Brazil – Argjentinë, finalja e ëndrrave
Kombëtarja braziliane
Argjentina dhe Brazili po tregohen si skuadrat më të sigurta të Botërorit 2010, të cilat, veç rezultateve, po dhurojnë edhe spektakël. Dy trajnerë të kritikuar në atdhe, dy kampionë si Messi e Kaka, të cilët nuk e kanë gjetur golin ende, dhe dy taktika përafërsisht të njëjta janë krahasimet që mund t’u bëhen këtyre dy skuadrave jug-amerikane. Por, rruga që çon drejt finales nuk duket dhe aq e lehtë.

***

Tashmë ka filluara të parashihet se cila do të mund të jetë finalja e kampionatit botëror Afrika e Jugut 2010. Mirëpo, këto nuk janë vetëm fjalë, ngase Argjentina dhe Brazili po e tregojnë këtë në fushë. Në të tetën e finales, Seleccion ia dhuroi tri gola Meksikos, kurse të nesërmen u kundërpërgjigj Seleçao, i cili shënoi po aq ndaj Kilit, gjithnjë në Johannesburg.

Këto dy ekipe, jo që fitojnë, por edhe po impresionojnë me lojën e tyre. Analogjitë nuk ndalen me kaq: Argjentina dhe Brazili kanë një mesfushë solide dhe bazohen te një mesfushor shkatërrues përpara mbrojtjes, me Mascherano, përkatësisht Gilberto Silva.

Kurse në sulm mbështeten nga “tridente” (tre futbollistë), dy në krahë dhe një në mes: në njërën anë Messi-Tevez-Higuain, e në tjetrën Kakà-Robinho-Luis Fabiano.

Ka edhe më shumë. Sulmuesi klasik, i gatshëm që ta udhëheqë ekipin, shënon gati në çdo ndeshje. Higuain është golashënues i këtij kompeticioni me 4 gola, kurse Luis Fabiano ka realizuar një më pak, 3. Sulmuesit e dytë, në njërën anë Tevez e në tjetrën Robinho, janë zhbllokuar në ndeshjen e katërt: Carlitos realizoi dy gola, kurse Robinho shënoi një.

Krahasimet nuk përfundojnë me kaq: yjet Messi e Kaka, edhe pse janë futbollistët që pritet më së shumti nga ta në Argjentinë dhe Brazil, nuk kanë shënuar ende. Nuk është se nuk kanë provuar ose që kanë luajtur keq. Është vetëm se kur gjuajnë ata, topi nuk dëshiron të hyjë në rrjetë.

Edhe trajnerët, që kanë personalitet të ndryshëm si futbollistë, në karrierën si selektorë kanë hasur në kritika të shumta në vendet e tyre. Ndoshta në njërën anë është normale, duke e ditur rëndësinë e bankinës që e drejtojnë, por ata janë kritikuar edhe për zgjedhjet e tyre dhe për formacionin.

Maradona ka bërë shumë kombinime, duke ftuar futbollistë të lënduar, të diskualifikuar dhe rezervistë në skuadrat përkatëse, ndërsa ka lënë në shtëpi futbollistë si Cambiasso e Zanetti. Mirëpo, për momentin, ai u është përgjigjur kritikave në fushë. Sepse rezultatet japin arsye për të.

Në anën tjetër, Dunga ka pasur kritika nga gjyqtarët edhe gjatë Botërorit. Ai ka lënë në shtëpi yjet Ronaldo, Ronaldinho e Adriano. Më pas është akuzuar si pragmatik, pak spektakolar, në mënyrën e tij të lojës. Por, rezultatet japin arsye edhe për të.

Tashmë është gjithçka e shkruar. Do të takohen këto dy skuadra në finale? Ngadalë! Sepse Argjentina tash do të përballet me Gjermaninë e re dhe të papërmbajtshme, e cila e dërrmoi Anglinë. Kurse Brazilin e sfidon Holanda, skuadër me plot talentë, e cila preferon të luajë bukur, njëjtë si ekipi brazilian dhe ka shënuar katër fitore nga po aq takime.

Sa i përket kalendarit më favorizues, Seleçao, nëse shkon përpara, do të ballafaqohej me Uruguain ose Ganën. Ndërsa Argjentina rrezikon që në gjysmëfinale ta takojë kampionin e Evropës , Spanjën. Pra, tabela buzëqesh më shumë për Dungën sesa për Maradonën.

Brazili mund ta shfrytëzojë një avantazh teknik: mbrojtja konsiderohet si më solidja në kampionat, e ndihmuar nga lojtarët e krahut që po shkëlqejnë po ashtu. E tek Argjentina, është pikërisht mbrojtja ajo që nuk bind sa duhet.

Një botëror që në fillim dukej mjaft monoton, me ndeshjet e së tetës së finales ka filluar të ndryshojë, si nga ritmi ashtu dhe nga golat dhe spektakli. Kjo edhe falë Argjentinës dhe Brazilit, të cilat bëjnë që ta imagjinosh nga tash një finale të paharrueshme.
Shtuar më 01/07/2010, ora 21:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori