Sacchi rrëfehet për magjinë e Van Basten, efektin Ancelotti dhe Realin skandaloz

Gjatë një ceremonie të zhvilluar në nder të “Të pavdekshmëve të Milan”, ish-trajneri i kuqezinjve, Arrigo Sacchi ka zbuluar disa episode dhe prapaskena, teksa elozhet për disa prej yjeve nën drejtimin e tij, nuk ka mundur dot t’i kufizojë.

“Kisha fatin të gjeja një klub fantastik te Milan. Kujtoj që bezdisja shpesh Gallianin për ta pyetur vazhdimisht në lidhje me informacionet për futbollistët. Aty u rritëm të gjithë. Ishte një kolektiv i aftë që të emocionohej edhe në stërvitje, ku çdo element luante për skuadrën, në të gjithë fushën dhe gjatë të gjillë kohës”, solli nga kujtesa e tij Sacchi.

“Ancelotti? Thonin se kishte 20% të formës fizike. Shkuam ta merrnim në Romë para përfundimit të merkatos që të firmoste kontratën në mesditë. I pata thënë Berlusconit: ‘Me atë do të fitojmë kampionatin’”, zbuloi prapaskenën ish-trajneri i Milan.

“Van Basten? I dha formë ideve të mia. Kur u bë trajner kuptoi se sa probleme më kishte krijuar, por unë iu përgjigja se më kishte zgjidhur shumë më shumë probleme se ato që më kishte krijuar. Nuk do ta kisha zëvendësuar me asnjë, jepte çdo energji në fushë, sikurse nisën të japin të gjithë. Nuk mund të bëhesh skuadra më e madhe prej të gjithave, nëse nuk ke në dispozicion një grup special. Kur në jetë nuk pendohesh për asgjë, është sepse ke patur vërtetë sukses”, u shpreh Sacchi.

“Champions? Unë nuk kisha eksperiencë dhe as Milan. Gjithsesi ia domë që të ishim konkurrues, pasi më parë dëshmuam në Itali se ishim më të fortë se të gjithë. Në Europë vinin shumë trajnerë për të na parë. Në Madrid i shënuam një gol Realit, produkt i 24 pasimeve të sinkronizuara, me të gjithë futbollistët jashtë roleve të tyre, më pas të anuluar padrejtësisht për pozicion jashtë loje. Pak ditë më parë, Guardiola më nisi videon, duke më thënë se Real është gjithmonë Real: një skandal”, rrëfeu ndër të tjera trajneri legjendar i Milan-it të madh.


Shtuar 1.01.2020 15:12