Balla prezanton dy nismat e PS-së: Ish-Sigurimsat ndalohen të marrin poste

Pasi Kuvendi votoi projektligjin për hapjen e plotë të dosjeve të Sigurimit të Shtetit, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka dërguar edhe 2 nisma të tjera. Taulant Balla tha se ato do t’i shërbejnë qëllimit të ndalimit në poste publike të personave që kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit.

“Grupi parlamentar i PS në vijim të nismës për transparencën e plotë mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit duke hequr pengesën ligjore që kushdo disponon certifikatë pastërtie të mëparshme të riverifikohet nga Autoriteti i Dosjeve, miratuar dje në Kuvendin e Shqipërisë me dakordësi politike, po prezanton sot edhe dy nisma të reja në shërbim të qëllimit për ndalimin e personave me lidhje në të shkuarën me ish-Sigurimin fatkeq që solli pasoja tragjike për mijëra familje shqiptare. Konkretisht janë dy nisma në fakt.

E para ka të bëjë me ndryshimin në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen apo emërohen në funksione publike. Ose siç quhet në termat e gjuhës së përditshme, ligji i dekriminalizimit dhe tjetra në ligjin për partitë politike. Nisma e parë ajo për ndryshimin e ligjit për dekriminalizimin parashikon ndalimin e personave për të marrë poste publike nëse vërtetohet lidhja e tyre me shërbimin sekret të regjimit të kaluar. Verifikimi kryhet në bazë të vetëdeklarimit që paraqet subjekti dhe nëse rezulton i pavërtetë përveç humbjes së të drejtës për të qenë pjesë e posteve publike, personi ngarkohet me përgjegjësi penale për deklarim të rremë njëlloj si ka funksionuar deri më tani ligji.

Detyrimit ligjor do i nënshtrohen ata që aktualisht janë në pozicione të tilla, pavarësisht nëse kanë apo jo një certifikatë pastërtie. Nisma e dytë, ajo për ndryshimin e ligjit të partive politike, kanë të njëjtën qasje. Pra nuk mund të jenë kryetarë të Partive politike në një sistem pluralist demokratik ata që kanë qenë dikur bashkëpunëtorë, me status oficeri, me status denoncuesi, të Sigurimit të shtetit”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste shtoi se: Këto dy nisma së bashku me parashikimet e reja ligjore në ligjin për Autoritetin e Dosjeve që kemi kaluar dje dhe në ndryshimet në kodin zgjedhor që ne kemi propozuar për verifikimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore, janë premisat e duhura ligjore që anëtarët, bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit apo strukturave sekrete dhe spiunëve të këtij regjimi të mos jenë më pjesë e asnjë posti publik, të zgjedhur, apo të emëruar.