A ka skenarë për ta hedhur poshtë referendumin? VMRO-DPMNE akuzon se Xhaferi është aktori kryesor

LSDM po përgatit plan për ta hedhur poshtë nismën për organizimin e referendumit, akuzojnë nga opozitarja VMRO-DPMNE prej ku dyshojnë se pushteti ka skenarë të mundshëm që të pengohet organizimi i referendumit. Prej atje thonë se roli kyç në këtë do t’i përkasë kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi.

“Në skenarin e mundshëm, rolin kyç duhet ta luajë Talat Xhaferi, i cili vetëm do ta zbatojë urdhrin e Kovaçevskit. Pushteti e di se shumica e qytetarëve do të dalin në referendum që të votojnë për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë, prandaj po ikën. Nëse pushteti beson se Marrëveshja me Bullgarinë është e mirë dhe nëse e njëjta e ka përkrahjen e qytetarëve, atëherë pse po druan që ta vendosë atë në referendum”, theksoi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Nisma e Hristijan Mickoskit për referendum, i shkakton dëm shtetit dhe është kundër eurointegrimeve të shtetit, thonë nga LSDM-ja.

“Mickoski me çdo kusht vepron në mënyrë anti europiane dhe i shkakton dëm shtetit dhe interesave nacionale, pa asnjë ndjenjë për shtetbërje, të gjitha politikat e tij i udhëheq sipas interesave dhe nevojave personale. Me nismën për referendum, me bllokadat aktive dhe pasive, Mickoski do që ta pengojë funksionimin normal të shtetit në kohë të krizës ekonomike dhe energjetike, që është në dëm të qytetarëve dhe kompanive”, thonë nga LSDM.

VMRO-DPMNE të premten edhe zyrtarisht ia dorëzoi Kuvendit nismën për grumbullimin e nënshkrimeve për referendum ku qytetarët do të deklaroheshin a janë për apo kundër Marrëveshjes me Bullgarinë. Gjatë javës së ardhshme, Xhaferi duhet t’ia dorëzojë nismën, Komisionit juridik- ligjvënës dhe Komisionit për sistem politik që të prononcohen në lidhje me korrektësinë e nismës.


Shtuar 12.09.2022 09:36