediave kritike me qeverinë, duke i dhënë të drejtën AMA-s që të marrë masa administrative duke filluar që nga gjobat e papërballueshme për një media të tillë e deri te mbyllja fare e këtyre portaleve, pa i dhënë të drejtën e apelimit në gjykatë, shkruan Gazeta Shqiptare. 

Për redaktorin e BIRN-it në vendin tonë, BesarLikmeta ndryshimet e hartuara nga qeveria cenojnë thellë lirinë e shprehjes dhe atë të medias në Shqipëri, si dhe shkelin standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare në fushën e medias. Sipas tij në qoftë se këto ndryshime do miratohen në mënyrën se si janë hartuar atëherë mediat online dhe gazetarët do të shtyhen drejt autocensurës.

Ndërkohë që AnilaBasha, drejtoreshë e “NewsBomb”, një tjetër media online që vepron prej vitesh tashmë në Shqipëri, thekson se paketa e paraqitur nga qeveria “është ndërhyrje e pastër dhe e qartë, e dhunshme dhe e kompromentuar, censurë me vetëdije ndaj agjencive të ndryshme mediatike online”. 

Sipas saj ndryshimet ligjore tentojnë të krijojnë shumë paqartësi për mënyrën sesi do të dallohet lajmi i vërtetë dhe se si do të përcaktohet nëse informacioni është trajtuar në mënyrë të paanshme, sikurse reket të vendos rregulla kjo paketë antishpifje. 

Jo vetëm kaq, por Basha evidenton si skandaloze dhënien e kompetencave për të vendosur gjoba deri në mbyllje të portaleve të ndryshme, nga një institucion si AMA që dominohet gjithmonë nga shumicat qeverisëse. Ajo që e bënë edhe më skandaloz këtë nismë sipas saj është mospërcaktimi i të drejtës për apelim të vendimeve të AMA-s në gjykatë. 

Ndërsa për pedagogun dhe kryeredaktorin e medias tjetër online “ALBEU”, EmirjonSenja, projektligjet synojnë të ngrenë një “gjykatë të së vërtetës dhe moralit”, e cila sipas tij rrezikon të kthehet në kamxhik të pushtetit sidomos ndaj mediave online.

“Ligji i jep të drejtë kësaj “gjykate morali” të urdhërojë mbylljen e mediave online pa kaluar më parë nga sistemi gjyqësor. Edhe në pushtetet më autoritare seç kemi shembuj në rajonin tonë, është gjykata ajo që vendos mbylljen e një portali, ndalimin e aksesit në një adresë në rrjetet sociale, etj.”, shprehet Senja

Për Besar Likmetën është e qartë, që nëpërmjet këtyre projektligjeve, kryeministri Edi Rama ka si qëllim të kontrollojnë përmbajtjen e publikimeve online, nëpërmjet kërcënimit të gjobave joproporcionale dhe një këshilli censure, i cili sipas tij nuk ka një të dytë në botën e lirë dhe demokratike.

Besar Likmeta (BIRN):
“Qeveria ka propozuar dy projektligje, për regjistrimin dhe rregullim e medias online, të cilat sipas opinionit tonë cenojnë thellë lirinë e shprehjes dhe atë të medias në Shqipëri, shkelin standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare dhe në qoftë se miratohen do t’i shtyjnë mediat online dhe gazetarët në autocensurë.

Është e qartë, që nëpërmjet këtyre projektligjeve, kryeministri Edi Rama ka si qëllim të kontrollojnë përmbajtjen e publikimeve online, nëpërmjet kërcënimit të gjobave joproporcionale dhe një këshilli censure, i cili nuk ka një të dytë në botën e lirë dhe demokratike. 

Këto projektligje janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe në shkelje të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut”.

Anila Basha (NewsBomb):
“Për projektligjin “Për mediat Audiovizive…”
Neni 33/1 që ka të bëjë me detyrimet e OSHPE-ve, është ndërhyrje e pastër dhe e qartë, e dhunshme dhe e kompromentuar, censurë me vetëdije ndaj agjencive të ndryshme mediatike online. Nuk e di nëse ndonjë nga parlamentarët apo qeveritarët që e kanë hartuar ligjin mund të japë përgjigje për pyetjen e mëposhtme:

Si e kontrollon organi kompetent që publikimet shfaqen në “mënyrë të vërtetë”? Kush mund të thotë dhe të përcaktojë se raportimet apo publikimet janë “të paanshme dhe objektive”? 

Pse dhe si do të vendosë organi kompetent për deklarata të paanshme nga partitë e ndryshme politike? Kjo pikë, jo vetëm cenon raportimin e lirë të medias, por tenton të censurojë dhe aktivitetin e forcave të ndryshme politike, një praktikë, që nuk haset në asnjë vend të botës.

Në pikën “d” qeveria tenton të na orientojë edhe produktin e lajmeve që prodhojmë. 

Nëse website që krijohet, ka në fokus të tij vetëm mbrojtjen e të drejtave të kafshëve dhe merr shtrirje më shumë se mbarëkombëtare, si duhet të “ofrohet për të gjithë përdoruesit njëlloj”? sepse mund të ndodhë që në këtë website, askush nuk do që të shkruaj për ngjarjet politike, apo për komunitetin LGBT…

Pika “ë” e përcaktimit të respektimit të “moralit publik” është ndoshta më qesharakja e vendosur. Sepse më kujtohen raste të parlamentarëve që në rrjetet sociale shkruajnë: “…ata të opozitës mendojnë për bythën e tyre”. 

A është ky respektim i rregullave të moralit publik? A përbën kjo moral publik? Nëse për mediat ky është një detyrim, çfarë është për përdoruesit e zgjedhur me votë? Po fjala “mut”, e përdorur jo më larg se në seancën e fundit parlamentare: Po fjalët, “i rrjedhur, i pjerdhur, kurvë, rruspie etj. etj.” fjalë që rëndon përdoren në parlament, janë shfaqje të “Moralit Publik” dhe a e penalizojnë median?

Pika që ka të bëjë me penalizimet, është skandaloze.
Urdhërohet mbyllja e portaleve, kur AMA, një organ tërësisht politik, sipas interesave të momentit vendos për një, dy, tre a më shumë ankesa. Për të mbyllur median online për 24 orë, një ditë apo edhe një vit sipas oreksit apo pikëpamjeve të disa aktorëve rrogëtarë të shtetit për një media private. 

Projektligji, përveç një komisioni ankesash, nuk lejon asnjë fazë apelimi, procedurë kjo e panjohur më parë në botën demokratike.
Përfundimisht duhet thënë se:

Paketa antishpifje, është rasti më flagrant i ndërhyrjes së politikës në lirinë e medias. Eshtë censurë e hapur, kontroll qeveritar, dhe projekti më i paimagjinueshëm, çka tejkalon edhe atë të burgosjes së gazetarëve.

Qeveritë do të shkojnë e do të vijnë, parlamentet e këtij vendi po ashtu, e vetmja që do të mbijetojë, pavarësisht këtyre zhvillimeve është media. Edhe në vendet e tjera ku bëhen tentative për rastin e “FAKE-NEWS”, si në Francë, ligjet janë kufizuar në fushata zgjedhore për të mos ndërhyrë në garë, por jo me shtrirjen e tij gjithë kohën.

Nuk mund të ketë liri të medias në vend, me një ndërhyrje të shumanshme si kjo që propozohet. Qeveria, parlamenti dhe çdo institucion shtetëror, duhet të kuptojë se në gjithë botën, gazetaria po ndryshon. Ka dalë nga klishetë standarde të lajmeve statike, për t’u adaptuar me kohën. Por politikanët shqiptarë që ecin me ritmin e breshkes, nuk mund të kuptojnë vrapimin e medias, ndaj kërkojnë me forma dhe mënyra të ndryshme të na vënë nën kontroll”.

Emirjon Senja (ALBEU):
“Ka një qasje të përgjithshme, madje edhe në perëndim për ta parë median, sidomos atë onlinë si një problem që duhet futur në “shina” dhe sigurisht Shqipëria nuk mund të shpëtonte nga këto simptoma. 

Media, ka mjaft mëkate në Shqipëri dhe angazhimi për t’i bërë gjërat më mirë është i mirëpritur, por nisur nga eksperienca e deritanishme, e një mungese kulture të medias së lirë në vend, si edhe të një tregu të prishur gjatë tri dekadave të fundit kur ne gazetarët kemi menduar se jemi të lirë, përmirësimi mund të vijë vetëm me vetërregullim, sepse qasjet për ta rregulluar këtë treg nga aktorë të jashtëm, siç janë në rastin konkret organet e përcaktuara prej ndryshimeve ligjore rrezikojnë të na sjellin në vëmendje periudha të errëta të raportit media-pushtet.

Ligji synon te ngrejë një “gjykatë të së vërtetës dhe moralit”, i cili rrezikon të kthehet në kamxhik të pushtetit sidomos ndaj mediave online, për kontrollin e të cilave është ndërhyre vazhdimisht gjatë viteve të fundit. 

Madje, ligji i jep të drejt kësaj “gjykate morali” të urdhërojë mbylljen e mediave online pa kaluar më parë nga sistemi gjyqësor. Edhe në pushtetet më autoritare, siç kemi shembuj në rajonin tonë, është gjykata ajo që vendos mbylljen e një portali, ndalimin e aksesit në një adresë në rrjetet sociale, etj. 

Për më tepër, duke parë edhe disbalancën në gjoba, duket se ka një qasje për të ruajtur monopolin e mediave audiovizive në raport me mediat online pasi nuk mund të shpjegohet ndryshe që gjoba ndaj një portali me një numër të kufizuar lexuesish që publikon një fake news të jetë disa herë më e madhe se sa një televizion që shihet nga një audiencë më e madhe”.


Shtuar 24.12.2018 10:36